“Nuk i fajësoj njerëzit që më zhgënjyen, fajësoj veten që prisja shumë prej tyre.” Një fjali që tingëllon bukur në rrjetet sociale dhe që shpesh shoqërohet me komentin: “Sa e vërtetë.” Por e vërteta është se, shumë herë, nuk presim “shumë”.
Presim gjërat bazë: qëndrueshmëri, interes, pak butësi dhe mirëkuptim. Presim të mos kemi nevojë të justifikojmë dhimbjen tonë sikur po mbajmë një prezantim.
Problemi nuk qëndron gjithmonë te pritshmëritë. Shpesh biem në dashuri me potencialin e një personi dhe jo me realitetin e tij. Dikush të jep vetëm thërrime, ndërsa ti vazhdon të bindësh veten: “Ka thellësi…, thjesht ka frikë.” “Ka vuajtur shumë…” “Kur hapet, është e/i mrekullueshëm…”
Dhe kështu nuk lidhesh me njeriun që ke përballë, por me idenë e saj/tij. Me një premtim të pashprehur. Me një version që mund të ekzistojë një ditë.
Psikoterapia të përball shpesh me një të vërtetë të vështirë: nuk lëndohemi vetëm nga ajo që na bëjnë të tjerët, por edhe nga historitë që krijojmë vetë për ta.
Sepse disa njerëz nuk na tradhtuan kurrë realisht. Ata na treguan që në fillim se kush ishin. Ne thjesht ishim shumë të etur për dashuri që ta pranonim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

