Në fokus

September 28, 2016 | 8:42

Kur engjëjt zbresin në Tokë

Ata janë dy, edhe pse në figuracion emëror, posteri reklamues shënon emrin e vetëm të një piktori, Klajdi Arapi. I udhëhequr nga një muzë frymëzimi e kahershme, një model orientimi i bazuar dhe i ndjekur në çdo hap të jetës, më shumë se sa një premtim i mbajtur, ai ndihet shumë pranë tij dhe krenar për atë që trashëgoi si vlerën më të çmuar të jetës, genet e babait të tij.

Po të ishte gjallë ati i tij, piktori i njohur elbasanas, Shpëtim Arapi, do të ndihej tepër krenar për të birin. Por pavarësisht fatit që sjell jeta, biri i tij e bëri zgjedhjen, duke e dashur pranë atin e tij, edhe pse jo fizikisht, në ekspozitën e parë vetjake, pjesë e një rrugëtimi tashmë të pandarë shpirtëror me të. Në fund të fundit, Klajdi është gjithçka kish dashur një baba të shihte tek i biri. Jo pa qëllim kryefjala e kësaj ekspozite e lidh shpirtërisht me një engjëll, që ai beson se e ndjen edhe në frymëmarrjen e tij.

1

Intervista:

 Klajdi, kjo është ekspozita juaj e parë. Pas sa vitesh përvojë studimore, por edhe pune vini me një ekspozitë tuajën?

Duke llogaritur periudhën e shkollimit, nga liceu artistik “Onufri” në Elbasan dhe Akademinë e Arteve të Bukura në Foggia, në Itali, si dhe specializimin në teknika pikture në të njëjtën akademi bëhen 10 vite studim dhe një përvojë profesionale prej 15 vitesh.

 Kujt ia dedikoni ekspozitën?

Që nga titulli i dedikohet babait tim, sepse nuk arrita që të bënim një ekspozitë bashkë dhe këtë ëndërr e realizova tani nën titullin e duhur, “Engjëjt”.

1

 Ju jeni biri i një piktori të njohur, që tashmë nuk jeton më. Sa mirënjohës i jeni genit të trashëguar prej tij?

Mirënjohja është e lidhur në një formë komunikimi shpirtëror, sepse unë sa herë pikturoj, më duket sikur e kam pranë.

1

 Sa kohë ju është dashur të sillni 20 punimet tuaja plus 4 të babait?

Duke qenë se jam i lidhur me një galeri arti në Itali dhe kam shansin që çdo punim timin e merr ajo, e pata të vështirë që ta bllokoja këtë marrëveshje për të arritur realizimin e kësaj ekspozite. M’u deshën gati 4-5 muaj kohë.

 Sa ju ka ndihmuar piktura të “shpëtoni” nga ngarkesat e jetës?

Shumë, sepse kur pikturoj futem në një botë të bukur, plot ngjyra. Për mua është një shtëpi e dytë, ku hyrjen e di vetëm unë.

1

 Ju prireni drejt larmisë së ngjyrave. Janë ato frymëzim, motivim?

Ngjyra është pjesa më e bukur në pikturë. Çdo gjë që një artist e sheh, në syrin e tij përkthehet në emocion, impresion.

1

 Të krijosh do të thotë të “përjetosh” ka thënë piktori Fatmir Haxhiu. Si vjen për ju kjo ndjesi?

Pikturat e mia shprehin një botë ëndrrash, ku protagonistët kryesorë janë fëmijët, që unë dhe shumë nga ne i cilësojmë si engjëjt në tokë. Një element tjetër që unë përdor tejmase janë edhe kafshët, diku të transformuara në lodra, të cilat të transportojnë në botën fëminore, ndjesi kjo që të bën të përjetosh botën e tyre.

 Cilët janë piktorët e preferuar?

Babai është i preferuari im, sepse ato piktura të varura në muret e shtëpisë, më kanë shtyrë të vazhdoj rrugëtimin që ai la në mes.

 Cila është muza juaj?

Fëmijët janë të pastër, të padjallëzuar. Janë engjëj.

1

 Si do të vijojë udhëtimi i kësaj ekspozite?

Kjo ekspozitë pasohet me dy të tjera, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Suedi.

1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top