Lifestyle

July 9, 2016 | 12:37

Kur nata sugjeron “prapësi”

Mariana, 22 vjeç, e diplomuar për shkenca komunikimi, i ka provuar të gjitha. Maratonat nëpër pub-e, koncertet deri në agim, kinematë e natës nga darka deri në të gdhirë duke parë filma të njëpasnjëshëm… dhe nuk është penduar kurrë: “Gjumi? Kohë e shpërdoruar”, këmbëngul. “Më vjen keq për këdo që humb pak kohë nga jeta. Ka kaq shumë gjëra për të parë, për t’u pushtuar, për t’u njohur!”. Çështje e dritës verore, bioritme (pjesërisht është kështu) ose motivime të thella? Çështje mode apo kërkim autenticiteti? Pak nga të gjitha gjërat. “Nata është si një veshje e re, një veshje në masën e duhur që të mbështjell dhe e rehatshme. Nata është si një kompensim ndaj detyrave, ndoshta të tepruara të ditës”, thotë Renato Vignati, psikolog e psikoterapeut, “por aspekti më interesant është çrregullimi i ritmit, dëshira për të ndryshuar zakone dhe për të hequr maskat. Gjithnjë e më shumë nata bëhet shprehje e autenticitetit, në momentin kur zbulohemi, biem dakord për atë që jemi dhe atë që shprehim”. “Përditshmëria dhe rutina, zakoni dhe kontrolli”, shton Cinzia D’Amico, psikologe në Romë. “Ditën ndihemi të vëzhguar, të vlerësuar, të gjykuar. Përkundrazi nata ka tërheqjen e misterit, sugjeron prapësi dhe relaks, jep kohë dhe ndihmon në shkarkimin e stresit”. Duke manifestuar dëshirat e pashprehura. Shtysa për të jetuar kur të tjerët flenë mund të jetë edhe një dëshirë për të refuzuar ndrydhjen. Kjo nevojë bën bashkë njerëz që përndryshe nuk do të ishin takuar kurrë: “Në një disko në plazh kam pasur një prej përvojave të mia më emocionuese”, tregon Imelda, 29 vjeç. “Isha me pushime, po kthehesha nga diskoteka në hotel së bashku me një shoqen time, kur dëgjojmë tingujt e një pianoje. Ndaluam të magjepsura. Ishte ora 5 e mëngjesit dhe ishte një koncert në plazh. U kthyem. Aty u njohëm me një grup të rinjsh që kishin ardhur nga jashtë dhe tani janë miqtë e mi, komunikojmë shpesh me e-mail. Qysh atëherë kërkoj gjithnjë raste për të ndenjur zgjuar deri në agim. Më duket sikur e kuptoj më mirë botën”. Duhet shumë energji, por ka që nuk e ndjejnë lodhjen, përkundrazi e vuajnë fundin e argëtimit “Hiperaktiviteti shpesh fsheh një mekanizëm të arratisjes, një frikë nga boshllëku. Kur dita mbaron mbërrin bërja e llogarive. Dhe ndoshta duam të ndalojmë sa më shumë të jetë e mundur takimin me veten”, thotë Francesca Santarelli, psikologe klinike e psikoterapeute në Milano. “Qysh të vegjël jemi edukuar të mbushim kohën: nuk jemi përshtatur me plogështinë. Pra nata është një zgjerim i përsosur i hapësirës, me mundësitë e saj aspektin romantik, kundërvajtës dhe sensual. Të shkosh përtej limiteve është edhe dëshira për të sfiduar limitet fizike, së paku për të ndërtuar epikën tonë të vogël personale. Jemi më të hapur ndaj përvojave të cilat ditën do t’i refuzonim… Nata rrallëherë u përket vetmitarëve. “Në grup individi zhvishet, përtej maskës së tij, nga përgjegjësitë e tij. Tribuja është siguruese. Zgjidhet bashkarisht një lokal, pihet, përballen përvojat, flirtohet. Është edhe një komponent mbështetjeje reciproke, sidomos tek të rinjtë. Gjithsecilit i kërkohet të zgjerojë hapësirat e lirisë (ndoshta pak si shumë): ja një mënyrë për t’u gjallëruar. “Natën më pëlqen zhdërvjelltësia. Asnjë rregull, asnjë ceremoni. Nata është demokratike, të rikthen çfarë ke humbur gjatë ditës dhe gjithçka duket më natyrale: seksi, loja në plazh, qoftë edhe dehja. Mëkat që është kaq e shkurtër”… E pastaj ka nga ata që filozofojnë, duke i parë si minuta të çmuara përvoje si në poezinë e Rilkes: “Natën e kaltër vështroj / në dëborën e luleve të majit / dhe botët dhe pafundësitë ndjej të treten/ me një copëz përjetësi që në gjoks e mbaj”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top