Posta

July 10, 2016 | 6:00

Punët e shumta më pengojnë të jetoj e lumtur

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Jam një grua e re, nënë dhe e punësuar. Për jetën time mund të them se jam e kënaqur, megjithatë ndiej një peshë të madhe për sa i përket faktit që nuk kam kohë t’i dedikohem vetes. A është e mundur të rris dhe të zhvilloj mundësitë e mia nëse jam vazhdimisht e mbytur nga punët e përditshme? Një vrap i vazhdueshëm nga shtëpia në punë, te burri, te vajza.

Përgjigjie: Shumë prej nesh kanë tendencën që të bëjnë çdo gjë dhe mbi të gjitha të mos kërkojnë ndihmë ose ndoshta dhe të mos i bëjnë fare sepse, ndoshta mund të jenë aktivitete të parëndësishme. Nuk ka asnjë gjë më të rëndësishme sesa VETJA juaj. Mbajeni mend këtë sepse është e vetmja gjë që do t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës. Lumturia është një proces i ndarë në çaste të bukura që njeriu kalon, dhe nuk është një situatë që vazhdon gjithë kohës, pa ndalesë. Mënyra se si ne e perceptojmë jetën tonë dhe se si qasemi tek ajo, na bën të kuptojmë të përgjithshmen e jetës sonë. A keni një jetë të lumtur? Ndoshta shpesh ju kap ankthi sepse nuk keni përgjigjen pozitive të parën. Kështu mendojnë pjesa më e madhe e jona. Ju keni bërë zgjedhje në jetë të cilat e kanë mbushur kohën tuaj dhe kontributi që ju jepni është i pazëvendësueshëm. Provoni t’i shikoni ato si gjëra mjaft të rëndësishme. Gjithashtu bëni një listë dhe vendosni aty të gjitha aktivitetet që bëni. Nëse koha që shpenzoni për veten është më e pakët se koha që i dedikoni të tjerëve, atëherë duhet të ndërmerrni disa rezoluta të thjeshta me veten. Për veten: Filloni me një pasdite vetëm me mikeshat, një ditë javë që është vetëm për ju. Vendosni 2 ditë në muaj të merreni me aspektin estetik të vetes suaj, një masazh nuk do të ishte ide e keqe. Gjeni një mundësi gjatë ditës, të paktën një orë, ku ju të kaloni kohë me veten, lexoni diçka që ju pëlqen, dëgjoni një koncert, muzikë etj. Mos harroni të krijoni mundësi gjatë ditës që të qeshni, ndoshta edhe me lot: një film komik, një mikeshë apo mik që ju bën për të qeshur ose me bashkëshortin. Me këtë të fundit meritoni të kaloni disa orë në fundjavë, vetëm për vetëm, në një darkë jashtë, ndoshta edhe vetëm një shëtitje. Fëmijën ka gjithmonë zgjidhje që të ta mbajë dikush, qoftë edhe me pagesë. Mos harroni të blini një gjë të bukur për veten, nëse ju pëlqejnë dhuratat, kërkojani bashkëshortit dhe tregojini se sa e vlerëson nëse merr dhurata dhe surpriza prej tij. Nëse nuk komunikoni asnjëherë të tjerët nuk mund t’i dinë pritshmëritë tuaja. Duket si një jetë shumë e organizuar në letër. Mos u shqetësoni, nuk është një listë që ta ndiqni me përpikëri, por është një stil jete që kërkon kohën e vet të përshtatjes dhe mbi të gjitha vullnet të mirë. Filloni me gjëra të thjeshta, mos e shihni si detyrim, por si dëshirë për të argëtuar veten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top