Marrëdhëniet e varura emocionale shpesh nisin nën petkun e një dashurie të madhe, por gradualisht shndërrohen në një terren ku individi humbet prioritetet, kujdesin ndaj vetes dhe përgjegjësinë personale. Ky proces nuk ngjan me një film romantik, por një drame apo skenari të përsëritur automatikisht, ku partnerët luajnë role destruktive pa vullnetin e tyre të vetëdijshëm.

Kur dashuria ndaj tjetrit tejkalon dashurinë për veten, fillon një cikël përsëritës dhe i dëmshëm. Ky fenomen mund të krahasohet me një zbritje në “Ferrin e Dantes”, një humnerë emocionale që, megjithatë, mbart brenda vetes potencialin për një katarsis (çlirim dhe pastrim shpirtëror).
1.Humbja e zërit dhe e identitetit – Në një marrëdhënie të varur, individi tenton të ulë “volumin” e dëshirave dhe mendimeve të veta për të dëgjuar dhe plotësuar vetëm tjetrin. Ky dominim akustik dhe emocional sjell pasoja afatgjata:
Humbja e gjuhës vetjake: Ndodh një tjetërsim aq i madh sa individi e ka të vështirë të artikulojë apo të kuptojë mendimet e veta.
Somatizimi i dhimbjes: Kur mendja dhe zëri heshtin, trupi fillon të “bërtasë”. Pafuqia dhe mungesa e kufijve përkthehen në simptoma fizike, si shtrëngim në fyt, dhimbje gjoksi dhe migrenë konstante.
2.Tradhtia ndaj intuitës dhe depersonalizomi – Për të ruajtur lidhjen me tjetrin, individi shpesh injoron instinktet e veta. Ky dorëzim i busullës së brendshme sjell një gjendje konfuzioni të thellë:
Vetëgënjimi: Ndjekja e verbër e partnerit, duke ditur në nivel nënndërgjegjesh se po merret rruga e gabuar, përbën një tradhti ndaj vetes.
Ankthi dhe depersonalizimi: Mohimi i vazhdueshëm i realitetit dhe fshehja e vlerave vetjake çojnë në humbjen e plotë të sensit të identitetit (harrohet se kush është dhe ku po shkon).
3.Empatia e pakufizuar si armë vetëshkatërruese – Dhembshuria dhe empatia janë virtyte, por pa kufij të qartë ato kthehen në mjete vetëflijimi. Në marrëdhëniet toksike, individi përjeton dhimbjen e tjetrit duke harruar të tijën dhe përpiqet të justifikojë çdo veprim të partnerit.
Parimi bazë: Një person nuk përcaktohet vetëm nga traumat apo ngjarjet që i ndodhin, por mbi të gjitha nga mënyra se si zgjedh të veprojë në jetë.
Kur empatia keqpërdoret, zëri i brendshëm shndërrohet në një kritik mizor. Në këtë pikë, armiku më i madh nuk është partneri, por vetë individi para pasqyrës, i cili lufton kundër vetes dhe toleron cenimin e dinjitetit të tij.
Katarsisi, rruga drejt vetëvlerësimit dhe qetësisë
Dalja nga ky cikël kërkon një vendim të prerë: përzgjedhjen e vetes mbi tjetrin. Ky ndryshim nuk vjen nga pozita e viktimës apo e fajësimit, por nga një pranim i dhembshur i gabimeve të kaluara. Mungesa e dashurisë për veten dhe frika për të lënë të ikë diçka që lëndon, pranohen si pjesë e procesit të rritjes.
Rigjallërimi pas “vdekjes” emocionale
Gjatë shkëputjes nga varësia, disa pjesë të vjetra të personalitetit shuhen për t’iu dhënë mundësi formave të reja të ekzistencës. Përballja me frikën më të madhe — asaj të të jetuarit pa tjetrin — bëhet zanafilla e rilindjes emocionale. Dashuria për veten fillon të manifestohet gradualisht, duke sjellë një ndjesi paqeje dhe qetësie. Pavarësisht humbjeve përgjatë këtij rrugëtimi të vështirë, fitohet një angazhim i palëkundur: vendosmëria për të mos e braktisur më kurrë veten, madje edhe në momentet më të errëta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

