Në fokus

January 13, 2018 | 17:09

Lamtumirë Rexhep Çeliku! Nderohet valltari fluturues

 

Nga Vjola Çullhaj / OraNews

Mes lotëve dhe duartrokitjeve të lamtumirës është përcjellë për në banesën e fundit “Nderi i Kombit” Rexhep Çeliku.

Në homazhe morën pjesë personalitete të shumtë nga bota e artit dhe politikës. Presidenti Meta, i cili 5 ditë më parë nderoi artistin me urdhrin “Nderi i Kombit”, nënvizoi se arti shqiptar humbi një njeri të hekurt.

Meta: Luftoi me një sëmundje të poshtër të cilin ai e mundi kur dy muaj më parë hipi në skenë me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit. Ky njeri kishte tre vjet që luftoi me sëmundjen. Aty e mundi sëmundjen në emër të dashurisë për vendin dhe artin. Ai do të jetë burim frymëzimi për artistët tanë më të rinj sepse skena jonë do ta ndjejë gjatë mungesën e tij.

Lili Cingu, e cila ishte partnerja e tij në art, teksa kaloi pranë trupit nderoi dhe përshëndeti mjeshtrin si për të kumtuar një mesazh të fundit se nga kjo ditë ai do të jetë bashkë me të.

Cingu: Ai çdo moment ishte një histori për skenën tonë sepse ai më të vërtetë ishte legjenda e valles shqiptare. Një shqiponjë që fluturonte në skenë, fluturonte në publik, fluturonte kudo ku ai shkelte. Edhe gurët e sokakut që thonë sot po qajnë për Rexhep Çelikun. Por jo, krahu do të hapet dhe unë do të them gjithmonë: Rexhep të kam në krah dhe po kërcejmë akoma vallen e bukur të shqipeve.

Për herë të fundit Çeliku u nderua dhe nga sopranoja me famë botërore Inva Mula e cila ngriti lartë artin e tij.

Mula: Unë kam punuar disa vite në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe ne ishim ngjitur, studiot tona ishin ngjitur me studiot e Ansamblit dhe unë e adhuroja. Shkoja dhe e shikoja Rexhepin dhe thoja: si ka mundësi, një valltar fluturues që mund të na impresionojë me artin e tij të mrekullueshëm.

Ylber Asllani, Drejtor Artistik i Ansamblit Shota nga Kosova e quajti një simbol të valleve shqipe njeriun që me artin bashkoi kombin, duke interpretuar valle nga çdo trevë shqiptare.

***

Rexhep Çeliku, lindi me 19 korrik 1954 në Tiranë teksa në moshën 14-vjeçare, Çeliku u bë solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore duke u bërë kështu njëherazi dhe solisti i parë i tij. Në repertorin e tij artistik numëron rreth 8 mijë shfaqje dhe mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit, ndërsa do të mbahet mend jo vetëm si valltari fluturues por dhe për vallen e shqipeve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top