Pika referimi

January 14, 2018 | 16:39

Nga Leonard Veizi: Punonjësit e administratës dhe gaztorët e një mbreti të vdekur

(Pas premierës së shfaqjes “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” shkruar nga Ferdinand Hysi)

Leonard Veizi, gazetar, shkrimtar

Leonard Veizi, gazetar, shkrimtar

Një shoqëri, jo rrallë bie në krizë. Ndërsa mundësia që vetë kriza të shoqërohet dhe më një luftë frontale apo demonstrim armësh nukleare, është ulur në kufijtë më minimalë të saj. Shoqëria shqiptare padyshim nuk mund të bëjë përjashtim nga ky tërmet global, në mos po vetë kriza është shtruar këmbëkryq mbi territorin shtetëror të saj e nuk ka ndër mend të ngrihet. Ndërsa institucionet propagandojnë mbajtjen nën kontroll të problematikës, arti e pasqyron atë sipas një këndvështrimi të lëvizshëm, herë me tone dramatike e herë si satirë a grotesk.

Në garën e fortë të nihilizmit, atëherë kur vet mosbesimi është kthyer në modë, dukesh fals a ndoshta fare idiot nëse thua dy fjalë që mendon se duhet t’i japin fund vetë inatit të verbër dhe sharjes vençe që i bëjmë njëri-tjetrit, sidomos kur luajmë në të njëjtën fushë e për më tepër me të njëjtat mjete. Në fakt, thelbi i shprehjes është pak më racional nga sa mund ta imagjinosh në mënyrë filozofike ose fare absurde: mjaft me këto marrëzira!

Për dramën shqipe e kam fjalën. Dhe kur them dramën nënkuptoj dhe komedinë. Por nuk kam ndër mend të bëj ndonjë autopsi të saj, se edhe nëse e shkruaj, nuk ka njeri nge e kohë ta lexojë. Jetojmë epokën e break news. Gjërat ose duhen thënë shkurt ose duhen pasqyruar me imazhe.

Gjithsesi do të shkruaj pak reshta nisur nga një fakt konkret: vënien në skenë nga regjisorja Elma Doresi të një komedie-satirë shkruar nga Ferdinand Hysi “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”.

Edhe sot vazhdon të vihet në dyshim qenësia e dramës shqipe, e për më tepër ngjitja e saj në skenën e Teatrit Kombëtar. Por kjo duket si një temë e tejkaluar prej kohësh. Ferdinand Hysi, një prej dramaturgëve tanë më të mirë, na e tregoi këtë jo me ndonjë kumtesë hulumtuese, por me një shfaqje, premiera e të cilës përkoi me të shtunën e 13 janarit 2018. Mora si shembull Ferdinand Hysnin pasi në harkun kohor të tre muajve, dy pjesë të tij janë ngjitur në skenë, që do të thotë se drama shqipe vazhdon traditën e saj, madje të suksesshme. Por në këtë vorbull vërtiten dhe dramaturgë të tjerë si Bashkim Hoxha, Stefan Çapaliku e Bashkim Kozeli, të cilët nuk e kanë lënë bosh hapësirën e krijuar padrejtësisht nga amatoristët që ishin gati të shkruanin  mes dy godinave atje ku sot qëndron sentenca “#ejanëteatër#” shprehjen tjetër më konfuze  “#shtetitnëtranzicion#”.

Vetë regjisorja e shfaqjes Elma Doresi, veç një Shekspiri me sukses të garantuar si “Zbutja e Kryeneçes”, apo “14 vjeç dhëndër” të Çajupit, ka ngjitur në skenë komedi shqipe, të zbuluarën nga pluhuri i harresës si: “Nusja në thes” shkruar prej Hekuran Zhitit, pa përmendur këtu dhe bashkëpunimin tjetër të saj po me Ferdinand Hysnin, “Tri mendje në ankand” e cila u shoqërua edhe me çmime nga pas.

Pra kemi dramë shqipe. Edhe komedi natyrisht.

Maratona drejt veprave të huaja, herë me dy aktorë e herë me tre, skenografi të sajuar nga materialet e rekuizitës dhe kostume të marra borxh ka kaluar me kohë. Teatri dhe vetë skena e tij është po aq dinjitoz sa dhe 35 vite më parë kur mendohej se kishte kapur majat. Por spektatori shqiptar kërkon edhe një ngjarje me mendësi shqipçe, ku “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” vjen si një apel mbi problematikën që ndeshet rëndom në administratën shtetërore, korrupsionin dhe matrapazllëqet e vogla, të cilat ngadalësojnë procesin e shtetit si një makineri universale me ingranazhe të dalë nga boshti.

Pra, jemi në ditët ku drama shqipe duket se e ka gjetur hapësirën e duhur dhe jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por dhe në atë Eksperimental, të Metropolit, tek “Aleksandër Moisiu” në Durrës e “Andon  Zako Çajupi“  në Korçë,  “Petro Marko“ në Vlorë e “Migjeni’  në Shkodër.

Mendimin tim për komedinë me satirën e hollë shkruar nga Ferdinand Hysi “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” do ta përmbledh me fjalët e personazhit Çesk, i cili duke iu drejtuar publikut thotë se ata, nëpunës të shtetit me kostum e kravata, në fakt janë kthyer në gaztorë të mbretit. Një drejtor vdes, një tjetër i zë vendin. “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”. Nëpunësit janë gjithmonë me atë që merr frenat në duar, pasi kanë qarë atë që u ka marrë shpirtin. Por mbijetesa… U duhet të ruajnë vendin e punës, duke u treguar të zellshëm, që nga transmetimi i informacionit paraprak deri te dhënia e trupit ku drejtori mund të relaksohet. Dhe si gjithmonë, ligjin e bën një më lart se të gjithë këta, ai që ka para sa mund të blejë gjithçka.

Dhe për më tej shfaqja merr vlerat e vërteta nga loja e mrekullueshme e aktorëve: Rajmonda Bulku, Gladiola Harizaj, Dritan Boriçi, Klod Hoxha, Klea Huta e Devis Muka, ku padyshim kanë shkëlqyer me protagonizmin e tyre Sokol Angjeli e Bujar Asqeriu.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top