Mirëqenie

October 21, 2016 | 8:24

Larg familjes… ankthi i të jetuarit vetëm

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Studimet ndërdisiplinore, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore kanë argumentuar se emigrimi është një dukuri me rrjedhoja të shumanshme, zhvilluese, frenuese e shpesh kontradiktore në të gjitha fushat e veprimtarisë sociale, ekonomike, politike e psiko-kulturore në rrafsh botëror, veçanërisht në vendet që janë më të ekspozuara ndaj flukseve më intensive të prirjes për lëvizje të emigrantëve. Fluksi i emigrimit të shqiptarëve ka qenë i tillë, saqë Shqipëria sot renditet në një nga vendet me koeficient më të lartë emigrimi për frymë të popullsisë. Aktualisht, strukturat statistikore nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e emigrantëve shqiptarë, të cilët punojnë në vende të tjera të Europës ose më gjerë, për arsye të ikje-kthimeve të shpeshta, përgjithësisht të pakontrolluara, ose më saktë ilegale. Përvoja tregon se emigrantët luajnë rol të rëndësishëm në ecurinë e gjithë veprimtarisë së vendit tonë, në dinamikën e marrëdhënieve politike, ekonomike e kulturore të Shqipërisë me vendet ku ata kanë emigruar etj,.

Me dëshirën për t’u rregulluar përgjithnjë, shumë emigrantë janë stabilizuar me familjet e tyre ose kanë dëshirë dhe bëjnë shumë përpjekje për t’i tërhequr familjet, sepse ndjejnë një boshllëk që askush nuk ia mbush, as puna, as paraja, as luksi. Malli, dashuria dhe tradita nuk harrohet lehtë nga një shqiptar. Shumë shqiptarë zgjedhin të jetojnë jashtë kufijve. Kryesisht priren për të shkuar në vende me zhvillim të lartë ekonomik, ku i mundësohet jetesë më e mirë, standarde më të larta, paga të larta si dhe shkolla më të kualifikuara. Të gjitha këto, përveç avantazheve të sipërpërmendura, mbartin në vetvete edhe një risk që rëndon pozitën e tyre emocionale. Grupmoshat që largohen janë të ndryshme, duke filluar nga studentët, mosha më e re, të cilët i drejtohen kryeqyteteve europiane dhe jo vetëm për të kryer studime të larta, duke lënë pas copëzat e jetës ku përfshihet pikë së pari familja, mjedisi social dhe shoqëria. E gjithë kjo nuk është e lehtë, megjithëse duan të vazhdojnë përpara, paçka emocioneve dhe frikës së vetmisë. Kategori të tjera që priren të largohen janë personat me moshë të re që shkojnë për të punuar, për të siguruar disa të ardhura me shumë mund e për t’u rikthyer sërish në atdhe. Edhe familjet e reja që riskojnë, e rifillojnë jetën larg Shqipërisë për të përmbushur nevojat familjare e sidomos atyre të fëmijëve.

Siç dihet, fillimi nuk është asnjëherë i lehtë për asnjë e sidomos në një vend të huaj. Shenja e parë me të cilën përballen këta persona është frika se si do ia dalin dhe pasiguria. Pasi kalon faza e parë, fillojnë të ndihen paksa të zhgënjyer, pasi jo çdo gjë del ashtu siç ishte paramenduar. Më pas edhe mund të lodhen. Disa kërkojnë të kthehen, disa të tjerëve nuk u bën fare përshtypje kjo gjë. Ka edhe nga ata që nuk ndalen para asgjëje. Të gjitha këto janë çështje individuale, në varësi të reagimeve dhe rasteve konkrete me të cilat përballen.

Normalisht, në fund të çdo tuneli ekziston gjithmonë drita, e cila lidhet në rastin konkret me optimizmin dhe lumturinë e tyre. Pas shumë përpjekjeve dhe mundimeve normale, dhe pas shumë ulje-ngritjesh mes peripecish, konkludojnë në arritjen e suksesit përsa i përket objektivave të tyre.

Problemi më i madh për çdo person që vendos të jetojë jashtë Shqipërisë është malli, malli për çfarëdo dhe për këdo. E rëndësishme është të jetë shqiptar. Fatmirësisht, falë arritjes së liberalizimit të vizave dhe zhvillimit të madh të teknologjisë edhe ky problem thuajse po reduktohet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top