Këshilla & Arsye

October 17, 2017 | 12:16

Larja e duarve, mbron nga sëmundjet

1Të bërit zakon i larjes së duarve është mjaft domethënës për nxënësit e shkollave. Shkollat janë një mjedis shumë efektiv për të mësuar dhe më pas praktikuar këtë zakon. Por që të ndodhë një gjë e tillë, nxënësve duhet t’u krijohen kushte, të tilla si vende për larjen e duarve dhe tualete të mira, përfshirë këtu sapunin dhe ujin e bollshëm.

Larja e duarve është mënyra e vetme, më e thjeshtë, më e mirë, më e dobishme, më efektive dhe më ekonomike për parandalimin e përhapjes së baktereve dhe viruseve që mund të shkaktojnë sëmundje dhe vdekje që vijnë prej duarve të palara. Mikrobet janë kudo. Ato mund të përhapen lehtë nga një vend në një tjetër nëpërmjet ujit, objekteve, gjallesave dhe grimcave të pluhurit.

Gjatë ditës, duart tona janë në kontakt me shumë objekte, të tilla si aparatet telefonike, kartëmonedhat, mjetet e transportit, dorezat e dyerve etj, mbi të cilat janë të fshehura miliona mikroorganizma, disa prej të cilave kanë aftësi patogjene. Gjithashtu, këto mikrobe mund të hyjnë në trup kur duart i çojmë në hundë, gojë, sy, edhe pse janë të padallueshme me sy të lirë për njeriun. Për më tepër, disa baktere kanë shfaqur një rezistencë të fortë ndaj antibiotikëve, prandaj është i rëndësishëm parandalimi i infeksionit, duke i larë duart tuaja tërësisht, veçanërisht për personat me një sistem të dobësuar imunitar (një ftohje banale mund të komplikohet në një bronkit kronik).

Është mjaft e rëndësishme që gjithkush ta kthejë në zakon larjen e duarve, në dukje një veprim shumë i thjeshtë, por që shpesh nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Shumë shpërthime sëmundjesh me origjinë nga ushqimet shkaktohen nga duart e palara. Prania e baktereve dhe viruseve që ndodhen në duart tona mund të shkaktojë grip, sëmundje pulmonare, hepatitin e formës A dhe shumë forma të diarreve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top