Marrëdhënie

January 23, 2018 | 10:24

Lediona Braho: Pse njerëzit bëhen xhelozë?

Xhelozia aktivizon disa zona të trurit, përgjegjëse për lidhjen emocionale dhe dhimbjen sociale, si dhe rrit nivelin e testosteronit dhe kortizolit në gjak.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Një studim i ri, i bërë me majmunë monogamë, hedh dritë mbi xhelozinë te njerëzit. Vetëm 4 për qind e gjitarëve janë monogamë. Këto kafshë krijojnë lidhje në çift me një të rritur gjatë fazës së atashimit. Disa lloje majmunësh (Coppery titi) njihen për sjelljet e tyre të ngjashme me xhelozinë te njerëzit. Për shembull, meshkujt irritohen kur ndahen nga partnerja dhe e pengojnë atë nëse ajo do të ndërveprojë me një mashkull tjetër, ose nëse një mashkull tjetër i afrohet drejt saj. Ky reagim psikofiziologjik i bën këta majmunë objekt interesant studimi për të studiuar monogaminë dhe xhelozinë.

xhelozia

Studiuesit gjetën se reagimi i “xhelozisë” te meshkujt shoqërohej me një shtim të aktivitetit në zonat përgjegjëse për dhimbjen sociale dhe lidhjen emocionale. Meshkujt pësonin edhe një rritje të niveleve të testosteronit dhe përqendrimit të kortizolit në gjak. Testosteroni lidhet me agresivitetin tek meshkujt, ndërsa kortizoli është hormoni i stresit.

Autorja e studimit, Karne Bales nga një qendër kërkimore në Kaliforni tha se: “Të kuptuarit e neurobiologjisë dhe evolucionit të emocioneve mund të na ndihmojnë të kuptojmë emocionet tona dhe pasojat që ato kanë. Xhelozia është interesante për shkak të rolit që ajo luan në marrëdhëniet romantike, por edhe te dhuna në familje”.

Studiuesit kanë nevojë të kuptojnë më mirë neurobiologjinë e xhelozisë tek kafshët, për të kuptuar më shumë mbi sjelljet dhe marrëdhëniet njerëzore. Nëse mësojmë më shumë për bazat nervore dhe biologjike të çiftimit tek primatët jonjerëzorë kjo do të na ndihmojë të përparojmë drejt kuptimit të monogamisë tek njerëzit.

Referenca: Nicole Maninger, Sally P. Mendoza, Donald R. Williams, William A. Mason, Simon R. Cherry, Douglas J. Rowland, Thomas Schaefer, Karen L. Bales. “Imaging, Behavior and Endocrine Analysis of “Jealousy” in a Monogamous Primate” Frontiers in Ecology and Evolution. (Published online: October 19, 2017) DOI: 10.3389/fevo.2017.00119

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top