Marrëdhënie

November 8, 2017 | 15:23

Letra e një nëne, këshilla për mëmësinë në hapat e para

Nga Jori Vila

Jori Vila me vajzën e saj Zhaklin

Jori Vila me vajzën e saj Zhaklin

Kjo është një nga fotot e mia të preferuara. E shikoj dhe ndjesia që më jep, sidomos duke parë fytyrën e rehatuar të Zhaklin, është ndjesi e ngrohtë përmallimi. Por, kujtoj që realisht nuk e përjetova dot një ndjesi të tillë në ditët tona të para bashkë. Isha e mpirë nga pagjumësia dhe në alert konstant, sepse nuk e dija çfarë po bëja dhe cila ishte mënyra më e mirë për t’i bërë gjërat. Ajo që më mundonte më shumë nuk ishte lodhja, ishte mungesa e ndjesive të ngrohta. Mpirja konstante e ndjenjave ishte më sfilitëse se lodhja fizike.

Duke u munduar të bëja më të mirën, zgjodha që çdo gjë për Zhaklin duhet ta bëja vetë. Zgjodha ta ushqej me gji dhe kishte ditë kur Zhaklin kërkonte të pinte, duke filluar nga ora 6 e pasdites deri në 3 të mëngjesit me shkëputje të vogla 15 minutëshe dhe maksimumi që mund të flinte ishte vetëm 1.30-2 orë. Ushqimi me formula më trembte dhe sado e lodhur që ndjehesha, u ndjeva e lumtur kur tentativat e Vinit për ta ushqyer me formulë (sepse donte të ndjehej i sigurt për sasinë që ajo fuste në stomak duke e parë me sytë e tij) dështuan. Zgjodha ta ndërroj vetë, sepse të tjerët më dukeshin të pakujdesshëm, megjithëse mesi më dhembte për muaj të tërë dhe e kisha të vështirë të drejtohesha pasi isha përkulur. Zgjodha ta mbaj në krahë sa herë të qante dhe i mësova zakonin e keq që të ndjehej mirë vetëm në lëvizje, sepse nëse ulesha me të në krahë, fillonte alarmi. Por unë nuk doja të rrisja një fëmijë të frustruar, prandaj e lashë të më drejtonte dhe nuk e drejtova. Nuk e di nëse ky është prindërim i mirë, megjithëse jam e bindur që një prindërim të mirë e bën sasia e dashurisë dhe përkujdesjes që ti jep. Isha e bindur që një bebe nuk mund të llastohet, sepse ajo nuk di të manipulojë, thjesht ka nevoja dhe ti je aty për t’ia realizuar.

Nuk jam penduar për gjithë këto. E vetmja gjë për të cilën jam penduar, është që nuk pranova ndihmë, sepse kjo solli që të mos arrija ta shijoj si duhet mëmësinë në muajt e parë, duke qenë në mënyrë konstante e mpirë nga lodhja dhe deri diku veprimet e mia ishin mekanike. Bonding (lidhja e ndjenjave me bebin) u desh shumë kohë që të krijohej.

Dua ta ndaj këtë eksperiencë, jo sepse më duket e veçantë, apo sepse mendoj se vetëm unë i kam përjetuar këto, por sepse para se unë të bëhesha mami, nuk e dija që mund të ndodhte ndjesia e mpirjes dhe prisja në çdo moment të më shpërthenin ndjenjat e “fuqishme dhe të patjetërsueshme të mëmësisë dhe dashurisë”, por nuk erdhën shumë kohë, jo sepse isha e paaftë t’i ndjeja, por sepse lodhja ishte më e fortë se këto ndjesi. Prandaj, kur të bëheni nëna, kini parasysh disa gjëra që ndoshta nuk do ua thotë askush ose do jeni të bindura që do ia dilni vetë dhe nuk do pranoni t’i kuptoni ata që po ua thonë, apo ato që me siguri i keni lexuar diku:

Kërkoni ndihmë gjatë orëve të natës dhe gjeni mënyrë që ta bëni zgjimin e natës me radhë. Nuk është e thënë që të përdorni formulë, mund të pomponi gjirin tuaj dhe ta lini për natën. Ose mund të zgjidhni një kombinim formulë-gji, ku formulën e përdorni vetëm për orët e natës.

Flini kur fëmija fle dhe kërkoni ndihmë që t’ju gatuajnë. Punët e shtëpisë është koha për t’i neglizhuar.

Lërini disa gjëra t’i bëjnë të tjerët (ndërrimin, vënien në gjumë etj). Lëreni fëmijët të mësohet dhe me një trup tjetër që nuk është i juaji. Në mënyrë që të mos ju kërkoj vetëm ju, por të ndjehet rehat edhe te krahët e babit apo gjyshërve.

Lëvizni dhe ecni sa më shumë, është e vetmja mënyrë që të rimerrni kontrollin e trupit tuaj.

Kërkoni ndihmë profesionale nëse keni dhe dyshimin më të vogël që po vuani nga depresioni postpartum.

Flisni për ndjesitë tuaja me partnerin. Jeni bashkë. Jeta e të dyve ka ndryshuar tërësisht, jo vetëm e jotja.

Dilni në natyrë sa më shumë të mundeni. Që ditët e para bebi ka nevojë për vitaminën D dhe ju keni nevojë për t’u ndjerë më mirë dhe të merrni ajër.

Mos e fajësoni veten nëse nuk keni krijuar menjëherë lidhjen e ndjesive me bebin tuaj, vjen me kohën dhe është marrëdhënia më unike që keni krijuar ndonjëherë.

E fundit, por më kryesorja, mos krijoni pritshmëri. Asgjë nuk është siç e mendoje apo siç e prisje. Thjesht shijo momentin, sepse ikën dhe nuk kthehet më. Nuk kapemi dot pas sekondave dhe bebat rriten, rriten shumë shpejt.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com