Marrëdhënie

August 8, 2017 | 13:12

Libri i Luan Ramës: Dashuria e Elida Cangonjit me artistin danez dhe dhimbja që la vdekja e saj

Luan Rama kishte shkruar disa shënime dhe kishte botuar disa shkrime, edhe më parë, për Lida Cangonjin dhe burrin e saj, mikun e tij danez, Peter Haubro. Ishin miq prej vitesh dhe sa herë çifti shkonte në Paris, do të rrinin bashkë. “Kur isha në ambasadë, në Avenue Marceau, hapa madje dhe një ekspozitë me pikturat e Peter. Krahas angazhimeve të shumta shkencore, humanitare e sociale, Lida e ndiqte atë në të gjitha ekspozitat e tij dhe Peter, nga Marsanne afër Lyon-it ku ishin vendosur, më dërgonte letra me zarfet ku gjithnjë do të pikturonte garguj të katedraleve, pasi ai e dinte që mua më pëlqenin shumë ato. Kishte diçka mistike dhe mjaft figurative.

elida-cangonji-luan-rama

Elida Cangonji dhe Luan Rama, vite më parë

Kështu, postierët ishin mësuar me zarfet plot ngjyra të tij. Por ikja e Lidës, ashtu papritur, “me të pabesë” siç më thoshte mikesha e saj Zana Litos që kishin lënë të takoheshin në Tiranë dhe nuk arritën të takoheshin dot, më dha ngasjen që këtë libër me gargujt t’ia kushtoja mikes time të mrekullueshme Elida Cangonji…”- na tregon Rama menjëherë sapo mësojmë për librin e tij që është në shtypshkronjë, rreth mikeshës që u largua nga jeta në mënyrë të papritur.

Kujtimet e Luanit me Lidën janë të shumta, aq sa vitet e njohjes së tyre. Disa copëza do t’i lexojmë sot këtu, në këtë fragment të librit që së shpejti do të jetë në treg.

PJESË NGA LIBRI I LUAN RAMËS

KU ËSHTË FUSTANI I KUQ I LIDA CANGONJIT?

Sapo jam kthyer nga shtëpia e Solange d’Angely në Rue Didot. Një uiski dhe një bisedë për Lidën, miken tonë të shtrenjtë. Flasim për jetën, dashuritë njerëzore, bisedojmë rreth qenies dhe përkufizimit se ç’është krijesa njerëzore, por asgjë nuk arrin t’u gjej përgjigjen pyetjeve tona të mëdha. Atëherë unë i flas për Lidën, s’dihet pse, ndoshta pse ndërkohë m’u shfaq ajo fushë e madhe me trëndelinë tutje shtëpisë së Lida Cangonjit në Marsanne, në Jug të Francës, jo larg Lyon-it.

Një fushë ngjyrë vjollcë, me erë trëndeline dhe ajo e dehur apo e çmendur mes tyre, me dëshirën për të ndaluar kohën. Por a mund ta ndalësh atë, kur gjithçka është e lidhur me atë botë kozmike e të panjohur ende? Marr frymë thellë dhe ndiej ende erën e trëndelinës ndërkohë që lë Solange dhe nisem drejt shtëpisë sime, dy hapa më tutje. Kujtoj ndërkohë atë rrap të vogël përballë portës së tyre në Marsanne kur uleshim dhe pinim një çaj me Peter Haubro, i cili tashmë si një artist i vërtetë ishte njësuar me natyrën dhe nuk shqitej më nga ajo.

Ecja dhe Lida më shfaqej rrugës me të qeshurën e saj, energjinë dhe dashurinë që çlironte ngado, si gjithnjë. Papritur, një çast Solange më kishte thënë: “E di, Lida kishte qejf të kishte një fustan të kuq dhe kur isha te ta për pushime, ne shëtitëm në fshatrat përreth dhe kur ndaluam diku, unë pashë një dyqan ku kishte një fustan të kuq. Atëherë i thashë Lidës: “Provoje këtë fustan, kam qejf të ta bëj peshqesh!” Dhe ajo e provoi… Lida shkëlqente me atë fustan… U gëzua shumë. Pastaj ata erdhën në Paris tek unë. Peter përkujdesej për ekspozitën e tij në Denfert Rocheraut. Në mëngjes pinim çajin dhe pastaj ata shkonin, të lumtur, nëpër rrugët e Parisit…”

Atë çast pashë sytë e lagësht të Solange. Por edhe në sytë e mi, tashmë binte një shi i hollë! Ishim njohur që me filmin, në kohën kur luante filmin “Rrugë të bardha”… pastaj në Paris, kur erdhi të marrë çmimin për gruan në shkencë të akorduar nga Kryeministri Lionel Jospin, pasi Lida kishte krijuar një qendër trajtimi për handikapët mendorë dhe kryesisht fëmijët. Përkushtim i gjithkohshëm i saj. Pastaj miqësia bëri udhë, ndër vite. Lida sapo kishte shkuar, për mos t’u kthyer më, ashtu papritmas, brenda një jave, kur unë mendoja të shkoja tek ajo, në Marsanne…

Ishte një lajm i papritur, i kobshëm, i pabesueshëm, sikur një dorë qiellore ta kishte rrëmbyer fshehurazi nga kjo botë. U ktheva. Ecja rrugës dhe imagjinoja Lidën me fustanin e kuq që ecte nëpër rrugë dhe sfidonte dimrin, të ftohtin, botën që shkiste nën këmbët e saj, botën që shket, gjithnjë… Ku është tani fustani i kuq i Lida Cangonjit? Kam dëshirë ta thërras Lidën dhe t’i them ta veshë dhe një herë për mua, pasi e kuqja i shkonte shumë, ajo ishte në çdo qelizë të saj…

Elida Cangonji me bashkëshortin

Elida Cangonji me bashkëshortin e saj, Peter Haubro, në një nga ekspozitat e tij të pikturës

* * *

NJERIU QË KËRKONTE GARGUJT…

S’kisha menduar kurrë për gargujt… Para tyre kisha qenë gjithnjë indiferent. Figura të çuditshme, të ftohta, pothuaj gjithnjë diabolike. Kur isha fëmijë, më ndillnin frikë. Më ngjanin me magjistarë të tjetërsuar në gur. Ardhur nga botëra të tjerë. Shumë vite më vonë, një ditë në Paris, takova Peter Haubro. Peter me një këmbë në Shqipëri, me një qiell të Danimarkës në sytë e tij dhe një zemër të shkulur, dhuruar artit, krijimit, delirit, udhëtimit në hapësira të njohura e të panjohura.

Pinjoll i Odiseut të lashtë. Bashkë bëmë një copë udhë deri në Chartres bashkë me të dashurën, gruan e tij shqiptare, Elida Cangonji. Ndaluam nën hijen e katedrales. Kishte diell. Picërronte sytë nën këmbët e saj, në kërkim të magjisë së gargujve. Pikturonte serinë e gargujve duke bredhur sa në një katedrale apo një kishë të Francës tektjetra. Gargujt ishin aty. Të heshtur. Dëshmitarë historikë. Ngroheshin në diell. Gardianë të vjetër, krijuar nga duar njerëzore, qindra e qindra vjet më parë. Peter pikëtakonte kështu gargujt e tij. Kish kohë që i kërkonte.

Dhe ata e përqeshnin. Ishte Chartres si gjithnjë në magjinë dhe mrekullinë e vetngjizur me vitrate. E lashë aty, magjepsur nga portalet e katedrales, duke kërkuar në ato qindra figura gargujt e krijuar në gur, dehur nga “Divine Comedie” e Dantes. “Pictura est quoedam litteratura”… “Letërsia e të paditurve”, kështu quheshin katedralet, ku njerëzit përmes figurave mund të kuptonin lehtësisht mesazhet biblike. Magjepsej me gargujt që ngriheshin në cepat e katedrales dhe vizatonte me shpejtësi. Portale, figura shenjtësh, virgjëreshash. Jetë biblike mbi gur. Njeriu dhe Zotët. Hyjnitë në marramendjen e madhe njerëzore. Ritet.

Jeta, vdekja dhe përtejvdekja. Alkimi në kërkim të së panjohurës. Gjithçka ishte aty prej pothuaj 1000 vjetësh. Gargujt qëndronin të heshtur e krenarë. Përgjonin ata që vinin, ata që shkonin, bohemë, mërgimtarë, lypsarë, artistë. Sikur ruanin horizontet. Nuk kishin emra. Nuk dihej gjë për krijimin e tyre. Pjella të kujt ishin? Të cilit artist, të cilës dorë që prej kohësh ishte shuar e kthyer në pluhur… Kohë më vonë, Peterin e takova sërish. Figurat e gargujve ishin tashmë mbi letrën e bardhë. Qindra grafika, gravura. Ishin gargujt e tij.

Eloda Cangonji në filmin "Në fillim të verës"

Elida Cangonji në filmin “Në fillim të verës”

Tashmë, pjella të tij hedhur në letër. Pa emër. Silueta të gargujve të gurtë që ai kish takuar në Sens, Rouen, Amiens, Notre-Dame de Paris, Dieppe, Reims, Bayeux… Siluetat e tyre ndërpriteshin nga re, apo nga hëna e plotë. Garguj ripërtërirë nga magjia e artit të tij. Peter, me një qiell të Danimarkës mbi sy… Dashuruar me hënën… dhe gargujt. Figura mistike transplatuar në botë moderne. Të padeshifrueshëm si gjithnjë. Udhëtarë botërash të njohura e mistike. Secili me një histori të fshehtë brenda tij, ngjizur në gur. Të nxirë, disi të rrënuar, të zbardhët, të trishtë e madje disa gjymtuar nga rrufetë. Por jo të frikshëm…

Shpirtra që pulsojnë. Kohë më vonë, në letrat që do më shkruante, mbi zarfe, Peteri do më dërgonte dhe gargujt e tij ngjizur mbi letrën e bardhë: “38, Rue Cels, 84, Rue Didot… 35, Avenue René Coty, 6, Rue Alfred Durand Claye”… Garguj mesazherë. Mesazherë të paqes, të dashurisë, të mirësisë. Një periudhë ata ishin të kuq apo lyer në ar, sikur dilnin nga diej, kratere apo zjarre.

Më ngjanin kështu në gardianë vullkanesh, nga goja e të cilëve dilte veçse llavë, zjarr… Mitologji e kohëve të vjetra dhe moderne. Garguj, “gargouilles”, “gargle”, “gronola sporgente”, “gorgola” “gorgoyles”, “wasserspil”, “chimères”… emërtime të ndryshme, emra legjendash, figura groteske e mistike që prej shekujsh kanë habitur e magjepsur sytë njerëzorë… turmat që mblidheshin nën hiret e katedrales dhe kishave, në oborret e tyre, nën këmbimet e mëdha të kambanave… Garguj gjysmënjerëz, gjysmëkafshë, si murgj të përçudnuar, mëkatarë demoniakë, të heshtur dhe gjithnjë ballë rrebeshesh. Këto krijesa guri në formë centaurësh që flaknin tej shirat e stuhive, janë njëkohësisht dhe bufonët e kohës sonë…

SHQIPËRIA DHE NJË “LOVE STORY”

Haubro erdhi në Shqipëri në kohën kur “ndërtoheshin” piramidat. Mizëria popullore shtyhej në dyert e depozitave të “Faraonit” me ëndrrën se çdo natë ato shumoheshin dhe shpejt do të vinte dita që dhe më të varfrit do të gdhiheshin të pasur. Në fakt, Peteri erdhi të shoqëronte dikë në një mision humanitar danez me një projekt për të dekoruar dhe shndërruar fytyrën e spitalit të zymtë psikiatrik të Tiranës në një ambient të paqtë e të kulturuar, siç kishte bërë edhe në Krajova të Rumanisë, ku shkoi fill pas vrasjes së Çausheskut dhe ku ndërkohë kishte organizuar dhe një festival poetik me poetë që vinin nga gjithë Europa, nga Italia, Spanja, Danimarka, Suedia, etj…

Peteri ishte dhe është një poet fin. Ai do të ishte larguar shpejt nga Shqipëria, por dikush e mbajti jo një muaj, një stinë apo një vit, por pesë vjet, edhe pse nga natyra ai ishte një artist i rrugëve pikturale e poetike, qytetar i Europës. Dhe ajo që e mbajti ishte Lida Cangonji, ish-aktore, psikiatre e përsosur që me aq mund kishte ngritur Qendrën e Rehabilitimit të Handikapëve Mendorë.

Kur e pyeta Lidën për historinë e saj me Peterin, ajo qeshi dhe më tregoi: “Një ditë, ata të misionit danez më thanë se prisnin të vinte një artist nga Kopenhaga për të bërë dekoracionet. Kjo gjë më intrigoi dhe fillova t’i pyes që të nesërmen ata: Kush është? Kur do të vijë? Pse s’po vjen?… Ishte një lloj parandjenje. E shtuna mezi erdhi. Ne kaluam një darkë të gjithë së bashku. Të nesërmen puna filloi dhe dy ditë më vonë ne shkuam në Durrës me dy makina. Peteri ishte me mua. Ishte kohë e keqe dhe në kthim filloi të binte një shi me gjyma. Fshirësja e xhamit tim u këput dhe funksiononte vetëm ajo në krahun e Peterit.

“Jepi makinës, qeshte ai, se ta tregoj unë rrugën”. Po ku shihej rruga. Filluan vetëtimat. Vendosëm të ndalojmë dhe po prisnim të pushonte shiu i madh, ku nuk dukej asgjë. Ishte një gjendje e çuditshme, ekzaltuese dhe ja, ndodhi…” Po, kështu “rrufeja” kishte rënë brenda asaj makine dhe një “love story” kishte nisur atë ditë, në shi, një “love story” që do të vazhdonte në ato kohëra plot krisma. Atëherë Peteri vendosi të jetojë pranë saj dhe pikërisht tani në shtator bëhen 20 vjet nga ajo ditë. Por stuhi të tjera afronin ato kohë. Revolta popullore kundër “faraonëve” revolucionarë ishte në kulm. Peteri dekoronte spitalet, Qendrën e Handikapëve me kafenenë e famshme e quajtur “Kafeneja Frojd”.

Kohë shpërthimesh e zemërimi popullor, edhe pse Frojdi kishte vdekur dhe divani i tij ishte në muze. Peteri pikturonte njerëzit e thjeshtë me kallashnikovë e mortaja, dhimbjen dhe klithjen popullore, duke shkruar njëkohësisht poezi siç i lexojmë ato në një nga vëllimet poetike të tij në Tiranë si “Kopshti i limonëve”: “Të gjallët e të vdekurit / në vezullime dielli e bulë- za vese;/ në të pëgëra, duhma rakie/ fjolla duhani, sperme /britma, vrasje/ mes gropash asfalti / e kallashnikovësh të fshehur / Rruga e Elbasanit…/ Një cikël i madh grafikësh i kushtohet pikërisht kësaj kohe: nudo të shpërfytyruara, trupa njerëzore në ngërç, gojë të hapura si gojë gargujsh të gurtë, gra “qyqe” me fëmijët e tyre mbetur jetimë, hije njerëzore në dhimbje, klithje, në zemëratë për fatin e tyre të keq, vajtime.

Në 1996 ai kishte hapur ekspozitën e parë në Tiranë dhe një tjetër do ta hapte në vitin 2003. Por ajo kohë i ka mbetur në kujtesë. Një ditë dikush i ftoi në shtëpinë e tij dhe veçse kur u tregoi një radhë kallashnikovësh… A doni një?… Kjo Peterit i ishte dikur një çmenduri. Në natën e vonë, atëherë kur krismat vazhdonin Peteri shkruante: “Rrëzoji yjet prej qiellit / pa sensin e të nesërmes / yjet megjithatë nuk ekzistojnë/ … /Lëre dritën e tyre të bjerë / mbi sy dëgjimtarë/ fëmijësh të pagjumë / në dhoma ëndrravrasëse/… Qëllo. Zoti të mallkoftë! / Lëri yjet të rrokullisen./ Lëri yjet të shuhen/ të zbehen ngadalë / nëpër ullukë trush / të njerëzimit/.

Por, megjithatë, Shqipëria kishte dritën e saj. Peteri ishte i dashuruar pas jetës shqiptare, mikpritjes, pazareve popullore, kostumeve shqiptare, peizazheve, njerëzve. Një vit të tërë ai shkoi të jetonte në Korçë, në një shtëpi ngjitur me atë ku kishte jetuar Vangjush Mio. Kur unë e pyeta se përse e pëlqente Mion më shumë se të gjithë piktorët shqiptarë, ai m’u përgjigj shkurt: “Për qartësinë e tij”!

Botuar në gazetën “Panorama”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top