Editorial

October 26, 2015 | 12:39

Libri, miku që s’të lë kurrë vetëm

Nga Orjona Tresa

Në temporitmin e kohës moderne që jetojmë, kur e ke thuajse të pamundur t´i shmangesh zhurmës shfrenuese, rrjeteve sociale, kafeve të pambarimta që shoqërojnë gjatë gjithë ditës, të bisedave frenetike mbushur me thashetheme grash e burrash për më keq, e ke të vështirë të menaxhosh kohën tënde.

Por e ka një zgjidhje, e cila bën të mundur shmangien e asaj pjese bosh edhe pa “bukë” që jo në pak raste na mposht e na vë në lojë. Është libri, ai për të cilin vëmendja ka nevojë të drejtohet herë pas here. Është pikërisht ai, që në një çast të tillë të bëhet mik a shok i dashur, shpëtimtar i vetmisë, shoqërues besnik i netëve të gjata, argëtues si askush tjetër, sepse je ti që mund të fantazosh pareshtur nën peshën marramendëse të rrugëtimit shumëfletësh e shumëdimensional në të njëjtën kohë. Në çaste të tilla pikërisht ai, libri dhe askush tjetër, shndërrohet në besnikun, motivuesin e shoqëruesin personal. Lërinini mënjanë tabletat dhe telefonat android.

Libri është burimi i mirëqenies…, të mos ngatërrohemi: jo i të ardhurave financiare, por i aseteve prej nga ku mund të ndihesh i rilindur, të frymëzosh të nesërmen me një plan më afatgjatë. Psikologë të njohur konsiderojnë që për ta arritur këtë, duhet besuar në disa tituj të mirë, libra “vetë-ndihmës” të cilët kontribuojnë për t’u çliruar nga stresi, depresioni, shqetësimet që vijnë qoftë nga ushqimi apo nga frikërat e ndryshme. Se libri nuk është vetëm artistik, melodramë apo triller.

Por, ashtu siç e thotë dhe Borges, “libri është një nga mundësitë e lumturisë që kemi nevojë ne njerëzit”. Të gjithëve na ka ndodhur të lexojmë për të qenë të “ndriçuar” nga një libër, ashtu siç mund të jesh në shoqërinë e një miku të mirë me të cilin ndan një gotë verë. Më shpesh na ndodh të kërkojmë këshilla nga libra, që për fat të keq më pas nuk i ndjekim. Në fakt duhet të mendojmë mirë për atë që kërkojmë.

Leximi në vetvete mund të na “shërojë”. Ai vjen si një ndihmë, si një terapi psikologjike, sidomos për ata individë që janë në kërkim të së vërtetës, e cila e ka bazën në përvojat e jetës së tyre.

Në fakt është e qartë se leximi është një mjet për rritjen personale. Ai mund të përshtatet ose të mund të shoqërohet me tituj të orientuar në zhvillimin e vetes, siç ndodh në psikoterapi. Avantazhet e të lexuarit janë nga më të ndryshmet, mund të ndihmojnë në shqyrtimin dhe të kuptuarit e të kaluarës; të njohin me situatat e përjetuara nga të tjerët dhe të atribuojnë në një kuptim. Libri vepron si një mbështetës për të shpëtuar nga një realitet i pakëndshëm, apo i vështirë për t’u rikarikuar. Marrëdhënia me librin mbyllet në një botë, duke u bërë një lloj strehimi për t’u përmirësuar, e për pasojë bëhet një iluzion i mirëqenies.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top