Në fokus

October 26, 2015 | 14:12

Nga: Fleura Shkëmbi

fleuraNga: Fleura Shkëmbi

Flirtimi është një sjellje ku përpiqemi të tërheqim vëmendjen e dikujt tjetër më shumë për lojë dhe për kënaqësi sesa për qëllime serioze. Flitet në çdo media, në çdo bisedë se sa bukur dhe se sa e rrezikshme është të flirtosh. Pyetja që shtrojmë të gjithë brenda vetes është: nëse është mirë apo jo të flirtojmë nëse jemi në një marrëdhënie më dikë tjetër? Flirtimi bëhet për arsye nga më të ndryshmet dhe në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Gjithsecili prej nesh flirton në mënyrën e vetë unike. Shikimi është mënyra më e shpeshtë e flirtimit te qenia njerëzore por edhe shikimin e bëjmë ndryshe kur flirtojmë në situata të ndryshme.

Përse flirtojmë?

Të arrijmë të gjejmë partnerin ideal për marrëdhënie seksuale

Të lëvizim më tej nëse jemi në fillesat e marrëdhënies

Të eksplorojmë potencialin e një marrëdhënie romantike

Të inkurajojmë dikë të bëjë atë që në dëshirojmë

Të rrisim vetëvlerësimin

Për kënaqësi

Nga studimet del se flirtimi në vendet e punës është i shpeshtë por mbetet aty dhe nuk kalon në një stad tjetër, kjo sepse njerëzit shpenzojnë kohë të gjatë në punë por edhe për faktin se janë më pranë dhe e njohin personalitetin e njëri-tjetrit. Në ditët e sotme kanë ndryshuar edhe format e flirtimit. Sot flirtohet edhe me një foto, edhe më një këngë të hedhur në facebook por ajo që unë vë re në eksperiencat me pacientët dhe me studentët, është një tendencë për ta bërë tjetrin të ‘vuajë’. Ti je në marrëdhënie me dikë dhe në të njëjtën kohë fillon të flirtosh edhe më shokun apo shoqen e tij/saj gjë që çon në kontradikta shumë të mëdha dhe të thella. Të gjithë e dimë që kjo mënyrë tërheq vëmendjen e një të riu por edhe bën xheloz personin me të cilin je i/e lidhur. Për mos të kaluar te personalitetet flirtuese, të cilët e kanë pjesë të jetës dhe funksionimit të tyre. Persona të tillë janë të shumë sharmant, tërheqës, të këndshëm për këdo, por tejmase të lodhshëm për të qenë në marrëdhënie. Kjo mënyrë nuk hyn te flirtimi i bukur, i bërë për kënaqësi. Kjo mënyrë kthehet në lojë që duhet të fitohet patjetër nga ai që e bën.

Mënyrat më të zakonshme të flirtimit:

Gjuha e trupit:

Gjestet dhe qëndrimi, prekja, lëvizja e duarve.

Shikimi mbetet një nga mënyrat më efektive për të tërhequr dikë gjatë flirtimit. Shikimi është tërheqës por jo kur ia ngulim sytë tjetrit sepse kthehet në bezdi dhe mund të krijojë edhe keqkuptime.

Buzëqeshja: ai/ajo që ka buzëqeshje të bukur, e di vlerën dhe e përdor sa herë do të fitojë, marrë diçka. Por përse jo, por kujdes nga buzëqeshjet e shtirura dhe false! Do t’ju largojnë menjëherë.

Veshja tregon pjesë të personalitetit. Me mënyrën se si ti i paraqitesh të tjerëve atë vlerësim do marrësh prej tyre. Një veshje provokuese jo gjithmonë është e suksesshme sepse mundet që një veshje e thjeshtë të jetë më seksi.

Parfumi që hedhim tregon potencën tonë. Kujdes, sepse një parfum i rëndë do t’i turbullojë të tjerët dhe do ndikojë negativisht te tërheqja që ndodh mes një mashkulli dhe një femre përmes feromoneve.

Hapësira që mbajmë nga njëri-tjetri tregon se sa të interesuar jemi për dikë. Kur flirtojmë fillojmë të afrohemi dhe të prekim personin por hapat duhet të hidhen ngadalë sepse mund të prekësh hapësirën personale të tjetrit dhe t’i prishësh më shumë punë vetes.

Toni i zërit: mënyra se si është timbri, ngrohtësia, thellësia e zërit, ritmi i të folurit, pauzat dhe heshtja. Toni i zërit është shumë i rëndësishëm dhe zë 38% në komunikimin njerëzor prandaj nëse keni një zë të bukur ju lutem përdoreni sa herë ju duhet të bëni një punë përmes telefonit. Personi nga ana tjetër e receptorit nuk do rezistojë gjatë. Rëndësinë e zërit e kam kuptuar vetëm pas përdorimit të teknikave të hipnozës. Të gjithë liderët e fuqishëm të botës luajnë dhe e përdorin këtë fakt. Një zëri të ëmbël dhe të sigurt asnjë mashkull nuk mund t’i rezistojë, por nga ana tjetër, çdo femër do të turbullohet nga një zë i thellë i një mashkulli sepse kjo ka të bëjë edhe me potencën seksuale.

Përdorimi i fjalës nëpërmjet të shkruarit: Përdorni fjalë të bukura dhe jo fjali të gjata. Mos i përdorni shpesh të njëjtat fjalë të bukura sepse ju humbet vlera. Chat, FB, Twiter, SMS janë bërë mjetet  më kryesore të flirtimit prandaj çdokush prej nesh do përshtatet me mënyrat e reja por asnjëherë duke dalë nga vetja dhe nga ajo që dëshirojmë të bëjmë. Sensi i humorit i bën njerëzit edhe më tërheqës, por për më tepër, ata vazhdojnë të të kujtojnë sa herë ju kujtohen shakatë që keni shkëmbyer.

Kujdes: Nëse ju i përdorni të gjitha mënyrat tuaja por përsëri nuk keni sukses, tërhiquni, sepse ndoshta kjo do jetë mënyra më e mirë për të flirtuar, nëse nuk do dëshironit të merrni me vete ndonjë gjë të pakëndshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top