Editorial

February 17, 2018 | 10:32

Lind apo bëhesh krijues?

Luiza Myrtaj Nezha Mësuese

Njerëzit nga natyra janë krijues. Në të përditshmen time të shumë përvitshme si mësuese kam hasur nxënës kureshtarë për të ditur gjithçka, sfidues për të marrë përsipër me përgjegjësi çdo detyrë të ngarkuar a jo, me imagjinatë dhe ëndërrimtarë…

Para nesh si mësues nga nxënësit shtohet pyetja: Lind apo bëhesh krijues?

“Një njeri mund të mësojë një tjetër për të qenë krijues. Ne mund ta ndërtojmë atë në mënyrë aktive, në mjediset e të mësuarit dhe në mjediset e shtëpisë që të nxisim aftësitë natyrore të tyre” (Leslie Oven Wilson)

A mund të kontribuojmë ne për të nxjerrë në pah krijuesit?

Një mësues në klasë, çdo ditë sheh punët e nxënësve ato që arkivohen në portofolin lëndor a jo. Ai  përballet me krijimtarinë e tyre  dhe në ato punë në dukje të vogla.

Klasa është vendi ku më shumë se në çdo vend tjetër ata shprehin të qenurit ndryshe nga të tjerët: recitojnë poezi me ndjenjë duke respektuar teknikat e recitimit, diskutojnë me argumente logjike çështje të ndryshme, zgjidhin problema me apo pa yll, kërcejnë për të përfaqësuar klasën dhe shkollën në një ngjarje të rëndësishme, hulumtojnë rreth jetës e veprës së personaliteteve të fushave të ndryshme, hartojnë studime statistikore dhe analizojnë fenomene të ndryshme, ndërtojnë makete duke ëndërruar të jenë arkitektët  e së ardhmes.

Ende në kërkim të përgjigjes nëse lind a bëhesh krijues sjellim ndërmend thënien e vjetër “1% talent dhe 99% punë “e cila na përforcon mendimin se natyra, trashëgimia, gjenet na japin dhuntitë, po nëse nuk do të punohet në kultivimin e tyre nuk do të kemi krijues.

Sër Ken Robinson ekspert i arsimit na sugjeron disa mënyra se si të nxisim nxënësit tanë të jenë krijues në klasë.

“Idetë janë flutura, fletoret janë rrjetat”

Nga punët në fletoret e klasës apo të shtëpisë në lëndë të ndryshme ne zbulojmë matematikanin poetin dhe romancierin, fizikantin, historianin, biologun e së ardhmes. Ndaj t`i këshillojmë nxënësit tanë që idetë sado fluturake të jenë në dukje, të mos i lënë të fluturojnë kot, por t`i zhvillojnë më tej ato.

“Krijimtaria duhet të ushqehet me një dietë të qëndrueshme frymëzimi”

Cila është detyra jonë si mësues?

Të jemi të vëmendshëm ndaj nxënësve krijues në klasë, të punojmë fort që të shërbejmë si model frymëzimi për nxënësit tanë. Pasioni  dhe dashuria jonë për lëndën do të shërbejë që ata të mos shuajnë kureshtjen, por të jenë gjithmonë në kërkim. Pra, të mbajmë parasysh këshillën e Gardnerit “Ndihmojini nxënësit të gjejnë potencialin e tyre!”

”Bota  është plot me njerëz që përdorin aftësitë krijuese për të shpikur e bërë gjëra të reja”

Te çdo nxënës duhet të shohim përtej asaj që ai shfaq. Te çdo nxënës, nëse punojmë me të, nesër do të shohim muzikantin, këngëtarin, futbollistin, balerinën, informaticienin, shpikësin… Nesër do të  ndjehemi krenarë për atë çka kemi bërë. T`i bëjmë sytë katër, që nesër të mos na vrasë ndërgjegjja!

”Meditimi = Krijimtari”

Në fund të çdo pune nxënësi duhet të dalë me një zgjidhje imagjinare. Dhe pas heshtjes mund të kemi rezultate mbresëlënëse.

”Bëni çdo ditë diçka krijuese dhe dokumentojeni atë.”

Dokumentimi tregon përparimin që nxënësi ka bërë. Shembull shumë i mirë janë portofolet e të nxënit që mund t`i quajmë pa frikë ‘Portofolet e  ardhmërisë”.

”Ndani idetë tuaja në një klub në shkollë.”

Mjedisi mbështetës i klubit do t`i ndihmojë nxënësit të ndajnë përvojat e tyre dhe të mësojnë prej njeri-tjetrit.

Të  mos harrojmë kolegë të dashur:

Të ushqejmë krijimtarinë  me  një mësimdhënie krijuese, me metoda të cilat ngjallin interesin,zhvillim të mendimit kritik e të sjelljes krijuese!

Të ngjallim  kureshtjen dhe të rrisim vetëbesimin te nxënësit që aftësitë e tyre të mos ngelen të ndrydhura e të pazbuluara!

Të krijojmë në klasë mjedis të sigurt e krijues!

T’u mësojmë nxënësve se si hulumtohet!

T’i motivojmë e të mos i frenojmë në krijimtari!

T’u nxisim imagjinatën!

“Imagjinata është më e rëndësishme se dija. Dija është e kufizuar, ndërsa imagjinata rrethon botën“Ainshtainit

Tregu i punës sot kërkon njerëz krijues e me imagjinatë e nëse duam që ardhmëria jonë të ketë shpresë, të japim më të mirën nga vetja!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top