FB

October 22, 2021 | 8:10

Liria në familje në një shoqëri patriarkale

Vite më parë kur flasim për lëvizjet e para feministe, me theksin tek liria dhe barazia e gruas në shoqëri e shohim të targetuar gruan si “seksi i dytë”, term ky i cili u kultivua fillimisht nga Simone de Beauvoir, një nga ithtaret më të rëndësishme të feminizmit.

Paçka viteve dhe përpjekjeve të vazhdueshme për emancipim, liri dhe barazi të gruas, ka qenë dhe vazhdon të mbetet tejet e vështirë që gruaja të konceptohet si e barabartë në familje dhe shoqëri. Arritjet e para të prodhuara në këtë kuadër janë disa të drejta të dhëna thuajse përgjysmë, por që rishmës gruaja është konsideruar dhe vijon të shihet e njësuar me rolin e saj të gjithëkohshëm në familje si nënë dhe pozicioni i saj i paracaktuar si i tillë e përball me vështirësi për t’u angazhuar dhe integruar në poste drejtuese apo për të pasur një rol të barabartë karriere.

Në këtë qasje, mungesa e një këndvështrimi të tillë mbi gruan prodhon edhe një shtypje të vetvetishme në familje, një imponim për rolin e saj familjar dhe shoqëror, tabu dhe paragjykime mbi angazhimin publik, të drejtën dhe lirinë në vendimmarrje. Me kohën ajo që është edhe më e rëndësishme në ndarjen e roleve mes aktorëve shoqëror, familjar si dhe në moscenimin e lirisë së secilit aktorë në një shoqëri ku patriarkati sundon, është edukimi paralel i femrave, por edhe i meshkujve.

Mos-edukimi i barabartë na bën të shohim një përplasje vlerash dhe konceptesh jo vetëm në marrëdhëniet familjare, por edhe në marrëdhëniet shoqërore, profesionale si dhe personale mes meshkujve dhe femrave. Në këtë qasje nuk përbën rëndësi vetëm edukimi dhe arsimimi i gruas e rrjedhimisht emancipimi i saj, për ta zhbërë atë nga kufijtë e së shkuarës apo patriarkalizmit shoqëror. Kjo sepse një grua e edukuar dhe e emancipuar nuk mund të gjenerojë ndryshim përballë meshkujve me të cilët ajo punon, jeton apo shoqërohet të cilët nuk e pranojnë lirinë e saj por e përdhosin atë.

Kontrasti i vlerave në këtë rast prodhon dhunë, përçudnim të lirisë dhe botëkuptimit të saj si dhe në situatën më të skajshme prodhon vrasje. Edukimi duhet të realizohet paralel tek të gjithë aktorët brenda familjes por edhe aktorët e tjerë shoqërorë të tillë si mësuesi, edukatori, drejtuesi i një institucioni, politikëbërësit etj., me qëllim që marrëdhëniet e ndërtuara mbi emancipimin dhe lirinë reciproke të ecin natyrshëm dhe të mos kemi përplasje vlerash.

Rëndësia më e madhe në edukimin e shoqërisë fillon nga hierarkia e vlerave në familje e cila duhet të prodhojë liri mes burrit dhe gruas, motrës dhe vëllait, të afërmve dhe gjyshërve, etj. Këto marrëdhënie duhet të tejkalojnë jetësimin e tyre mbi përkatësinë gjinore, si dhe hierarkinë e ngurtë të varësisë. Prodhimi i marrëdhënieve të lira dhe të shëndosha në parime brenda familjes, rrjedhimisht do të bëhet rregullator i relacioneve të tjera në shoqëri me bazë vlerash.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top