FB

May 19, 2021 | 8:28

Lotët nuk janë dobësi…

*Drilona Shehaj Abazaj, psikologe

 

“Njerëzit qajnë jo sepse janë të dobët, ata qajnë sepse kanë qenë të “fortë” për shumë kohë. Ne nuk duhet të ndjehemi të turpëruar apo të ndjejmë frikë për të shfaqur emocionet tona qofshin këto edhe me anë të lotëve, pasi të qash nuk të bën kurrsesi të dobët, por është një proces i shëndetshëm force.

Të imponuarit që në vogëli për mos të qarë dhe për të ndrydhur emocionet tona ka sjellë më pas vështirësinë për t’i shprehur dhe të ndjerit i penguar për të qarë, edhe pse të qash është një përvojë emocionuese dhe pastruese. Përtej arsyeve dhe situatave, e qara është një domosdoshmëri dhe prehje emocionale, e cila na bën mirë dhe na largon të gjitha ndjesitë negative që jemi duke përjetuar. Ne qajmë për kaq shumë arsye si zemërimi, mbingarkesa, lumturia, e cila është një formë gadishmërie për të lëshuar jashtë qenies tonë këto përshtjellim ndjenjash.

Të gjithë ne e kemi të nevojshme herë pas here për një britmë të mirë lotësh, në situata ku jemi thyer dhe jemi në limitet e durimit. Pasi kur ne qajmë, çlirojmë ndjenjat që janë grumbulluar dhe frustracionet tona që kanë kaq kohë që duan të lirohen, gjithashtu çlirojmë dhe energjinë sfilitëse të mbyllur brenda nesh.

2

Prandaj kur lind kjo dëshirë, ne nuk duhet të përmbahemi, nuk duhet të gjykojmë veten dhe nuk duhet të turpërohemi sepse duam të nxjerrim jashtë ndjesitë tona. Gjithashtu, e qara na sjell një sërë përfitimesh në mirëqenien tonë si: lehtësimin e stresit dhe çlirimin e toksinave, duke qenë një formë pastrimi pë shpirtin dhe trupin tonë.

Kur ne qajmë për shkak të stresit dhe ankthit, lotët që prodhojmë zhdukin kimikatet që rrisin kortizolin të njohur si hormoni i stresit. Nxjerrja jashtë me një klithmë të mirë lotësh është një mënyrë e shkëlqyeshme për të larguar trishtimin, ankthin, agresionin etj.

Mbajtja e bagazhit emocional dhe e një peshe mbi supe nuk është mirë për askënd, e cila mund të ndikojë në shëndetin tonë mendor, pra le të çlirohemi prej tyre. 

Po aq, e qara sjell të mira në shëndetin tonë mendor, dhe emocional dhe sa herë ndjejmë nevojën për ta bërë këtë nuk duhet të ngurojmë, sepse më pas kjo do bëjë që të ndjehemi më të çlodhur duke mos lënë ndjenjat tona të acarohen brenda nesh. Vetë lotët janë një formë medikamenti që shëron qenien tonë, edhe nga hulumtimet tregohet që e qara përtej çlirimit të toksinave që vret bakteret por ndihmojnë në mbajtjen gjallë të sistemit tonë imunitar dhe luftimin e infeksioneve.

Pra të qarët është në rregull, dhe nuk na bën as më të vegjël dhe as individë më të dobët në shoqëri. Edukimi rreth këtij procesi duhet të jetë sa më informues dhe suportues për fëmijët, pasi kur ne qajmë ne përjetojmë rritje dhe lëshojmë prangat që na lidhin me dhimbjet tona duke lëshuar presionet tona të brendshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top