FB

October 21, 2021 | 8:30

Luarasi, universiteti i jetës!

Universiteti Luarasi renditet ndër institucionet me besueshmëri të lartë sa i takon nivelit pedagogjik, akademik dhe studimor. Programet e studimit në “Luarasi” janë të akredituara maksimalisht, çka e rendit ndër katër Institucionet e Arsimit të Lartë më i miri në vend, si një opsion i lakmuar për të rinjtë. Tashmë është e vërtetuar se mbi 80% e studentëve të Luarasit punësohen brenda 6 muajve pas diplomimit.

Nga Orjona TRESA

Ky universitet prej vitesh jep qindra bursa duke ofruar mundësi optimale për të gjithë. Cilësia e lartë e mësimdhënies, vlera e diplomave në tregun e punës, jeta e gjallë studentore, lidhja e formimit teorik me veprimtarinë e gjallë praktike, janë një ofertë e hapur për maturantët që duan diploma të merituara në fushën e drejtësisë, të ekonomisë dhe në teknologjinë e informacionit e inovacionit. E njëjta praktikë vijon të procedohet edhe gjatë kohëve që jetojmë, duke u dhënë mundësi të rinjve të gjejnë universitetin e jetës.

Pavarësisht situatës globale të krijuar prej Covid-19, Universiteti “Luarasi” ka sfiduar kufijtë e mbyllur duke u ofruar studentëve mundësi pjesëmarrjeje në aktivitete ndërkombëtare. Për më shumë flasin pedagogët e Luarasit, për vijueshmërinë e një procesi të rëndësishëm për jetën!

Prof. asoc. dr Anni Dasho Sharko

Prof. asoc. dr Anni Dasho Sharko

Mësimi online, implementim i platformave bashkëkohore

Si rezultoi mësimi “online” në universitetin “Luarasi” gjatë periudhës së pandemisë?

Në kushtet e një gjendjeje të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe kombëtare, atë të pandemisë koronavirus COVID-19, sistemi arsimor në mbarë botën në kushtet e distancimit social pati sfidat e veta të transformimit të mësimdhënies në distancë. Sfidë me të cilën u përball edhe sistemi ynë arsimor. Universiteti “Luarasi” në këtë situatë dëshmoi që përshtatet me shpejtësi dhe efektivitet ndaj rrethanave që ndryshuan me shpejtësi, duke e menaxhuar me sukses dhe në kohë reale transformimin dhe kalimin e mësimdhënies në distancë nëpërmjet platformave “online” Moodle LuarasiLMS dhe Microsoft Teams, këtë si meritë e një bashkëpunimi të ngushtë dhe profesionalizmit të stafit akademik, atij drejtues dhe administrativ të universitetit, aftësisë dhe gatishmërisë, punës dhe bashkëpunimit në ekip për të ofruar mbështetje dhe kujdes në rinovimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Platformat Moodle Luarasi-LMS dhe Microsoft Teams u personalizuan sipas nevojave të “Luarasit”, u krijuan tutoriale dhe asistencë e vazhdueshme për stafin akademik dhe studentët, duke ofruar dhe lehtësuar mësimdhënien “online”. Këto platforma na lejojnë mësimdhënie cilësore interaktive me studentët, pa kufizim dhe limite kohe, që është shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen dhe përmbushjen e misionit tonë edhe në këto kushte të distancimit social. Si rezultat, mësimi u zhvillua duke aplikuar dhe respektuar orarin sikurse kur ishim prezentë në auditor.

Studentët nëpërmjet platformave “online” Moodle Luarasi-LMS dhe Microsoft Teams kishin në dispozicion materiale dhe informacione në PPT, audio dhe video të regjistruara, të cilat mund t’i aksesojnë në çdo kohë. Ne kemi studentë që banojnë edhe në zona të thella malore, që për arsye të ndryshme mund të mos futen në klasat virtuale në kohë reale sipas orarit, por organizimi dhe materialet që janë disponibël “online” u jep atyre mundësinë t’i përdorin dhe konsultojnë në çdo moment. Përvoja e fituar mund të përdoret me sukses edhe në të ardhmen.

A rezultoi efektive kjo metodikë?

Mësimi “online” i aplikuar nga pedagogët dhe profesorët e “Luarasit” dëshmoi të jetë një përvojë efektive, e pasur dhe përmbushëse për misionin tonë në mësimdhënie dhe mësimnxënie duke u kushtuar vëmendje të kujdesshme edhe përvojave të reja të studentëve tanë, duke bërë që marrëdhënia ndërmjet pedagogëve dhe studentëve të mbetet produktive. Madje, interesi dhe frekuentimi i klasave virtuale nga ana e studentëve gjatë kësaj kohe ka qenë edhe më intensiv dhe i shtuar se praktika në auditor.

Nga ana tjetër, stafi i “Luarasit” duke qenë familjar me përdorimin e praktikave inovative dhe teknologjive moderne për të kryer me sukses procesin e mësimdhënies u gjend i mirëpërgatitur përpara situatës së paparashikuar, ndaj ngarkimi i materialeve të përgatitura dhe klasat virtuale “online” rikuperuan shumë shpejt kohën, duke maksimizuar procesin mësimor njësoj sikur mësimi të zhvillohej ballë për ballë në auditor.

A kanë filluar regjistrimet paraprake të maturantëve te “Luarasi”?

Sa u takon regjistrimeve në një “early call” përpara muajit qershor, universiteti “Luarasi” ka arritur regjistrime surprizuese, me një numër në rritje të studentëve që aplikojnë dita-ditës për regjistrim. Krahasuar kjo edhe me treguesit e të njëjtës periudhë të vitit akademik paraardhës, duke pasur parasysh edhe situatën e veçantë në të cilën jemi, na jep besimin që ditë pas dite do të kemi gjithnjë e më shumë maturantë që do t’i besojnë “Luarasit”. Në të tria programet e studimit në universitetit “Luarasi”, Drejtësi, Ekonomik, IT dhe Inovacion, ka regjistrime paraprake për vitin akademik 2020-2021. Me këto fakte “Luarasi” afirmon edhe njëherë rritjen e pozitave të tij në treg, forcimin e imazhit si universitet lider në cilësi dhe kredibiliteti të besueshëm.

Prof. Asc Dr. Rezana Konomi

Prof. Asc Dr. Rezana Konomi

Jemi të përgatitur për të ofruar alternativën më të mirë!

A je dakord që shkolla duhet të fillojë. Sa rëndësi bart në thelb?

Kushtet që diktuan mësimin Online ishin të jashtëzakonshme dhe nuk kishte asnjë alternativë tjetër për të vijuar procesin mësimor me qëllim që të mos humbisnim vitin akademik. Sigurisht që Luarasi në këto kushte realizoi më të mirën e mundshme, duke zgjedhur disa platforma me qëllim që procesi mësimor të mundësohej në disa mundësi zgjedhje sipas kërkesave të studentëve dhe përshtatjes së tyre me këto metodika. Gjithashtu ekzistenca e disa platformave u mendua duke pasur parasysh specifikat e lëndëve të veçanta, për të realizuar aq sa kishte mundësi interaktivitet dhe ndërthurje të pjesës teorike me atë praktike. Gjithmonë kam ndarë të njëjtin mendim se mësimi online mund të jetë opsionale dhe një alternative e mësimit në auditor, por kurrsesi nuk mund të zëvendësojë për sa i përket efektivitetit mësimin në auditor, i cili plotësohet me disa komponentë të tjerë.

Pikërisht këto komponentë nuk mund t’i realizojë mësimi online dhe në këtë mënyrë nuk realizohet procesi mësimor me efektivitet të plotë, në mënyrë të dyanshme dhe nga pedagogu edhe nga studenti. Nisur nga ky konstatim, i cili u formësua kur procesi mësimor u finalizua me provimet përfundimtare, mendoj se rifillimi i mësimit në auditor është shumë i rëndësishëm për të realizuar objektivat dhe qëllimet që gjithsecili i vendos, si nga stafi akademik ashtu dhe nga studentët. Por gjithsesi, për këtë mundësi fjala e fundit i mbetet ekspertëve dhe institucioneve përgjegjëse në varësi të situatës së pandemisë, sepse në fund të fundit shëndetit publik është parësor.

Janë bërë përditësime sa i takon procesit?

Universiteti Luarasi në ëprfundim të procesit mësimor online dhe pas sezonit të provimeve, realizoi disa analiza rreth procesit për të nxjerrë në pah anët pozitive dhe negative, pra problematikat që u konstatuan, me qëllim që të merrnim masat në kohë për korrektime dhe zgjedhje të tjera për të qenë sa më pranë studentëve në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Tashmë ne e kemi të qartë tablonë, dimë çfarë kërkojmë dhe dimë çfarë duhet të zgjedhim për t’i ofruar studentëve më të mirën e mundshme brenda këtij konteksti aspak të zakonshëm. Mendoj se nëse do të kemi sërish, qoftë dhe në mënyrë të pjesshme mësim online, jemi të përgatitur për të ofruar alternativën më të mirë.

Si keni menduar t’i zgjidhni praktikat gjyqësore nëse shkolla do të vijojë online?

Gjatë semestrit të dytë kur filluam implementimin e procesit online, sikurse e përmenda dhe pak më lart, mundësuam disa platforma nëpërmjet të cilave do të realizohej edhe puna, praktika, diskutimet, forumet, dorëzim detyrash dhe projektesh. Pra mund të them se studentëve u është ofruar gjithçka sikurse në auditor. Ajo që kërkohej më së shumti ishte impenjimi më i madh nga ana e studentëve, sepse kur studenti është në auditor, edhe kushtet gjithsesi janë më motivuese. Por mendoj se në rifillimin e vitit të ri akademik nuk jemi në të njëjtat kushte sikurse në fillimet e pandemisë.

Të dhënat dhe përditësimet e informacioneve shkencore na kanë treguar se nëse respektohen me rigorozitet protokollet e sigurisë, gjithçka mund të realizohet pra dhe kthimi në auditor ku procesi do të vijojë normalisht dhe mësimi online mund të jetë opsionale dhe një zgjedhje nëse kushtet do ta diktojnë. Gjithashtu, dhe institucionet dhe organet jo vetëm të drejtësisë por të gjithë administratës publike janë në eficencë të plotë dhe besoj se dhe realizimi i orëve praktike do të mund të realizohet brenda kushteve dhe respektimit të detyrimeve që kërkohet.

Po për maturantet çfarë është menduar?

Sikurse është e ditur, aplikimi nëpër universitete dhe përzgjedhja e degëve të studimit është një proces që realizohet prej vitesh online. Në këtë drejtim nuk ka asgjë të re dhe asgjë për të menduar. Ajo që na shqetëson është pritja e tyre në ditën e parë të vitit akademik, sepse është shumë e rëndësishme që studentët e vitit të parë të kenë mundësinë të jenë në auditor, të njihen me institucionin, ambientet, stafin akademik dhe t’u prezantohet programi mësimor dhe rregullorja, traditë që Luarasi e bën prej shumë vitesh në mënyrë të suksesshme. Unë besoj se edhe këtë vit do ta vijojmë këtë traditë, duke marrë masat e sigurisë, duke respektuar çdo protokoll sigurie për t’i dhënë mundësinë, sidomos studentëve të vitit të parë që të jenë prezent pranë Universitetit Luarasi ku ata do të kalojnë orët më të shumta dhe vitet më të bukura studentore. Gjithsesi jemi të përgatitur për çdo mikpritje brenda kushteve normale, ku çdokush do të ndjehet mirë dhe i sigurt.

Dr. Dorina GJIPALI (Dervishaj)

Dr. Dorina GJIPALI (Dervishaj)

LUARASI, ofertë akademike në programin “Bachelor” në “DREJTËSI”

A pajtoheni me rikthimin në auditor? Sa rëndësi bart në thelb?

Universiteti “Luarasi” me vëmendjen, vendosmërinë por edhe qetësinë e duhur, që në muajin mars e në vijim i është përgjigjur situatës së emergjencës duke marrë masat dhe vendimet e duhura për të gjithë studentët si dhe për vijimin e procesit mësimor në distancë. Në kuadër të vitit të ri akademik 2020-2021, po punojmë intensivisht për të marrë masat e duhura në respekt të protokolleve të përcaktuara që t’i sigurojmë studentëve tanë të drejtën për të studiuar.

Dua të theksoj vullnetin e Universitetit por edhe të çdo anëtari të personelit akademik për t’u rikthyer në auditor me studentët tanë sa më shpejt që dhe situata epidemiologjike në vend do të na e lejojë në zbatim të vendimeve të institucioneve përgjegjëse. Auditori është epiqendra e universitetit dhe ndaj bindjen se arsimi i lartë që të japë rezultatet e pritshme, por edhe që të formësojë plotësisht studentët ka nevojë për raportin social që krijohet në auditor me pedagogët, për ndërveprimin intelektual dhe njerëzor që bart auditori.

Janë bërë përditësime përsa i takon procesit?

Universiteti “Luarasi” pavarësisht vështirësive, mund të krenohet për arritjet e semestrit të dytë të vitit akademik 2019-2020. Në kohë shumë të shkurtër arriti të realizojë mësimdhënien në distancë (online) për të 16 programet e studimit që ai ofron. Arriti që të gjithë studentët të kishin akses në leksione e seminare qofshin këto në kohë reale sipas orarit mësimor, audio, video apo materiale didaktike në formë elektronike.

Realizoi sezonin e provimeve të alternuara online dhe në auditor me një pjesëmarrje tepër të lartë studentësh. Arriti të respektojë kalendarin akademik të planifikuar në fillim të vitit akademik 2019-2020. Ndërkohë që për 2020- 2021, organet dhe autoritetet drejtuese të Universitetit “Luarasi” po përgatiten dhe po marrin masat e nevojshme për garantimin e zhvillimit të procesit mësimor si në auditor ashtu edhe nëpërmjet platformave online për të gjithë vitin akademik. Primar për ne është shëndeti dhe siguria e studentëve stafit akademik dhe administrativ, prandaj jemi të angazhuar që të krijojmë kushtet e domosdoshme si për zhvillimin e mësimit në auditor, në platformat online apo një ndërthurje e të dyjave.

Pedagogët janë duke riparë e përditësuar si çdo vit programet e lëndëve, por tashmë nën një optikë edhe më të gjerë, për t’i përshtatur e pasuruar ato edhe në funksion të mësimdhënies online. Grupi i punës i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit është gjithmonë duke punuar për të siguruar për të gjithë aksesin dhe përmirësimin e mëtejshëm të platformave që do të shfrytëzohen për mësimdhënien online.

Po për studentët që do të regjistrohen për herë të parë në Universitet, çfarë është menduar?

Fillimi i studimeve universitare në vetvete është një rrugëtim i ri plot sfida dhe që merr jetë brenda universitetit. Ne, çdo vit të ri akademik kemi pasur ditët e informimit për studentët e vitit të parë, takime me drejtuesit e institucionit, me pedagogët e drejtuesit e zyrave ndihmës akademike. Edhe për vitin e ri akademik, duke respektuar distancimin fizik dhe masat mbrojtëse, studentët e rinj do të priten në auditorët e Universitetit “Luarasi”.

Edhe pse nga autoritet përgjegjëse nuk ka një vendimmarrje se si do të fillojë mësimi në Universitet, ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e mësimit në auditor kombinuar me mësimdhënien online me një vëmendje e kujdes të shtuar. Jemi në fazën e regjistrimit të studentëve të rinj, të cilët të shumtë kanë zgjedhur Universitetin “Luarasi”. Le të shpresojmë që situata epidemiologjike në vend të përmirësohet e të takohemi në auditor.

Cila do të jetë oferta akademike e Universitetit “Luarasi” për vitin e ri akademik? A do të ketë risi?

Risia e ofertës akademike për studentët e rinj që zgjedhin “Luarasin” është riorganizimi i programit “Bachelor” në “Drejtësi”, duke kaluar në një program të integruar 5-vjeçar. Ky riorganizim i realizuar me sukses nga Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin “Luarasi” erdhi si një kërkesë ligjore, por edhe si përgjigje ndaj ndryshimeve gjithnjë e më komplekse me të cilat po përballet në veçanti sistemi gjyqësor por edhe e gjithë shoqëria shqiptare.

Programi synon të formojë studentë që zotërojnë njohuri aftësi dhe kompetenca në fushën juridike, me një ndarje të mirëpërcaktuar midis formimit të përgjithshëm, formimit mbi aspektet thelbësore dhe më të rëndësishme të disiplinave të së drejtës pozitive dhe formimit të lëndëve të ngjashme ose integruese për të kuptuar dinamikat e së drejtës. Në veçanti, do të studiohen lëndë historikofilozofike, lëndë të së drejtës private, publike, penale, procedurale dhe ndërkombëtare por edhe lëndë që studiojnë institucionet, ekonominë, të drejtën e krahasuar dhe atë europiane.

Ky program studimi 5-vjeçar, përveçse të formëson për t’u bërë avokat, gjyqtar e noter, të jep akses për t’u punësuar si jurist në ente publike, private, organizata kombëtare e ndërkombëtare. Me këtë program studimi ne si Fakultet Drejtësie, synojmë të garantojmë një mësimdhënie cilësore që bashkon traditën dhe inovacionin në disiplinat juridike.

Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit “Luarasi”, prej 17 vitesh diplomon gjenerata profesionistësh të suksesshëm të cilët janë pjesë e netuorkut “Luarasi Alumni” që përfshin gjyqtarë, noterë, avokatë, pedagogë e juristë të shkëlqyer e të afirmuar në profesionet e tyre. Jemi te bindur se prestigji, cilësia dhe eksperienca e Fakultetit tonë do të jenë garancia më e mirë për të gjithë maturantët që do të zgjedhin “Luarasin” për të nisur karrierën e tyre universitare në fushën e drejtësisë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top