FB

November 3, 2021 | 8:15

Luis Medical Center: 20 vjet histori suksesi

Dy dekada histori suksesi që shoqërohet nga një karrierë 40-vjeçare, bashkëngjitur dëshminë e mbi 10 mijë operacioneve kirurgjikale… Sot me një axhendë kalendarike të zënë në muaj, ditë dhe orë planifikimesh, që nuk ndalet së regjistruari të interesuar me emra, moshë, gjini, për ndërhyrje, rikontrolle e konsulenca për problematika të ndryshme të fushës së otorinolaringologjisë. Dhe nuk është një llogari kaq e thjeshtë që njehson vetëm shifra, por është një fakt tregues dhe shenjues i themeleve të sigurta, që vijon edhe sot të lërë gjurmë në arkivën e pafundme të një klinike të madhe si Luis Medical Center.

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Luis Medical Center, e themeluar dhe udhëhequr nga mjeku me përvojë Kostandin Balloma, është e para klinikë që vuri bazat në fushën e otorinolaringologjisë në vendin tonë dhe e para sa i takon klinikës kirurgjikale me shtretër. Pas një përvoje të ngritur në Greqi pas viteve ’90, kirurgu Kostandin Balloma solli modelin evropian në ORL, duke ndërtuar në vitin 2000 klinikën e parë kirurgjikale me shtretër në vendin tonë, Luis Medical Center në qytetin e Gjirokastrës, e mandej për të hapur një tjetër të ngjashme në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, duke ndryshuar shumë koncepte në otorinolaringologjinë e atyre viteve.

Me kapacitetet, standardin dhe garancinë e modeleve bashkëkohore, Luis Medical Center renditet ndër klinikat më të mira të fushës së otorinolaringologjisë në vend, duke qenë një zë i rëndësishëm edhe për shumë pacientë të huaj që zgjedhin të korrigjojnë problematikat e tyre, jo vetëm shëndetësore, por edhe estetike. Në ditë të zakonshme të javës, doktor Kostandin Ballomën e ke të pamundur ta takosh, sepse është i ngarkuar në atë që ai e quan jetën e tij, të punuarit.

capture1Ndërsa në fundjavë mundesh, duke të argumentuar se nuk kryen operacione. Por, me gjithë këtë, nga një konstatim i atyshëm, doktori i ka të pashmangshme vizitat, që janë kontrollet pas operacionit, duke dëshiruar t’u përgjigjet pacientëve në kohë reale. Dhe kjo nuk e mban aspak peng nga fundjava e tij, sepse sikundër pohon, “më mirë të mbyll jetën duke punuar, se sa të luaj tavëll”. Dhe, duke sfiduar terrenet brenda një profesioni që ka konkurrencë, i është mirënjohës profesionalizmit, vullnetit dhe bindjes se puna është e mira e të gjithave, ajo që larton emrin e profesionistit dhe që ngre lart, në fushën e tij, kultin e pacientit mirënjohës.

Janë pikërisht mesazhet e telefonatat falenderuese që ai thotë se nuk reshtin, duke treguar të vërtetën e asaj që ai e bën me shpirt. Në këtë fushë, duket se genet pasionante të një profesionisti të përkushtuar, ia ka trashëguar edhe të birit, Ilia Balloma, specializant për ORL-Kirurgji e Qafës dhe Kokës në spitalin me emër “Hipokrati” në Athinë. Ky rrugëtim gjenesh padyshim ka sjellë një dëshmi paralele mes atit dhe birit, i cili ka hyrë tanimë në trashëgiminë e vlerave.

Aktiviteti i Luis Medical Center në këto 20 vjet histori, vijon me të njëjtin ritëm ndaj kërkesave me interes në fushën e otorinolaringologjisë. Dhe bëhet fjalë për shërbime të suksesshme, që nga ndërhyrjet në bajame, mishi i huaj në hundë, devijacionet me vështirësi të frymëmarrjes, duke i dhënë një rëndësi akoma më të madhe operacioneve rinoplastike e rinoseptoplastike që janë rimodelimi i hundës dhe ripërsëritja e ndërhyrjeve të gabuara, rimodelimi i veshëve, ngjirja e zërit, kirurgjia e me radhë.

capture2Doktor Kostandin Balloma, primari i Klinikës Luis Medical Center, është mjeku që për nga përvoja si profesionist arrin të kryejë një gamë të madhe operacionesh në muaj. Dhe në 40 vite karrierë regjistron mbi 10 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Doktor Balloma thotë se si statistikë rreth 70% të operacioneve janë femra dhe 30% janë meshkuj. Më së shumti kërkohet si shërbim rinoplastika, e cila ngjesh axhendën e planifikimeve, ku kryen shumë të tilla në muaj. Pra ndërhyrje estetike në hundë dhe në veshë. Një shërbim i rëndësisë së veçantë është edhe heqja e bajameve me teknikën më moderne. Është ajo që bëhet nëpërmjet radiofrekuencës, një nga metodat e sofistikuara, ku djegia është e pakët, dhimbja post-operatore është shumë më e pakët dhe nuk ka gjakrrjedhje.

Sipas doktor Ballomës, këto sëmundje janë gjenetike dhe paralelisht me bajamet e gojës sëmuren dhe ato që ne i quajmë bajamet e hundës, dhe që ndikon edhe në krijimin e mishit të huaj. Lajmi i mirë sipas kirurgut është se ka rënë incidenca e operacioneve të bajames, dhe ai ia atribuon këtë ndoshta mirëqenies.

Rinoseptoplastika, për një hundë të bukur dhe funksionale

Kirurgjia plastike e fytyrës është fokusi kryesor në Klinikën Luis, ku pjesën më të madhe të ndërhyrjeve e zë rimodelimi i hundës dhe veshëve, blefaroplastika, dhe ku trajtohen me sukses të gjitha sëmundjet e hundës, sinuseve, veshit dhe fytit. Falë aftësive të stafit të klinikës, për trajtimin e patologjive përdoren teknikat më bashkëkohore si: kirurgjia endoskopike funksionale e sinuseve (FESS), heqja e masave tumorale dhe polipeve në laring me shaver, parotidektomia me monitorim të nervit facial, heqja e bajameve me teknikën më të fundit ligashur, etj.

capture3

Rimodelimi i hundës nga ndërhyrjet e gabuara

Revizionimi i rasteve të dështuara zë një përqindje të konsiderueshme në klinikën tonë. Rindërhyrja përfshin korrigjimin e anës funksionale dhe estetike, pasi shpesh pacientët ankohen për të dyja këto shqetësime. Revizionimi është një procedurë jo e lehtë dhe kërkon një eksperiencë kirurgjikale të madhe për të arritur atë që kërkon pacienti.

Rimodelimi i veshëve ose aurikuloplastika Rimodelimi i veshëve është një tjetër ndërhyrje estetike që kryhet në klinikën tonë dhe është i shpeshtë ndër operacionet plastike të fytyrës. Është ndërhyrje që duhet të kryhet që në moshë të vogël, (pas moshës 5 vjeç) për të shmangur pasojat sociale të fëmijës me fillimin e shkollës.

Shtrembërimet e perdes së hundës

Shtrembërimi i perdes së hundës është një çrregullim i shpeshtë në specialitetin ORL dhe në shumë raste ndikon edhe në formën e jashtme të hundës. Teorikisht, hunda ndahet në dy zgavra të barabarta nga perdja e hundës, por në praktikë, rrallë ndodh që kjo perde të jetë në qendër. Pasojat janë kryesisht në prishjen e cilësisë së jetës, pasi këta të sëmurë marrin frymë me gojë; infeksionet e herë pas hershme në sinuse, duke i predispozuar për sinuzite akute dhe kronike; çrregullime të ajrosjes së veshit të mesëm.

capture4

Infeksionet kronike të bajameve

Bajamet kanë një rol shumë të vogël mbrojtjës, por ky funksion i tyre pas moshës 8-9 vjeç zbehet plotësisht. Në rastet kur ato infektohen disa herë në vit, i vetmi trajtim është heqja e tyre. Heqja e tyre ka dy indikacione kryesore: i pari lidhet me infeksionet e tyre disa herë në vit (7 herë vitin e parë, 5 herë për dy vjet rresht dhe 3 herë për tre vjet rresht) për të parandaluar ndërlikimet në organet e tjera si: infeksionet urinare, ethet reumatizmale dhe ndërlikimet në zemër; indikacioni i dytë është kur bajamet nuk infektohen, por janë shumë të zmadhuara dhe shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje te fëmija dhe apne nokturne apo mbytje në gjumë.

Tumoret e gjëndrave të pështymës

Tumoret e gjëndrave të pështymës dhe veçanërisht tumoret e gjëndrës parotis (gjëndrës përreth veshit) janë të shpeshta dhe në pjesën më të madhe të rasteve (80% e tyre) janë tumore beninje dhe lokalizohen në pjesën e sipërme të gjëndrës. Heqja e tyre është jo e thjeshtë dhe shpesh këta të sëmurë refuzojnë heqjen e tyre për shkak të dëmtimit të nervit të fytyrës me pasojë paralizën faciale. Në klinikën “Luis Medical Center”, kjo ndërhyrje kryhet me monitorim të nervit facial, duke shmangur pothuaj plotësisht dëmtimin e tij.

capture5

Kirurgjia e gjëndrës tiroide

Zmadhimi i gjëndrës tiroide është sëmundje e shpeshtë në vendin tonë, veçanërisht në disa zona, që quhen edhe zona endemike. Zmadhimi tyre apo struma, janë indikacione për heqjen e tyre. Falë stafit të specializuar vetëm në këtë nënspecialitet, heqja e tiroides në “Luis Medical Center” kryhet pa asnjë ndërlikim, duke ruajtur plotësisht zërin tek i sëmuri dhe me një kohë rehabilitimi që shkon jo më shumë se 24 orë. I sëmuri mund të flasë menjëherë pasi del nga salla dhe nuk ka asnjë shqetësim.

capture8

Trajtimi i variçeve me lazer

Trajtimi i variçeve në klinikën tonë kryhet me lazer dhe jo me kirurgji të hapur me rezultate shumë të mira. Teknika konsiston në futjen e sondës së lazerit në venën e zgjeruar dhe tërheqja e saj mbrapsht për të mbyllur plotësisht venën. Futja e sondës së lazerit kryhet nën kontrollin e EKOS guidance nga kirurgu, për të shmangur çdo gabim gjatë ndërhyrjes (saktësi dhe precizion). Hapja për të futur sondën bëhet në lëkurë dhe është 1 mm. Procedura në sallën e operimit zgjat mesatarisht 1 orë, në varësi të përparimit të sëmundjes. I sëmuri pas 2-3 orësh është në gjendje të lëvizë, nuk ka dhimbje, dhe brenda ditës shkon në shtëpi.

capture6

Kirurgjia plastike e barkut dhe gjoksit

E bukura pëlqehet nga të gjithë, dhe ne jemi vazhdimisht në kërkim të saj. Kjo kirurgji kryhet me shumë sukses në klinikën tonë, ku rastet për zmadhimin e gjoksit me anë të protezave apo ngritja e tij, heqja e dhjamit në bark me metodën e thithjes apo ndërhyrjes së hapur, janë tashmë rutinë. Falë rezultateve të mira, numri i pacienteve sa vjen dhe rritet.

capture7

Ndërhyrja endoskopike mini invazive për trajtimin e hernies diskale dhe dhimbjeve të kolonës

Konsiston në korrigjimin e hernies së shtyllës kurrizore me teknika endoskopike mini invazive. Procedura është e shkurtër dhe i sëmuri mund të largohet në shtëpi pas 3 orësh. Një tjetër risi është trajtimi i dhimbjes së kolonës, duke injektuar lënde mbushëse, duke shmangur shtypjen e nervave, që shkaktojnë dhimbje. Rehabilitimi me këto teknika është i menjëhershëm me një rezultat të shkëlqyer.

 

capture9

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top