Pika referimi

March 4, 2020 | 8:11

Malbora Gurra: Disiplina, më e rëndësishme për të arritur sukses se sa koeficienti i inteligjencës

 

Në literaturat amerikane që merren me çështjet e përparimit dhe karrierës, trajtohet shumë tema “nga pjatalarës në milioner”. Sa realist është ky fenomen? A mund secili prej nesh ta arrijë këtë?

Malbora Gurra, HR dhe Recruitmen

Malbora Gurra, HR dhe Recruitmen

Në Gjermani, në vendin ku unë jetoj dhe punoj në sektorin e HR dhe Recruitmen, e shohin fenomenin e këtij lloji si një propagandë të pastër motivuese. Në Shqipëri, duke marrë parasysh rrethanat, shumica prej jush e shohin si të pamundur. Një ngjitje e tillë trajtohet si një përrallë moderne sociale. Por e kemi gabim…

Nuk dua të tingëllojë si një trajtim motivimi i modës së vjetër, por dua të bëj diferencimin midis të bëhesh milioner dhe të jesh i suksesshëm. Duke njohur shumë histori suksesi me famë botërore, që janë krijuar nga njerëz ku pasurimi nuk ka qenë synimi i tyre, jam e mendimit se suksesi nuk matet gjithmonë në vlera monetare. Suksesi shpërblehet në forma nga më të ndryshmet, vlerën e përcaktoni.

10 këshillat e mëposhtme vlejnë për çdo lloj forme suksesi, për të gjithë njerëzit që duan të bëjnë përmirësime në jetën e tyre profesionale apo private.

Suksesi në gjuhën shqipe ka 5 shkronja “VEPRO”!

gjermani-punesimi

1.Besoni gjithmonë në qëllimin tuaj

Nëse nuk besoni në suksesin tuaj, si synoni të bindni të tjerët? Një qëllim ka nevojë për mbështetje dhe zhvillim. I vetmi person që duhet të besojë dhe mbështesë qëllimin tuaj, duke marrë parasysh çdo lloj vështirësie, jeni ju. Gjatë rrugëtimit drejt suksesit, do të takoni kundërshtarë, kritikues që nuk besojnë se do t’i arrini qëllimet tuaja. Njerëz skeptikë do të jenë në gjendje të rendisin arsyet dhe pengesat e panumërta që flasin kundër jush dhe idesë suaj. Detyra juaj është të besoni në suksesin tuaj në mënyrë të vendosur, që të mos bini në pesimizëm.

Të tjerët mund të mos jenë vërtet në gjendje ta bëjnë atë që doni të arrini, por kjo nuk do të thotë që ju nuk mundeni, për sa kohë që besoni në atë vetë.

2.Ji i apasionuar pas gjithçkaje që bëni

Në shumë biseda konsultimi që zhvilloj me maturantët në lidhje me zgjedhjen e profesionit të tyre për të ardhmen, diskutoj tema nga më të ndryshmet, por çdo bisedë rrotullohet rreth pyetjes: “Pse do të bëhesh mjek, apo avokat? Shumica prej tyre ulin sytë, ngrenë supet dhe përgjigjen “sepse është profesion i sigurt dhe mund të fitoj shumë të ardhura”. Përgjigje mjaft racionale dhe e saktë.

Ju mund të studioni edhe shkenca politike apo arkitekturë, sepse dikush ju thotë se shanset në tregun e punës janë veçanërisht të mira, se paga është shumë mbi mesataren, dhe se më vonë do të ndiqni një profesion të respektuar. Detyra ime në këtë rast nuk është të vlerësoj, por të këshilloj maturantët e mi për të bërë zgjedhjen e duhur, ndaj jam dhe e detyruar të pyes “është ky profesioni që do të bënte të lumtur zemrën tuaj?”. Pas kësaj pyetjeje, shpeshherë rrjedhin lot. Shumica prej nesh bëjmë zgjedhje në bazë të pritshmërive sociale. Pritshmëri të sofistikuara.

Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje që do t’ju çojnë drejt suksesit. Në vështirësinë e parë që do t’ju dalë, do të tërhiqeni dhe do të dëshironi të ndiqni pasionin tuaj që në fillim. Vetëm nëse veproni me pasion, jeni i gatshëm të pranoni pengesat, pohoni veten dhe bëni gjithçka që mundeni për të arritur një qëllim.

punetor3.Disiplinohu

Pavarësisht se cili është qëllimi juaj: nëse doni të arrini diçka, keni nevojë për disiplinë. Angela Duckworth dhe Martin Seligman, psikologw nga Universiteti i Pensilvanisë, tashmë kanë arritur në përfundimin se disiplina është më e rëndësishme për të arritur sukses se sa koeficienti i inteligjencës (IQ). Nuk ka rëndësi sa inteligjent apo të apasionuar jeni drejt qëllimit tuaj, faktorët vendimtarë janë forca, vullneti dhe këmbëngulja, ose me pak fjalë, disiplina. Nëse tregoni forcë në këtë pikë, keni ndërmarrë një hap të madh në rrugën drejt suksesit.

4.Përqendrohuni në pikat tuaja të forta

Ne të gjithë kemi pikat tona të forta individuale. Krijuese, analitike, artizanale… Vështirësia qëndron në vlerësimin e saktë të aftësive, mprehja e profilit tuaj dhe përqendrimin në pikat tuaja të forta. Reflektoni, analizoni situata dhe sjellje rreth jush, pyesni njerëzit që ju qëndrojnë pranë, rreth aftësive tuaja profesionale apo sociale. Pasi të keni krijuar një ide, duhet vetëm të përdorni pikat e forta siç duhet.

5.Asnjëherë mos mendoni se mund të dështoni

Frika nga dështimi është një nga pengesat më të mëdha që duhet të tejkalohen në rrugën drejt suksesit. Problemi i madh është efekti zhgënjyes që shpeshherë na shoqëron nga e kaluara. Imagjinojmë shpesh se çfarë mund të shkojë keq. Në mënyrë të pandërgjegjshme manipulojmë veten dhe kontribuojmë në pasiguritë tona dhe nuk arrijmë të kemi sukses. Përqendrohuni te suksesi dhe fshihni mundësinë e dështimit. Gjëja më e keqe që mund t’ju ndodhë është se duhet të provoni përsëri. Pra, digjni anijet me të cilat lundruat drejt ishullit ku do të ndërtoni suksesin tuaj. Nuk ka kthim pas!

16.Planifikoni sipas rrethanave

E keni menduar me detaje çfarë do të thotë për ju të suksesshëm? Cilat janë hapat dhe ku duhet të fokusoheni për të arritur qëllimin tuaj? Nëse me të vërtetë dëshironi të korrni sukses, keni nevojë për planifikim, dhe këtu hyn në lojë një qëllim specifik. Vetëm nëse përcaktoni saktësisht se çfarë doni të arrini, mund të ndërmerrni hapat e nevojshëm dhe në fund do të jeni të kënaqur, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kontrolloni nëse keni qenë efektiv në projektin tuaj.

Mos planifikoni në përgjithësi, por me detaje. Vendosini vetes afate kohore për proceset e ndryshme. Vetëm në këtë mënyrë një vizion mund të shndërrohet në një qëllim, dhe pse jo, në një histori suksesi.

7.Puno fort

Kush nuk luan këmbët nuk mund të luajë dhëmbët. E keni dëgjuar me siguri këtë fjalë të urtë. Secili prej nesh për të arritur gjëra në jetë, duhet të punojë. Kurse për ju që kërkoni suksesin, duhet të jeni të gatshëm të punoni më shumë se të tjerët. “Nëse dikush dëshiron të jetë i suksesshëm, duhet të jetë i gatshëm të përcaktojë çmimin për të cilin është i gatshëm të paguajë”. Pa sakrifica nuk ka sukses. Sado i bukur të jetë rezultati në fund, rruga zakonisht nuk është aq e lehtë. Ju duhet të bëni kompromise dhe të vendosni prioritete.

2

8.Ruani kontaktet tuaja dhe zgjeroni vazhdimisht ato

Konkurrenca luan një rol të madh kur bëhet fjalë për suksesin, por nga ana tjetër, nuk duhet të lini pas dore konkurrentët tuaj. Edhe ata janë të rëndësishëm. Qëllimi është që ju të mund të motivoni njëri-tjetrin, të mësoni nga njëri-tjetri dhe të përfitoni nga përvojat që të tjerët kanë pasur tashmë. Nëse keni krijuar një rrjet të tillë, është një nga pasuritë tuaja më të mëdha. Nuk duhet të lejoni kurrë që kontaktet të shkëputen apo zbehen. Asnjëherë nuk i dihet se kur do të keni nevojë përsëri për një këshillë apo të tjerët do të kenë nevojë për ju.

Këshilltari i mediave sociale Sansone, një vit më parë ka sugjeruar një rregull, i cili sipas edhe përvojës time profesionale është tepër efektiv: Rregulli 70-20-10

  • përdorni 70% të kohës tuaj për të ndihmuar të tjerët
  • përdorni 20% të kohës tuaj për të prezantuar veten
  • përdorni 10% të kohës tuaj për të kërkuar ndihmë

9.Ji gjithmonë i gatshëm për të mësuar

Një diplomë e shkëlqyer e shkollës së mesme ose diploma e Masterit për të cilin jeni diplomuar para pesë vjetësh, duke mos harruar përvojën e punës që keni bërë ndërkohë, mendoni se janë të mjaftueshme për të qenë i suksesshëm? Dua të përmend sërish një shprehje të urtë, të cilën ia kam përshtatur kohës, “sa të rrosh duhet të mësosh”. Sepse koha ecën dhe çdo gjë zhvillohet, ashtu si dija, proceset, profesioni, natyra etj. Nëse dëshironi të jeni suksesshëm, duhet të jeni të gatshëm që vazhdimisht të zgjeroni njohuritë tuaja dhe të shikoni jashtë zonës së rehatisë.

10.Tregoni qëndrueshmëri!

Rruga drejt suksesit nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Pengesa, mungesa e motivimi dhe zhgënjimi do të jenë pjesë e saj. E rëndësishme është që të këmbëngulni, pavarësisht vështirësive, dhe të vazhdoni të ndiqni qëllimin tuaj. Zhvilloni vetëbesimin e nevojshëm për të kuptuar se një hap mbrapa nuk është një humbje përfundimtare. Shikojini vështirësitë si një detyrë te re që duhet të mësoni ta zotëroni.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com