Posta

March 4, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Pse u ftoh marrëdhënia? Ai më telefononte dhe më niste mesazhi çdo ditë

U njoha me një djalë, online dhe bisedonim çdo ditë për tri muaj me radhë. Pasi u konsultova me nënën time, dola dhe e takova vetëm tri herë. Ai më telefononte dhe më niste mesazhi çdo ditë. Por, pas një periudhe kohore, ai më tha se mes nesh nuk mund të funksiononte asgjë për shkak të diferencës së moshës. Ai është 21 dhe unë jam 17-vjeçe. Herë pas here vazhdon më nis mesazhe, por ajo që më mundon është se nuk dëshiron më të më takojë. Çfarë duhet të bëj, ta pres apo të mos ta pres?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Mendoj se ju tashmë e keni përgjigjen e pyetjes suaj. Konfirmimi që ju kërkoni është brenda jush. Pyetjet që ju duhet t’i bëni vetes janë: A ndjeni të dy të njëjtën gjë për njëri-tjetrin? A mendoni se diferenca e moshës është aq e madhe sa mund të pengojë marrëdhënien tuaj? A mendoni se një njeri që shprehet se nuk dëshiron të takoheni, meriton vëmendjen tuaj? Të gjitha këto pyetje dhe të tjera që gulçojnë kokën tuaj, kanë të bëjnë me përballjen reale të marrëdhënies dhe emocionet që ju keni.

Jeni ende e re dhe këto përjetime futen te historitë e para të ndjenjave me një individ të seksit të kundërt. Këto marrëdhënie janë shumë të rëndësishme për formimin tuaj, por jo domosdoshmërish të qëndrueshme. Fillimisht mund të shkojnë shumë mirë, të ndezin te ju pasionin për të dëshiruar një person, por me kalimin e kohës ajo mund të ftohet dhe zbehet, duke u lëkundur edhe nga disa detaje, në dukje, fare pa rëndësi. Por shumë shpejt, hyjnë në lojë histori të reja, ndoshta edhe më të bukura.

Jetoni dhe mësoni çdo ditë nga këto marrëdhënie dhe do të zbuloni aspekte të rëndësishme të zhvillimit tuaj nga adoleshente në moshë më madhore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top