Këshilla & Arsye

February 16, 2018 | 11:49

Mania e femrave… “Nuk kam çfarë të vesh”

Femrat bashkohen në një mani të përbashkët, e cila gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një sindromë femërore: përjetimi i ankthit të “dollapit bosh”. Rroba që duken të vjetra, që nuk të vijnë mirë në trup, që nuk të pëlqejnë më… etj.
Sipas psikologes klinike Elise Ricadat, ky fenomen prek të gjitha grupmoshat dhe të gjitha klasat sociale, për aq kohë sa preket një aspekt shumë i rëndësishëm i mirëfunksionimit të feminitetit, që kalon përtej trupit e deri në përfaqësimin e vetë imazhit të femrës.
Sigurisht që ankthi i fenomenit të “dollapit bosh” prek ekskluzivisht femrat dhe joshja ndaj bukurisë e paraqitjes së jashtme transmetohet brez pas brezi. Sipas psikologes, kjo situatë është duke ndryshuar me rritjen e shqetësimit të njerëzve në lidhje me pamjen e tyre fizike dhe stereotipet janë ato që nuk zbehen kurrë.

 

Babai, nëna dhe unë

Që në fëmijëri, vajzat rriten dhe zhvillohen nën vështrimin atëror. Sipas rasteve të vërteta jetësore që psikologia ka takuar, shpjegon se sa rëndësi ka pasur imazhi që babai ka transmetuar te vajza e tij në vogëli. Babai është pa diskutim burimi i aftësisë që fitojnë vajzat  për t’u ndier femra dhe joshëse, të dashura, të denja dhe për t’u dashuruar nga të tjerët.

 

Efekti pasqyrë

Vështrimi i nënës është po aq i rëndësishëm, sa dhe i ndryshëm. Midis nënës dhe bijës ekziston një lojë pasqyrash. Vajza që do të tërheqë shembullin e nënës, elementet e para femërore ku bëjnë pjesë edhe rrobat. Nëna, në mënyrën e saj projekton mbi fëmijën elementë të cilët do të ndikojnë në të qenit një “grua e ardhshme”. Në këtë kontekst, një vajzë e cila ka një nënë që është ekstremisht e dhënë pas pamjes së saj të jashtme, ka gjasa që dhe ajo në të ardhmen t’i kushtojë rëndësi gardërobës vetjake.

 

Një çështje identiteti

Ankthi që një femër përjeton përpara gardërobës së saj, është një tregues domethënës i lidhur me identitetin dhe gjendjen emocionale. Psikologia na përcjell një rast studimi: Një paciente, e cila hera-herës kishte një marrëdhënie të dhimbshme me gardërobën e saj. Mëngjeset kur ajo ndihej e mërzitur, e lodhur dhe e stresuar, ndihej e pamotivuar për t’u kujdesur për veten e për rrjedhojë ndihej keq përballë dollapëve të veshjeve. Vështirësi për t’u kombinuar, për të pasur një paraqitje sa më të mirë fizike. Është pikërisht humori që ndikon në këto përjetime të zbrazëta. Dhe një motiv për t’u ndier më e përmbushur dhe më e sigurt në vetvete ishte blerja e ndonjë veshjeje të re. Psikologia shpjegon se pacientja në fjalë ishte rritur nga një nënë shumë elegante, gjithnjë e trukuar me kujdes, e cila në momente mërzitjeje të vajzës në vogëli, e ngushëllonte me blerjen e një “gjëje të re”.

 

Nga idealja në realitet

Një femër, e cila mund të ketë kaluar trauma, ka shumë mundësi që në moshë të rritur të përballet çdo mëngjes me këtë provë: “Dollapi im po rrëzohet nga veshjet, por gjithnjë i mungon diçka”… “Njerëzit më thonë se jam e bukur, por kjo nuk mjafton”… Psikologia nënvizon se në raste të tilla, efekti përmbushës i manisë për të blerë sa më shumë rroba nuk ekziston. Ky reagim përmban në vetvete arsye më serioze me domethënie të qenësishme. Mungesa e një figure të rëndësishme, siç është humbja e babait e njërës prej pacienteve të psikologes franceze, blerjen pa kriter të rrobave mund ta përkthejë si një mision që kapërcen boshllëkun e mungesës së figurës atërore.

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top