FB

June 4, 2025 | 10:25

Manipulimet në komunikim janë të padukshmet që shkaktojnë dëme të thella në shoqëri dhe tek njeriu

 

Në çdo familje, shkollë, zyrë apo institucion politik, manipulimi në komunikim ekziston si një hije që rrallë flitet, por gjithnjë ndjehet. Ai nuk ka gjithmonë zë të lartë, por fjalët që përdor janë të mprehta, shpesh të maskuara si dashuri, bindje, udhëzim, urtësi apo ligj. Manipulimi nuk është vetëm një teknikë për të fituar debatet por është një mënyrë sistematike për të kontrolluar njerëzit, për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të ushtruar ndikim të pabarabartë mbi mendjen dhe ndjenjat e tjetrit.

 

albina-hyseni

Në familje, kur dashuria shndërrohet në kusht

Shprehje si “Nëse nuk më dëgjon, nuk të dua më” ose “Unë e di çfarë është më mirë për ty”, nuk janë thjesht shprehje prindërore. Ato janë shembuj klasikë të manipulimit emocional, ku dashuria përdoret si mjet kontrolli. Fëmijët që rriten në këtë klimë zakonisht zhvillojnë ndjenja faji, vetëdyshimi dhe mësohen të shtypin zërin e tyre të brendshëm. Si rezultat, krijohen të rritur që ndihen të detyruar të binden, jo sepse besojnë, por sepse kanë frikë të humbin pranimin dhe dashurinë.

 

Në shoqëri, kur presioni social deformon të vërtetën

Në marrëdhëniet shoqërore, manipulimi merr formën e grupimit, izolimit të atyre që mendojnë ndryshe, e madje edhe ndëshkimit të heshtur ndaj atyre që guxojnë të jenë të sinqertë. Një mik që të thotë “Nëse nuk je me ne, je kundër nesh” në fakt nuk flet me dashuri, por me frikë dhe kontroll. Ky lloj presioni e shndërron komunikimin në një lojë përshtatjeje dhe jo autenticiteti. Njerëzit mësojnë të heshtin, të maskohen, të pajtohen për të mos humbur përkrahjen sociale edhe kur kjo do të thotë të humbasin veten.

 

Në rrjetet sociale dhe media: kur opinionet prodhohen, jo shprehen

Manipulimi i komenteve dhe i disa mediave është një formë gjithnjë e më e përhapur e ndikimit të fshehtë. Në rrjetet sociale, shumë komente që duken të zakonshme janë në fakt të krijuara qëllimisht nga profile të rreme apo “ushtri digjitale” që kanë për detyrë të krijojnë perceptim të rremë, të lartësojnë apo denigrojnë figura, ide dhe ngjarje. Këto komente nuk pasqyrojnë opinionin e qytetarëve, por interesat e atyre që kontrollojnë narrativën.

Sipas një raporti të vitit 2023 nga Qendra Ndërkombëtare për Gazetari (ICFJ), në mbi 30 shtete janë përdorur struktura të organizuara propagandistike për të manipuluar opinionin publik përmes mediave dhe rrjeteve sociale. Ato përfshijnë komente të porositura, lajme të rreme dhe raportime të fabrikuara kundër kritikëve.

Në të njëjtën kohë, disa media nuk e kryejnë më funksionin bazë të informimit, por të sugjerimit të asaj që “duhet” menduar. Ato nuk raportojnë realitetin, por e filtrojnë përmes një lenteje të caktuar, duke i imponuar publikut ndjesi faji nëse mendon ndryshe. Kështu, qytetari nuk edukon më mendimin, por thjesht e ndjek atë që është përgatitur për të.

 

Në shkolla dhe universitete edukimi me frikë, jo me mendim kritik

Manipulimi në arsim është ndër më të rrezikshmit sepse prek vetë bazën e formimit të një qytetari. Kur mësuesi pret bindje të verbër dhe jo diskutim, kur profesori e shikon kundërshtimin si mungesë respekti dhe jo si shenjë mendimi kritik ai/ajo krijon nxënës të bindur, por jo mendimtarë. Studentët mësojnë se e vërteta është ajo që thotë autoriteti, jo ajo që zbulojnë vetë. Ky model edukimi prodhon një brez që pranon gjithçka për të kaluar provimin por nuk di si të ballafaqohet me jetën reale.

 

Në punë dhe biznese nënshtrimi për mbijetesë

Në vendin e punës, manipulimi shfaqet përmes përdorimit të pozitës si armë. Punonjësit shpesh dëgjojnë fraza si: “Nëse do ta mbash këtë vend pune, bëj çfarë të thuhet” ose “Mos e ngrit shumë zërin, se je i zëvendësueshëm.” Këto forma komunikimi nuk janë vetëm presion psikologjik por edhe janë forma të mirëfillta të dhunës institucionale. Frika për të humbur vendin e punës e detyron individin të heshtë, të bëjë kompromise me veten, dhe të pranojë edhe atë që është e padrejtë, e paligjshme apo poshtëruese.

manipulues-kukulla

Në politikë ndjenja përdoret si armë, fjala si kurth

Manipulimi në politikë nuk ndodh vetëm në zgjedhje. Ai ndodh çdo ditë përmes fjalimeve të dizajnuara për të ngjallur frikë, për të ndarë qytetarët në “ne” dhe “ata”, për të fabrikuar ndjenja rreziku të përhershëm që justifikojnë vendime autoritare. Fjalët përdoren jo për të bindur, por për të mbyllur gojën e kundërshtarit. Premtimet përsëriten, realitetet mohohen, dhe populli lodhet e dini pse sepse mendja e lodhur është më e manipulueshme.

 

 

Disa nga arsyet se pse ndodh manipulimi? (shtjellimi psikologjik dhe emocional)

Manipuluesit nuk janë gjithmonë njerëz të ligj. Ata janë shpesh individë të pasigurt, që kanë frikë të humbasin kontrollin dhe e përdorin komunikimin për të mbrojtur veten. Ata ndihen më të sigurt kur kanë të tjerët nën ndikimin e tyre. Nga ana tjetër, ata që manipulohen shpesh janë të rritur me mungesë vetëvlerësimi, me ndjenjë faji të trashëguar ose me një dëshirë të thellë për t’u pranuar dhe për të mos qenë të refuzuar.

Manipulimi ndikon jo vetëm në psikikë, por edhe në trup. Stresi i vazhdueshëm, tensioni, pagjumësia dhe simptomat psikosomatike janë shpesh rezultat i komunikimit të deformuar dhe të pasinqertë. Emocionalisht, manipulimi krijon faj, ndjesi pamjaftueshmërie dhe një bindje të rreme se jemi gjithmonë ne fajtorët edhe kur nuk jemi.

 

Si ta njohim dhe ta ndalojmë manipulimin?

Pyesni veten: Po më bindin me logjikë, apo po më shtyjnë me frikë ose faj?

Mos i pranoni shprehjet e dhunshme të mbështjella me “mirësi”.

Kërkoni gjithmonë liri në mendim dhe në shprehje.

Mos lejoni askënd t’ju thotë se nuk vleni vetëm sepse nuk pajtoheni me të.

Edukoni fëmijët të bëjnë pyetje, jo vetëm të binden.

Kërkoni të informoheni nga më shumë se një burim dhe mësoni të dalloni mes informacionit dhe propagandës.

 

Andaj manipulimi është pranë nesh më shumë sesa mendojmë

Manipulimi në komunikim është një formë moderne e dhunës së padukshme. Ai ndodh çdo ditë, në forma të ndryshme, në vende që supozohet të jenë të sigurta. Ndodh në emër të dashurisë, edukimit, ligjit, rendit dhe autoritetit. Por asgjë që shkel mendimin e lirë, vlerën njerëzore dhe të drejtën për të kundërshtuar nuk mund të quhet e drejtë.

Për ta ndalur këtë plagë, duhet vetëdije, guxim dhe edukim dhe mbi të gjitha, një shoqëri që vlerëson njeriun për atë që është, jo për sa shumë pajtohet me të tjerët.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top