Marrëdhënia në çift karakterizohet nga një ndërveprim dinamik dhe i vazhdueshëm mes dy njerëzve që komunikojnë në bazë të njohjes së thellë. Pikërisht ky aspekt, pra njohja e tjetrit, është elementi më kritik dhe emblematik i jetës në dy, e cila shpesh rezervon surpriza të pakëndshme.
Jepini hapësirë dashurisë
Gjatë ditës gjeni kohën dhe mënyrën për t’i thënë partnerit “të dua”. Mund të duket banale, por është e rëndësishme. Çfarëdolloj mënyre është e duhura: mjafton një lule, një përkëdhelje, një mendim i bukur, një telefonatë, një surprizë, e cila do ta bëjë njeriun e zemrës të rëndësishëm për ju. Në fund të fundit, rëndësi ka mendimi!
Jini koherentë
Dashuria, para së gjithash, duhet të tregohet me vepra, jo me fjalë. Të silleni në mënyrë koherente është një strategji që e shpëton marrëdhënien, nëse doni të evitoni kundërshtitë mes asaj që thuhet me fjalë dhe veprimeve të përditshme. Kujdes, t’i thoni partnerit “të dua” e më pas të mos jeni të pranishëm në momentet e rëndësishme dhe në vendimet që kanë rëndësi në jetën në çift, është njësoj si ta gënjeni paturpësisht.
Flisni hapur dhe ndershmërisht
Në situata ku keni mendime të ndryshme, kontrasti dhe konflikti, është e rëndësishme të përballeni qetësisht dhe të dëgjoni në heshtje, respekt dhe empati edhe arsyet dhe këndvështrimet e partnerit pa asnjë paragjykim, dhe sidomos me vetëdijen e plotë se në një debat askush nuk fiton, por humbisni të dy. Nëse është e mundur, mos lejoni që të kalojnë më shumë se 24 orë nga debati, në mënyrë që të përpiqeni ta zgjidhni problemin ose ta kaloni sa më shpejt situatën konfliktuale. Po ashtu, duhet të keni parasysh se konflikte, që janë mëse normale për një çift, mund të jenë një moment reflektimi, njohjeje të thellë të partnerit, përballjeje dhe për pasojë edhe rritjeje dhe zhvillimi në çift.
Pranoni gabimet
Duket e lehtë, por jo të gjithë mund ta bëjnë, sepse të pranosh gabimet kërkon shumë përulësi, kurajë dhe sidomos inteligjencë sociale dhe emotive. Një sjelle kompetente dhe emotivisht inteligjente parashikon një strategji të pagabueshme në tre pikë:
- të pranoni gabimet pa asnjë mëdyshme;
- të kërkoni sinqerisht falje për atë që ka ndodhur;
- të përpiqeni të mos e përsërisni më gabimin që keni bërë.
Çiftet që kanë pikërisht këtë parim thelbësor të komunikimit ndërpersonal, kanë jetë të gjatë. Ndërsa ata që preferojnë lojëra të rrezikshme të tipit: “hedh gurin e fsheh dorën” i kanë ditët e numëruara, si dhe do të vuajnë shumë.
Mësoni të falni
Ndoshta, dashuria është sidomos aftësia për të falur. Falja është një akt dashurie që u përket njerëzve me zemër bujare. Kush nuk di të falë, nuk mund të thotë se di të dashurojë me të vërtetë. Ka situata, ku falja, në vetvete e vështirë për t’u dhënë, përfaqëson të vetmen rrugëdalje që paguhet me çmim të shtrenjtë, por është një investim gjithmonë i leverdisshëm, nëse bëhet fjalë për dashurinë e vërtetë. Në rast të kundërt, kur nuk e falni partnerin, do të jeni padyshim gjithë krenari, por njëkohësisht edhe të boshatisur brenda vetes.
Hiqni dorë nga përsosmëria
Kujtoni se askush nuk është i përsosur. Ky është një rregull i artë, të cilin në shumicën e rasteve e harroni. Nëse ia kujtoni vetes sa më shpesh mund të evitoni tensionet e kota, ankthin dhe stresin në çift. Nëse nuk pranoni kushtëzimet e partnerit ose nëse nuk i toleroni difektet e tij, me shumë gjasa nuk e dashuroni aq sa duhet, ose ndoshta keni një këndvështrim të shtrembëruar dhe fëmijëror për dashurinë. Kjo gjë mund të gjenerojë edhe konflikte të ashpra në marrëdhënie, por në këtë pikë, është mirë që të pyesni mbi arsyet bazë të zgjedhjes suaj dhe t’i jepni vetes përgjigje koherente. Me pak fjalë, nuk mund të pretendoni përsosmërinë në marrëdhënie ose nga partneri.
Krijoni intimitet në çift
Ruajtja e marrëdhënies përgjatë kohës është e lidhur edhe me nivelin e intimitetit që partnerët vendosin mes njëri-tjetrit. Intimiteti është një ngjitës i jashtëzakonshëm, edhe më i fortë se pasioni, por që për të funksionuar ka nevojë të ushqehet vazhdimisht nëpërmjet besimit reciprok të thellë dhe të pakushtëzuar. Vetëm mbi këto baza është e mundur që të shfaqeni plotësisht te partneri, t’i tregoni sekretet, të zhvishni dobësitë dhe frikërat pa pasur drojë se mos dukeni të brishtë dhe të dobët.
Intimiteti është në sintezë një element fortësisht i karakterizuar nga qëndrueshmëria në çift, e cila sa më intime të jetë, aq më shumë do të duket e bashkuar dhe e sigurt edhe në sytë e të tjerëve, falë ndjenjës së bashkëpunimit, e cila njëkohësisht shkakton intimitetin mes dy njerëzve që dashurohen.
Përkushtohuni ndaj njëri-tjetrit
Është, padyshim, rregulli më i vështirë që duhet ndjekur në një marrëdhënie në çift. Në fakt, përkushtimi kërkon, nga njëra anë marrjen e përgjegjësive kundrejt partnerit, dhe nga ana tjetër vullnetin dhe dëshirën për të mos e zhgënjyer atë, duke ruajtur në çdo situatë një sjellje të përshtatshme, e cila garanton kushtet e ekuilibrin emotiv dhe qëndrueshmërinë në çift. Po përse është kaq e vështirë të përkushtohesh ndaj partnerit? Ndoshta sepse përkushtimi kërkon sakrificë, të hiqni dorë, aftësi për të dhuruar pa pretenduar gjë në këmbin, përdorimin e burimeve personale në favor të tjetrit, altruizëm ose më mirë mungesë egoizmi, dedikim.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.