Marigo Posio është një nga figurat e njohura të patriotizmit shqiptar, emri i së cilës është lidhur me flamurin kombëtar të ngritur nga Ismail Qemali në Vlorë, më 28 Nëntor 1912. Por kontributi i saj për Shqipërinë nuk përfundon te qëndisja e flamurit. Ajo ishte një veprimtare e përkushtuar e çështjes kombëtare, e arsimit dhe emancipimit të gruas shqiptare.

Në historinë e Pavarësisë së Shqipërisë, krahas emrave të burrave që udhëhoqën procesin e shtetformimit, një vend të veçantë zë edhe Marigo Posio, gruaja që historiografia shqiptare e ka përmendur si qëndistare të flamurit të Pavarësisë.
Marigo Posio ishte me origjinë nga Hoçishti i Devollit. Në vitin 1904 u vendos në Vlorë, së bashku me bashkëshortin e saj, Jovan Posio. Në këtë qytet ajo u përfshi në jetën patriotike dhe shoqërore, duke u bërë pjesë e rrethit të veprimtarëve që punonin për çështjen kombëtare shqiptare.
Emri i saj u lidh veçanërisht me flamurin që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912, ditën kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sipas një varianti të njohur në historiografinë shqiptare, Marigo Posio kishte qëndisur flamurin ose kishte realizuar shqiponjën që u vendos mbi të. Studiuesja Ledia Dushku, në studimin e saj “Lef Nosi dhe historia e Flamurit të Pavarësisë”, botuar në revistën shkencore “Studime Historike më 2013”, trajton disa versione mbi origjinën e flamurit. Ajo dokumenton se varianti që ia atribuon përgatitjen e flamurit Marigo Posios ishte i pranishëm që në vitet e para pas Pavarësisë. Ndër dëshmitë e përmendura është edhe shkrimi i Kristo Floqit, botuar më 9 dhjetor 1928.
Megjithatë, studiuesja evidenton edhe versione të tjera për origjinën e flamurit, çka tregon se kjo çështje duhet trajtuar me kujdes historik dhe mbështetje dokumentare.
Një tjetër kontribut i rëndësishëm ishte themelimi i gazetës “Shpresa Kombëtare”, numri i parë i së cilës doli më 6 shkurt 1921. Marigo Posio ishte drejtoreshë e përgjithshme e saj. Gazeta trajtonte çështje të arsimit, emancipimit dhe rolit të gruas në shoqëri. Këto të dhëna dokumentohen në studimin e Enkelejda Billës dhe Ermal Sinës, “Marigo Posio dhe aktiviteti i saj publicistik”, botuar në Buletinin Shkencor të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, në vitin 2024, të cilin e gjeti të plotë si më poshtë.

***
Marigo Posio dhe aktiviteti i saj publicistik
Dr. Enkelejda Billa
Phd. Ermal Sina
Universiteti “Ismail Qemali”,Vlorë
Fakulteti i Shkencave Humane
Departamenti i Edukimit
Në jetën politike, shoqërore dhe kulturore të qytetit të Vlorës, qysh në fillim të shekullit të XX spikati një emër i veçantë, ai i Marigo Posios. Ajo së bashku me disa gra intelektuale të qytetit themeluan në maj të vitit 1914 shoqërinë e grave “Shpresa Kombëtare” e cila e ndaloi veprimtarinë e saj në shtator 1914, për t’u ringjallur përsëri pas fitores së Luftës së Vlorës 1920.
Shoqëria demokratike e grave vlonjate gjallëroi më tej jetën kulturore me debate e diskutime për rolin e gruas në shoqëri, edukimin atdhetar dhe arsimor të fëmijëve, çlirimin nga zakonet e vjetra, duke u ngritur kundër martesave të vajzave në moshë të vogël, luftën kundër analfabetizmit etj. Sipas programit të kësaj shoqërie gruaja kishte një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në familje, por në tërë jetën e shoqërisë. Vetë shoqëria me çeljen e shkollave dhe kontaktet me vende të tjera të qytetëruara të Europës, ndodhej përballë ndryshimeve të mëdha, të cilat kërkonin edhe një përgatitje kulturore e arsimore tjetër të femrës shqiptare.
Për t’i dhënë një gjallëri të mëtejshme jetës së gruas vlonjate, Marigo Posio dhe shoqëria “Shpresa Kombëtare” themeluan në Vlorë edhe gazetën me emrin “Shpresa Kombëtare”, numri i parë i së cilës doli në qarkulli më 6 shkurt 1921, me drejtore të përgjithshme vetë Marigo Posion, me okelion “Organ i femrave të shoqërisë”. Në jetën politike, shoqërore dhe kulturore të qytetit të Vlorës, qysh në fillim të shek. XX përndriti një emër i veçantë, ai i Marigo Posios, anëtares së klubit atdhetar “Labëria” dhe qëndistares së Flamurit Kombëtar, i cili u shfaq më 28 nëntor 1912 në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.
Në vargun e madh të rilindësve shqiptarë një vend të rëndësishëm ndër ata që ju kushtua çështjes së atdheut në ato çaste që po kalonte vendi ka qenë dhe patriotja me zemër të madhe nëna e kombit siç e quanin bashkëkohësit Marigo Posion. Marigoja, vajza korçare e martuar me Jovan Posion, nga fshati Hoçisht i Devollit, u detyrua të largohet nga ky fshat për arsye të ndjekjeve që u bëheshin patriotëve dhe në vitin 1904, u vendos në Vlorë në lagjen Muradie. Familja vuajti nga një sërë fatkeqësish, së pari me fëmijët e tyre, dhe më vonë me shëndetin e Marigosë për shkak të tuberkulozit. Kristo Floqi ngriti zërin më 9 dhjetor 1928 duke akuzuar autoritetet shqiptare se kishin harruar kontributin e Marigos. Marigo nuk e mori “statusin e veteranit”, ashtu si shumë të tjerë bënë në vitin 1912.
Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe. Në të gjithë veprimtarinë e saj spikati akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe si i tillë mbeti simbol duke u dekoruar me dekoratën më të lartë Flamuri i Kombit (Dekreti 3292 i datës 15. 04. 2002), por Marigoja zhvilloi edhe një veprimtari të gjerë politike, atdhetare dhe emancipuese. Siç shkruhet në shtypin e kohës dhe nga mjaft autorë si: Eqerem bej Vlora, Kristo Floqi, Jani Minga, Halim Xhelo, Thanas Floqi, Ibrahim Shyti, Kristo Luarasi, Haki Glina, Muço Qulli, Mihal Grameno, Sali Nivica, Jakov Milaj dhe në kohët më pas, veprimtaria e saj kulturore dhe atdhetare la gjurmë të thella në lëvizjen kulturore në Vlorë.

Me Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, qeveria e Ismail Qemalit u ndesh me vështirësi të shumta, pasi vendi u bë shesh lufte nga fuqitë ballkanike ndërluftuese. Mijëra shqiptarë nga viset jugore të vendit nga shkaku i flakëve të luftës, djegies dhe shkatërrimit të vatrave të tyre familjare nga ushtria greke, u grumbulluan në ullishtat e Vlorës, si dhe në Vllahinë, Sevaster, Armen dhe fushën e Cakranit. Qysh në maj të vitit 1914, Marigo Posio së bashku me disa gra intelektuale të qytetit, si: Hamide Vlora, Polikseni Koleka, Sado Kanina etj., themeluan shoqërinë e grave “Shpresa Kombëtare”. Me ardhjen në qytetin e Vlorës të Princ Vidit, pas takimit me të kjo shoqëri e shpalli gruan e tij, Sofie, Presidente Nderi. Kryetare u zgjodh Hanëme Vlora, ndërsa sekretare e Përgjithshme zonja Marigo. Në faqet e gazetës “Populli”, 6 gusht 1914, vihet në dukje ndihma e madhe që u dha muhaxhirëve Marigo Posio dhe shoqëria e grave vlonjate. Duke trokitur në çdo portë vlonjate, te tregtarët dhe zejtarët e vegjël, Marigo Posio mundi të mbledhë 21.813 grosh për ushqime e veshmbathje për muhaxhirët. Me zaptimin e Vlorës prej kryengritësve rebelë të Haxhi Qamilit, në shtator të vitit 1914, shoqëria e grave vlonjate “Shpresa Kombëtare” e ndaloi veprimtarinë e saj. Pas fitores së Luftës së Vlorës 1920, në qytetin e Vlorës u krijuan kushte të reja që edhe gruaja shqiptare të jepte kontributin e vet në zhvillimin e jetës ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Me ndihmën e Shtjefën Gjeçovit, Halim Xhelos dhe Dom Mark Vasës, Marigo Posio riorganizoi shoqërinë e grave “Shpresa Kombëtare”. Lajmin e ringritjes së kësaj shoqërie së pari e jep gazeta “Mbrojtja Kombëtare”: “Të dielën e kaluar u mblodhën ca zonja në shkollën e çupave për bisedime, për formimin e shoqërisë “Shpresa Kombëtare”, por duke mos qenë në një numër të mjaftë sa për të zgjedhur ligjërisht një pleqësi bëmë mejtim për thrrjen e përgjithshme që të bëhet mbledhja gjerësisht të dielën më 16 janar, ora 2 pasdreke. O burra të ndershëm, këshilloni ju fëmijën (familjen – E.B.) tuaj që të mos mungojë të dielën nga shoqëria e vet, pse Atdheu prêt shërbime të mëdha nga gruaja shqiptare…”
Krijimi e kësaj shoqërie demokratike të grave vlonjate e përshëndetën mjaft intelektualë të njohur të Vlorës si: Ali Asllani, Jani Minga, Spiro J. Koleka, Halim Xhelo, Seit Qemali, Ibrahim Shyti, Shtjefën Gjeçovi, si dhe shoqëria patriotike “Mbrojtja Kombëtare”. Në mesazhin e shoqërisë “Mbrojtja Kombëtare” dërguar zonjës Marigo Posio dhe grave vlonjate thuhej: “Shoqëria Mbrojtja Kombëtare gëzohet, gëzohet dhe pse hollë kupton që do t’i vijë kombit tonë një ndryshim rrënjësor në përparimin qytetënuer. Ne, burrat, gjithnjë ua kemi hedhur fajin prindërve tanë, që nga padituria e tyre na rritën të verbër, po nuk e mejtojmë që edhe ata që do të vijnë pas neve,po qe se nuk përkujdesemi, do të na mallkojnë shpirtin, pse i lamë në errësirë… Ati (Babai) është drejtonjësi dhe udhëheqësi i fëmijës. Mëma është shikuesja dhe rritësia e çilimiut, është themeli i moralit të parë shtëpiak, të cilën pjella e trashëgon si një natyrë të dytë dhe me qëndresë e heq më vete deri në gropën e varrit. Jeta praktike na rrëfen se mësimi i nënës është më i fuqishëm nga mësimet e çdo shkolle, andaj lipset që nëna të ndajë mirë detyrën e saj që t’ia kalli përlimisht fëmijës dhe shtëpisë…”
Shoqëria demokratike e grave vlonjate “Shpresa Kombëtare” e gjallëroi më tej jetën e tyre me debate e diskutime për rolin e gruas në jetën e shoqërisë, edukimin atdhetar dhe arsimor të fëmijëve, çlirimin nga zakonet e vjetra, duke u ngritur kundër martesave të vajzave në moshë të vogël. Nga takimet e shpeshta me gratë në lagjen “Muradie”, “Vrenez” dhe “Tophana”, në vitin shkollor 1921-1922, u përfshinë në shkollën mashkullore dhe atë të çupave 120 nxënës më shumë. Një punë të veçantë shoqëria e grave “Shpresa Kombëtare” bëri edhe në luftën kundër analfabetizmit. Vetë Marigo Posio, si dhe mësuesit: Jani Minga, Elpiza Bazaj e Polikseni Koleka, një ditë në javë drejtonin kurset e mësimit kundër analfabetizmit, ku ishin përfshirë 34 gra e vajza. Për përparimin e tyre në mësime, M. Posio shkroi disa artikuj me pseudonimin “Shqipëria” në gazetën “Korça” dhe “Mbrojtja Kombëtare”.
Emancipimi i grave dhe i vajzave, shikohej nga shoqëria “Shpresa Kombëtare” dhe zonja Marigo Posio si një nga detyrat e rëndësishme të shoqërisë shqiptare, për ngritjen kulturore të shoqërisë dhe thyerjen e vargonjve të prapambetjes dhe varfërisë e mjerimit. Nëpërmjet kulturës ajo kundron edhe bashkimin e vllazërimin e njerëzve, si dhe përpjekjet e tyre për të kuptuar më mirë ligësitë e shovinistëve fqinjë, të cilët me anën e shkollave turke, greke e italiane, helmonin ndërgjegjen kombëtare të brezit të ri. Duke lavdëruar punën e çmuar të mësueses Polikseni Koleka, në shkollën femërore, Marigo Posio shpreh bindjen e saj dhe admirimin “e kësaj gruaje me ndjenja të atdhetarta dhe të fisme, për guximin dhe trimërinë e kësaj gruaje mëmëdhetare” Në këtë shkrim dhe shkrime të tjera, Marigo Posio gjen rastin të vlerësojë lart shembullin atdhetar të grave shqiptare, të cilat shërbejnë si burim frymëzimi edhe për burrat dhe djemtë e rinj “për të punuar vepra të shkëlqyera dhe të dobishme për kombin tonë…”
Në përshëndetjen e tij për themelimin e shoqërisë së grave vlonjate “Shpresa Kombëtare”, publicisti Halim Xhelo në artikullin “Brezi i ri kombëtar” në faqet e gazetës “Mbrojtja Kombëtare”, me plot besim shprehej se, gruaja shqiptare, duke kërkuar të drejtat e saj me guxim, do të dinte edhe më mirë të mbjellin në shpirtin e tij ndjenjat kombëtare, “për të ndërtuar një Shqipëri të re dhe europiane’’.
Për t’i dhënë një gjallëri të mëtejshme jetës demokratike të gruas vlonjate, Marigo Posio dhe shoqëria “Shpresa Kombëtare” themeluan në Vlorë edhe gazetën me emrin “Shpresa Kombëtare”, numri i parë i së cilës doli në qarkullim më 6 shkurt 1921, me drejtore të Përgjithshme vetë Marigo Posion, me okelion “Organ i femrave të shoqërisë”. Qysh në kryeartikullin e numrit të parë të kësaj gazete nën titullin “Lypset kujdesim për femrat”, shoqëria “Shpresa Kombëtare” trajton një varg problemesh për përparimin dhe lartësimin e femrës shqiptare. Sipas këtij artikulli, programi i kësaj shoqërie ishte i gjerë, duke u mbështetur në traditat e mira të gruas shqiptare, ajo synonte të nxiste më tej misionin e saj “për plotësimin dhe mbarimin e detyrës së lartë që femra ka kundrejt shtëpisë (familjes E.B) shoqërisë dhe Mëmëdheut…”
Sipas programit të shoqërisë “Shpresa Kombëtare”, gruaja kishte një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në familje, por në tërë jetën e shoqërisë. Vetë shoqëria me çeljen e shkollave dhe kontaktet me vende të tjera të qytetëruara të Europës, ndodhej përballë ndryshimeve të mëdha, të cilat kërkonin edhe një përgatitje kulturore e arsimore tjetër të femrës shqiptare. Duke u ndalur në disa cilësime që i bëheshin racës shqiptare në shtypin europian, se “kombi ynë nuk është i qytetëruar, femrën e ka si kafshë, shtëpinë e ka burg” etj., shoqëria kërkonte që shqiptarët të bëheshin të zotët e vetes, të ndreqnin të metat, duke dalë në dritën e qytetërimit me punë e sakrifica. Në faqet e gazetës “Shpresa Kombëtare”, shoqëria e grave vlonjate pasqyronte edhe kontributin e vet qysh në vitin 1914, kur së pari një grup grash e vajzash vlonjate, ndihmuan e sakrifikuan për muhaxhirët e Shqipërisë së Jugut, duke shpëtuar qindra jetë njerëzish nga plagët e luftës, uria, mjerimi dhe sëmundjet e ndryshme.
Duke parë kushtet e reja të zhvillimit të lirisë dhe frymës demokratike, shoqëria “Shpresa Kombëtare”, kishte përcaktuar në Kanonizmën e saj edhe misionin e ri “për të forcuar shpresën që kombi shqiptar ka në fuqinë e vet për kohën e ardhshme” Në faqet e kësaj gazete botohet edhe Programi i Shoqërisë “Shpresa Kombëtare”: “Shoqëria e zonjave të Vlorës “Shpresa Kombëtare” që ish filluar më 10 maj 1914, po ngjallet sot për të dytën herë.
Shoqëria demokratike e grave të Vlorës
“Shpresa Kombëtare” e vazhdoi veprimtarinë e saj kulturore e arsimore deri në vitin 1924, kohë kur zonja Marigo Posio mbajti në emër të kësaj shoqërie fjalën e saj në varrimin e Avni Rustemit. Ajo kishte lidhje e bashkëpunim edhe me shoqëritë e grave në Berat, Korçë, Shkodër e Durrës. Por sëmundja e tuberkulozit, bëri që M. Posio të shtrohet në një spital në Austri, ku qëndroi disa vjet dhe shoqëria nuk e vijoi më tej veprimtarinë e saj. “Shpresa Kombëtare”, Është gazetë e përdyjavshme atdhetare, shoqërore e letrare, organ i shoqërisë së grave vlonjate me të njëjtin emër. Gazetë e parë e këtij lloji në Shqipëri. Drejtohej nga atdhetarja Marigo Posio. Numri i parë i saj doli më 6 shkurt 1921 duke dalë në dritë 6 numra. Gazeta kushtonte: Pajtimet në Shqipëri për një vit 20 Lireta, për gjashtë muaj 12 Lireta.
Pajtimet jashtë Shqipërisë për një vit 25 Lireta, për gjashtë muaj 15 Lireta. Kryesisht trajtoi probleme shoqërore që lidheshin me çlirimin shoqëror të femrës, duke u kushtuar vëmendje të posaçme arsimit dhe lartësimit moral të saj, ngriti lart rolin e arsimit dhe edukimit të brezit të ri duke kërkuar dhe shkolla të përbashkëta për djemtë dhe vajzat. Kërkoi që femrës t’i jepej e drejta e votës.

Qysh në artikullin e dt.6 shkurt 1921 në faqet e gazetës bëhet fjalë për “përparimin, arsimin dhe zgjimin e femrës shqiptare”
Shoqëria e Grave Vlonjate nëpërmjet artikujve të veçantë për çështjen e shkollave vazhdimisht ngre problemin para shoqërisë ,për stërvitjen e vajzave në shkollë duke ndihmuar me të holla, vajzat e varfëra të vazhdojnë mësimet në shkollat e larta. Qysh në artikullin redaksional të numrit të parë të kësaj gazete “Lypset kujdesim për femëra|” artikullshkruesja, që siç duket është Marigo Posio, ngre nevojën e emancipimit të femrës, e cila nuk mund të zhvillohet pa arsimin e saj, e mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë. Sipas saj shtetet e mëdha të Europës janë qytetëruar duke arsimuar të gjitha shtresat e shoqërisë. Ajo shkruan “ Programi i fletores Shpresa Kombëtare do të jetë shtytj’ e paprerë në përparim dhe lartësim, morale dhe material , së femërësë shqiptarkë, duke u përpjekur me gjith fuqiët, që ti forcojë ato zakone të mira, që deri më sot I kanë mbajtur të larta e të lavdëruara femërat t’ona, si dhe të thithën si bleta, ng’ ato të botës, që munt të pajtohen me të vetat, për plotësimim dhe mbaresën e detyrës së lartë, që femëra ka kundreq, shtëpies, shoqëries dhe mëmëdheut.” Mjaft interesant është edhe artikulli i shkruar në këtë gazetë nga e bija Fereniqi Posja nën titullin “Shkollë-shkollë”. Artikullshkruesja duke bërë një pasqyre të prapambetjes së popullit tonë ndër shekuj thekson se ka ardhur koha që femrës t’i jepet roli I merituar edhe në shoqërinë shqiptare, duke iI kushtuar rëndësi shumë të madhe arsimimit të saj: “ Ne femrat lipset të përpiqemi të vemë përpara, sepse nga përparimi I femrës, vjen përparim i përgjithshëm. Këtë gjë do të mundim ta bëjmë me përpjekjen tonë për arësimin, duke ndimuar( të gjitha) shoqeve tona, që kanë këtë qëllim, që të mundin të dërgojnë vajsa në për më të mirat shkolla të jashtme, e kësisoj të pregatiten mësonjënëse të mbaruara. Atëherë po do të mundim të shoim që dhe ne do rojmë.”
Në vazhdim të idesë së rilindasve tanë të mëdhenj në këtë artikull, si shkak i gjithë të këqijave të shoqërisë, quhet mungesa e kulturës, padija, prandaj kërkohet që të çelen dhe të ndiqen sa më shumë shkollat: “Është e ditur që e gjithë kjo që vërejmë në kohërat e shkuara nga shkelja e të huajve në Shqipëri ishin conseguencat e padijes”. Një mbivlerësim i tillë i rolit të kulturës mendojmë se e ka bërë të kuptojë qartë mendimin humanist që kishte autorja për zhvillimin e shoqërisë njerëzore, ndaj në artikull argumentohet edhe arsyeja e kësaj prapambetje: “Për fat të keq në të gjitha kombet e Ballkanit, kombi që ka jetuar mbrapa është kombi shqiptar. Jo se i mungon dëshira dhe inteligjenca, por hordhitë e 500 vjetëve që e ndalonin mësimin e gjuhës amtare. Për këtë shkak ky i ngrati popull ka mbetur kaq mbrapa”. Shoqëria Mbrojtja Kombëtare në faqet e gazetës së saj përgëzon themelueset dhe drejtuesen e ”Shpresa Kombëtare”, duke e ditur rolin e rëndësishëm të femrave në një shoqëri shkruan:” Shoqëria “Mbrojtja Kombëtare” gëzohet! Gëzohet !dhe gëzohet! Pse hollë kupëton nga do I vijë kombit t’onë aji ndryshim rrënjësor në përparimin gjytetnuër.” Në faqet e gazetës “Shpresa Kombëtare” shpesh flitet për traditat, zakonet e kulturën e shqiptarëve, të cilat duhet të ndriçohen nga idetë e reja iluministe. Aty këmbëngulet që mjaft gra e vajza të shkollohen edhe jashtë vendit në vendet perëndimore ,pasi kështu arrihet përparimi i përgjithshëm.
Marigo Posjo e quan zhvillimin mendor të shqiptarëve një detyrë imediate të kohës:
“Njeriu sot nuk lipset të mendojë e të përkujdeset vetëm për ushqimin e trupit. Veç kësaj detyrë ka edhe një tjetër, gjithnjë të madhe e me rëndësi dhe kjo është zhvillimi dhe lëvrimi i mendjes”. Në disa artikuj të gazetës “Shpresa Kombëtare” si shembuj merren Naim Frashëri e Kristoforidhi, por edhe rilindas të tjerë, të cilët e kanë parë kurdoherë arsimin si një zgjim kombëtar të ndërgjegjes kombëtare, por edhe domosdoshmëri për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të komb Një fushë e gjerë e artikujve publicistikë të kësaj gazete ishte edhe ajo e luftës kundër zakoneve prapanike, thashethemet dhe martesat e vajzave në mosha të vogla, mbyllja brenda mureve të shtëpisë, mungesa e arsimit dhe e lirisë së tyre, të cilat e kishin kufizuar rolin e tyre në jetën e shoqërisë. Për këtë arsye shoqëria “Shpresa Kombëtare” dhe artikujt e ndryshëm si ai “Arsim, arsim” nën emrin e Fereniqi Pozios, i bënte thirrje shoqërisë në vazhdën e mendimit të rilindësve tanë të mëdhenj, të sprapsnin këtë të keqe të madhe, analfabetizmin e grave dhe të vajzave, që ishte një plagë e thellë e shoqërisë. Duke e vlerësuar rolin e kulturës dhe të arsimit në jetën e shoqërisë, gazeta “Shpresa Kombëtare” e shikonte atë si një faktor të veçantë të zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë. Fitorja e Luftës së Vlorës, ku edhe gratë kishin dhënë kontributin e tyre, tashmë kishte çelur një fat të ri edhe për gruan shqiptare për të marrë pjesë aktive në jetën shqiptare që “edhe ne të përpiqemi me tërë fuqitë të arrijmë shkallën e kombeve të tjera…”
Në artikullin “Nevoja e mësimit” rithekson disa herë se arsimi dhe kultura mund të fitohen vetëm në shkollë, ndaj e quan këtë institucion të pazëvendësueshëm për jetën e shoqërisë. Megjithatë, krahas shkollave të huaja, Marigo Posjo e gazeta “Shpresa Kombëtare” këmbëngulën në mendimin e tyre në krijimin e shkollës kombëtare shqipe, si një “ndërtesë të qytertë që ndrit mendjen e njeriut dhe ka në dorë përparimin e një kombi e të gjithë njërzisë.” Edhe pse në disa artikuj pranohet se shpresa e Shqipërisë kishte filluar qysh me shpalljen e Pavarësië, Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës e kishin vulosur atë. Frenimin e zhvillimit të arsimit e të kulturës ajo e shikonte në rrethanat e brendshme dhe të jashtme të varfëra e mjerimi, ndaj me nota revolte ajo kërkon zhvillimin kombëtar arsimor të vendit. Në këtë kuadër gazeta “Shpresa Kombëtare” bëri që brezi i ri të hedh përtej mentalitetet e vjetra dhe të padijes, të shfaqë të gjallë dëshirën e mësimit “që të dëftehemi vërtet një komb i zotë, që të ngre e të përparojë si të tjerët”.
Në të gjithë numrat e gazetës çështja e arsimimit dhe emancipimit të femrës mbetet kryesorja. Në kryeartikullin “Togu i Shenjt” Fereniqi Posjo, duke i’u drejtuar atyre që kanë mundësi të ndryshojnë situatën e rëndë në të cilën gjendet gruaja shqiptare shkruan :” Tani a është e drejtë që ky ëngjëll i families(gruaja) , të jetë kaq prapa dhe pa përkujdesim?
Juve që frerin e families e keni në dorë, juve që qeverisni vazhdimin e marë në të mirën materiale, ekonomike, të zbukurimit të nderit, juve ju mbetet, përgjigje, dhe përgjigjuni vehtes s’uaj. “
Në një rubrikë të posacme të titulluar “Ca nga çëdo anë” kjo gazetë informonte edhe në lidhje me lajme nga shtete të tjera , por që kishte të bënte me gratë psh në njoftimin “Regimenti femëruer i Polonis” tregon pjesëmarrjen e grave në luftë , në lajmin “O Fatë ose nëpunësi” tregon grevën e vajzave që punojnë në një bankë në Napoli, të cilave u kërkohet të japing dorëheqjen nga puna nëse martohen. Pra sic duket në cdo rresht të gazetës “Shpresa Kombëtare” lufta për emancipimin e femrës është kryesorja.
Gazeta i’u bën thirrje të gjitha zonjave të Shqipërisë për bashkëpunim me artikuj, vjersha, lajme etj.Pavarësisht se gazeta doli vetëm në 6 numra, shpresa nuk duhej të vdiste kurrë dhe ashtu sic mori edhe emrin “Shpresa Kombëtare” në cdo numër shkruhej “ Ay komb që ka Shpresë, ay do rrojë I gëzuar! Ajo motër që nuk është me shpresë, ajo do dëshpërohet”. Gjithashtu Marigo Posjo Drejtoreshë e përgjithshme e gazetës bën thirrje :” Janë të lutura të gjitha zonjat Kombëtarka, ta huajnë.
Shoqeve dhe mikëreshave, Fletoren Shpresa Kombëtare që del një herë në dy javë”
Me rastin e fushatës së zgjedhjeve të reja parlamentare të vitit 1921, gazeta “Shpresa Kombëtare” ngrinte disa probleme, të cilat lidheshin ngushtë edhe me rolin e shtetit dhe përgjegjësinë e tij për edukimin “e djemve dhe të çupave”, pasi shtylla më e fortë për begatinë e Atdheut “është dituria edhe për femra si për burrat”. Ndaj shoqëria e grave vlonjate ngre zërin e protestës për barazinë e burrave dhe grave, por edhe kundër mohimit të së drejtës së votës për gratë, duke i privuar ato nga jeta politike e shoqërisë. Në artikullin “Një çikë nga të gjitha” zëri i protestës femërore bëhej edhe më i fuqishëm: “Kandidatët (për deputetë – E.B) duan të përpiqen për shkolla për djem. Po vajzat nuk janë edhe ato pjesëtare të një kombësie? Sikur të ish që të votonin edhe gratë, mendojmë se këta kandidatë nuk do të kishin asnjë votë nga të femrave…”
Në faqet e gazetës “Shpresa Kombëtare” botoheshin herë pas here edhe artikuj të tillë si “Flamuri”, “Si e duam mëmëdhenë”, “Dashuria për Atdheun” etj., nëpërmjet të cilëve vajzat e reja marrin mësime atdhetarie për edukimin e tyre me ndjenja kombëtare. Në këtë aspekt, për të nxitur recitimet e vajzave në shkolla në faqet e gazetës botoheshin edhe mjaft vjersha me frymën e dashurisë për Atdheun dhe gjuhën shqipe. Drejtuesja e Gazetës dhe e shoqërisë me të njëjtin emër publicistja dhe patriotja Marigo Posjo shfaqet edhe si një poete. Poezia e saj e njohur për Avni Rustemin u botua në numrin e dytë të gazetës me pseudonimin Luanesha. Gazeta “Shpresa Kombëtare” siç u përmend vazhdoi për pak muaj. Kur entuziazmi që kishte grumbulluar të gjitha gratë e Vlorës rreth Zonjës Marigo u shua, shoqëria u shpërnda dhe gazeta u mbyll. Zonja Marigo tashmë ishte plakur dhe përveç pleqërisë, sëmundjet e mjerimet familjare nuk e linin të qetë. Dy vajza dhe biri i vetëm i vdiqën nga tuberkulozi. Ajo vdiq në vitin 1932, dhe u varros në varrezat e Manastirit të Zvërnecit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

