FB

November 25, 2021 | 8:03

Marrja e vendimit për zgjidhjen e një dileme, duke ju referuar etikës

 

 

Sot, si rezultat i nevojave për një qytetërim dhe emancipim të njerëzve, komuniteteve i janë kthyer shkencës së Etikës për ta vënë në baza më të mëdha filozofike me qëllimin që të kuptohet, vlerësohet dhe aplikohet si një ”çelës” i domosdoshëm për të hapur portat e dijes, që njerëzit të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin, të respektojnë ligjet dhe shtetin demokratik. Për të qenë më humanë dhe të arrijnë të plotësojnë kërkesat dhe nevojat e mjaftueshme sociale, për një jetë plot dinamizëm, qytetari, kulturë dhe për të qenë sa më të socializuar në jetën shoqërore.

ilia

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

Duke iu referuar filozofit më të madh bashkëkohor francez, Paul Ricour i cili e quan Etikën mjetin e vetëm të orientimit, në thelb të saj cilëson: ”Etika është Fjalori i Perëndimit”. Nëse i referohemi viteve ‘80-të, ato i përkasin zhvillimit të ndjeshmërisë botërore ndaj ekologjisë. Vitet ‘90-të kishin shqetësim problemet e biologjisë. Ndërsa ky fillimshekulli, po tregohet veçanërisht i ndjeshëm ndaj Filozofisë Morale (Etikës).

Sot bota perëndimore njeh e aplikon: Etikën bankare, Etikën sociale, Etikën e tregut, Etikën financiare, Etikën politike, Etikën profesionale të mësimdhënësit, Etikën e marrdhënieve me publikun, Etikën policore etj. Në këtë këndvështrim duhet me patjetër të përfshihemi dhe ne si shoqëri demokratike, pra drejt një kahu të vetëm të perëndimit të qytetëruar, ku ne kemi aspiratat parësore për t’ju bashkuar atij qytetërimi dhe pikërisht është Filozofia Morale (Etika) ajo, që na përshpejton rrugën drejt qëllimit tonë.

Përgjithësisht me Etikë kuptojmë: Shoqërizimin e normave të saj si: i drejtë, korrekt, i paanshëm, i ndershëm, i vërtetë, besnik, i sinqertë, human e të tjera.

03

Ndërkohë, që nga pikëpamja filozofike, Etika përcaktohet si “derivat i drejtësisë”, si një busull që tregon drejtimin korrekt dhe që duhet të ndiqet, për të marrë një qëndrim apo vendim sa më të drejtë. Qëndrimi apo vendimi, shkon për tej respektimit të ligjeve, duke përfshirë dimensionin moral dhe human me lidhje të ndershme, me bazë referuese vlerat më të mira shoqërore.

Në këtë sens, Etika përbëhet: Nga një tërësi normash dhe sjelljesh për marrjen e qëndrimeve apo vendimeve sa më të drejta, të përshkruara nga legjitimiteti, objektiviteti dhe humanizmi, të cilat portretizojnë figurën e pastër morale të individit dhe angazhimin serioz të institucioneve shtetërore për të qenë në mënyrë aktive në shërbim të secilit qytetar dhe gjithë komunitetit.

Nisur nga përkufizimi mund të themi se: Etika është personale përpara se të jetë universale, ndaj ajo promovon pikësëpari modelin (etalonin) e individit të pastër moralisht e më tej predispozicionin e organizmave shtetërore, për t’ju siguruar qytetarëve një jetë dhe veprimtari sociale të pranueshme, që t’i përgjigjen nevojave të tyre sa të sigurisë, nivelit ekonomik, si dhe për t’u kulturuar dhe qytetëruar, çdo pjesëtar i shoqërisë tonë, duke patur për referencë zhvillimin dhe arritjet e perëndimit.

Si të gjitha shkencat edhe ajo e Filozofisë Morale (Etikës), modifikohet dhe evoluon vazhdimisht në varësi të dimensionit të zhvillimit ekonomik e shoqëror të një shteti. Ndaj lipset që konceptualiteti për Etikën të përfshihet drejt shndërrimeve edhe te gjithë hallkat dhe institucionet shtetërore të vendit tonë. Pra që Etika dhe fusha e saj teorike dhe aplikative të jetë edhe më e përpiktë duhet t’i referohet zhvillimeve aktuale të vendit tone, si një vend anëtar me të drejta të plota në NATO dhe që po bën çdo përpjekje për t’u bërë anëtar i BE-së.

Ndaj, janë pikërisht këto dimensione kryesore, që duhet të na shtyjnë, për të thelluar punën si në të gjitha fushat dhe atë të “Filozofisë morale” (Etikës). Ku patjetër dhe domosdoshmërish duhet që “Lëvizja për Etikën” duhet të fillojë me mënyrën e të menduarit dhe të aplikuarit.

Si për të gjithë shoqërinë dhe për stafet pedagogjike, duhet që t’i futen drejtpërsëdrejti kësaj Lëvizjeje, që të na bëjë dhe ne si qytetarë dhe edukatorë, më të përkushtuar dhe sa më të qytetëruar në misionin tonë për të dhënë njohuri, formuar dhe edukuar nxënësit. Ndaj duhet medoemos të çelim disa “dritare të vogla” shpirtërore, që të na bëjnë me dije sa më të qëndrueshme dhe angazhim të përgjegjshëm, të cilat na shtyjnë apo motivojmë që të rrisim vlerat e normave Etike si të: Dashurisë, mirësisë, barazisë, humanizmit, miqësisë, respektit, kurajos, ngrohtësisë, besnikërisë, thjeshtësisë, tolerancës së kulturuar etj. Sigurisht pa zvonuar dhe optimizmin, patriotizmin, këmbënguljen, durimin, maturinë, qëndrueshmërinë, “urtësinë” etj.

04

Ja pra, behët fjalë për mësuesit të cilët të njohin dhe aplikojnë shumë norma Etike dhe nëpërmjet këtyre të marrë vlera si qytetar dhe person publik, për të arritur që të bëhet një njeri model i virtytshëm, në shërbim të nxënësve në mënyrë aktive, që t’ju përcjellin atyre njohuri teorike të qëndrueshme dhe shprehi praktike të vetëdijshme, si dhe t’ju sigurojë atyre liritë dhe të drejtat që ua garanton ligji. Ja pra, pse zërat më të shquar të mendimit perëndimor kanë hedhur tezën e ekzistencës si një “urë”, për një “Lëvizje Etike”, mbarë botërore. Aq e pranishme është kjo sa dhe vetë çmimi Nobel për Ekonominë dhënë Amortya Sen, njëherësh edhe mendimtari më i madh i filozofisë të fushës së ekonomisë nënvizon se: “Ekonomia Botërore është varfëruar shumë si pasojë e Divorcit me Etikën”.

Ndërkohë edhe filozofi i njohur francez Edgan Morin vlerëson se: “Pavarësisht nga progresi impresionues i teknologjisë, sot ne ndodhemi që të gjithë në një Titanik Planetar, pasi mungon pikërisht një vizion Etik që të udhëheqë procesin”. Kjo frymë përcillet duke ju referuar tetë këshillave apo postulateve, që nxënësit dhe mësimdhënësit duhet të ballafaqohen si:

1-Mund të zgjidhet drejt dhe saktë dilema për një problem të caktuar, në një gjendje zemërimi, lakmie dhe zilie..?

Sigurisht që në këto kushte një njeri i mbushur me zemërim, lakmi dhe zili, nuk do ta zgjidhë dilemën me drejtësi, vërtetësi dhe sidomos me dashamirësi dhe humanizëm.

Zemërimi: Ndjenjë që e pushton njeriun, nga diçka e pa pëlqyeshme, i cili mbushet me inat deri dhe me mëri. Zemërimi shfaqet dhe manifestohet dhe si një pakënaqësi që lind si rrjedhojë e një veprimi të padrejtë, që mund të nxitet nga sjellja jonjerëzore e dikujt, pra në të gjitha rastet zemërimi e verbon dhe turbullon njeriun, gjë që prish ekuilibrin për të marrë vendime të drejta dhe sa më etike (Vendimi= sjelljen njerëzore + kuptimin njerëzor).

Lakmia (e tepruar): Dëshirë e madhe deri në pangopësi për të pasur më shumë, nëpërmjet përdorimit të të gjitha formave dhe mundësive, për të siguruar të ardhura e çdo gjë tjetër më shumë se të tjerët.

Zilia: Dëshirë e madhe, për të pasur a për të arritur me çdo kusht, atë që ka, apo që ka arritur dikush tjetër. Kjo është një ndjenjë ç’ekuilibruese, që nga disa njerëz bëhet me keqdashje, kur shohin dikë tjetër, që është më mirë se ai/ajo.

 

2-Vendimi duhet të jetë ligjor

Vendimi: Është qëndrim i prerë e përfundimtar që merret nga njeriu, institucioni për një çështje të caktuar, pasi është menduar dhe shqyrtuar mirë. Pra shkurt, përfundimi i arritur për diçka, pasi është parë e diskutuar mirë dhe është vendosur në mënyrë unanime, nga pjesa më e madhe e vendimmarrësve. Vendimmarrja gjithnjë i hap rrugë zbatimit konkret.

Ligjor: Normë a rregull që e pranojnë dhe e zbatojnë që të gjithë, si diçka të përgjithshme a të detyrueshme, pra diçka që është në përputhje (pajtim), me ligjin, për arsimin etj.

 

3-Duhet mbështetje familjare

Familja është një njësi e vogël e organizimit të jetës shoqërore, që përbëhet nga burri, gruaja, fëmijët dhe pjesëtarë të tjerë, të afërt të cilët jetojnë dhe banojnë së bashku. Pra tërësia e njerëzve që rrjedhin nga një paardhës i përbashkët, njerëzit që kanë pasur ose vijojnë të kenë brez pas brezi lidhje gjaku. Në gjithçka që bën një pjesëtar i familjes, për të qenë i suksesshëm, duhet pikësëpari që, të ketë mbështetjen e familjes, nxitjen apo motivimin e saj për të justifikuar veten por dhe gjithë familjen, duke filluar nga puna, detyrat, sjelljet dhe qëndrimet Etike. Mbështetja familjare e bën një pjesëtar të saj me emër të dëgjuar, me kulturë dhe të pranueshëm për shoqërinë.

 

4-Si ndihet njeriu për diçka që ka bërë pas disa vjetësh (10-20 vjet)?

Koha është një vazhdimësi e pa ndërprerë, nga e shkuara në të ardhmen dhe pa kthim prapa. Periudhë kjo gjatë së cilës njeriu, lind, rritet, shkollohet, punësohet, martohet, bëhet prind, argëtohet, hidhërohet etj, pra një cikël i tërë veprimtarish. Këto momente jetësore te njeriu lenë gjurmë të thella, por vjen një ditë që dhe i analizon me veten e tij se çka ka bërë mirë e çka ka bërë keq. Të mirat dhe sukseset janë evenimente të jetës, por gjurmë të pashlyeshme lenë sjelljet dhe bëmat e këqija apo të pahijshme, ku njeriu i kulturuar, i edukuar dhe i emancipuar, mban qëndrim kritik ndaj vetvetes dhe i dënon moralisht ato dhe ju tregon të tjerëve që të mos i bëjnë apo kryejnë ato veprime e sjellje të pahijshme.

06

5-Asnjëherë nuk ja vlen që dikush të rrezikojë punën dhe karrierën për një sjellje të pahijshme qoftë dhe për një rast se i sjell “përfitime”.

Njeriu është një qenie që ka dëshira, pasione, ambicie, për t’u shkolluar, edukuar, rritur nivelin profesional dhe intelektual, për të bërë karrierë dhe merituar poste etj. Të cilat janë aq të pranueshme dhe jetësore sa njeriu pa këto do të ishte një “hiç”, apo asgjë, se këto ja gjallërojnë jetën, pra i japin jetës kuptim dhe e bëjnë njeri me vlera sa profesionale, intelektuale dhe sidomos morale. Deri këtu jemi tepër normalisht, por në qoftë se këto kanë në thelbin e tyre apo si metodë që të përftohen me çdo mënyrë qoftë dhe në mënyrë të padrejtë apo të pa merituar, për momentin përfituesi kënaqet, por me kalimin e kohës do të ndjehet keq nga përbuzja dhe dështimet e njëpasnjëshme, në jetën personale, sepse është cenuar e pse jo e përbaltur figura morale e cila është mjaft e vështirë të riparohet, ajo ngelet një njollë që nuk hiqet me asnjë lloj detergjenti..!

 

6-Fotografitë, filmimi dhe ditari të ndihmojnë të shikosh e reagosh ndaj vetvetes, si ke qenë e si je..!

Në të gjitha rastet njeriu me kalimin e kohës ndryshon, jo vetëm fizionominë apo dukjen, por dhe këndvështrimin për të marrë vendime apo qëndrime, mënyrën e sjelljes, si dhe trajtimin dhe respektimin e njerëzve që e rrethojnë. Më mirë se kushdo tjetër këtë e bën: fotografia, filmimet e deri ditari personal, që kanë fiksuar në mënyrë kronologjike stadet e jetës, personale, familjare dhe deri shoqërore. Ballafaqimi me këto të paktën tre instrumenta, për momentet më pikante të jetës, jep ndjesi mjaft emocionuese, te ai njeri që ka ditur mirë t`i shfrytëzojë këto me kujdes, kulturë dhe rregullsi. Në këtë sens njeriu i kulturuar reflekton ndaj të mirave që ka bërë e shijuar por dhe reagon në mënyrë kritike për bëmat dhe sjelljet e pahijshme. Në këtë spektër bërja e një vetëanalize e bën njeriun, që ta dojë vetveten dhe të tjerët dhe të luftojë që të mendojë të mirën dhe ta realizojë atë.

 

7-Për çka bën njeriu në jetë, vjen një moment dhe ndjehet krenar, por për ndo një rast dhe i turpëruar..!

Njeriu është një qenie që veç të tjerave, ka ndjenja, ka emocione, ka dëshira dhe pasione, të cila ka momente dhe që nuk i kontrollon ashtu siç duhet dhe këto quhen gabime, pse jo dhe deri faje dhe për to ndjen në moment apo pak më vonë një pendesë, që e detyron forca e moralit apo siç thuhet ndryshe “Ligji Moral”, që të mbajë qëndrim kritik ndaj vetvetes.

Në këtë aspekt edhe pjesëtarët e familjes ndjehen mjaft reagues si për gjërat e mira apo të suksesshme, të cilët kapen nga ndjenja e krenarisë, por dhe ndrydhen dhe ndjehen edhe keq, për veprimet e pa menduara mirë, që i kanë bërë vetes keq dhe sidomos të tjerëve. Kuptohet që pjesëtarët e familjes gjithnjë janë oponenca më e fortë konstruktive, për ndalimin e të këqijave, te pjesëtari i tyre i familjes, sepse familja asnjëherë nuk pret çdo bëhet dhe të eksperimentojë..!

 

8-Apo zbatohet “Rregulli i Artë”?

Doktrina e Mesores apo e mesit të artë dhe lidhjet e saj me virtytin

Ne nuk duhet të bëjmë vetëm formulimin e thjeshtë se virtyti është një prirje (d.m.th një lloj tendence), por se çfarë lloj prirjeje ka ai?

Çdo lloj virtyti e bën zotëruesin e tij të jetë në gjendje të mirë dhe të kryejë mirë funksionin e tij. Pra, qenia humane (njeriu), duhet të ketë një prirje drejt të mirës e cila e bën njeriun të mirë dhe në këtë mënyrë ai e kryen më së miri funksionin e tij. Atëherë te njeriu human gjenden, ndjenjat, kapacitetet (aftësitë) dhe prirjet. Pikërisht në njërën nga këto të tria, gjen vend dhe rehatohet virtyti. Ndjenjat kanë të bëjnë me dëshirat, zemërimin, frikën, guximin, gëzimin, miqësinë, urrejtjen, xhelozinë, mëshirën e tje., pra ato që sigurojnë kushtet e përfshirjes së kënaqësisë dhe dhimbjes. Kapacitetet (aftësitë ), kanë të bëjnë me ndjeshmërinë e ndjenjave, pra aftësia për të qenë në gjendje për të ndjerë si: zemërimin, hidhërimin, mëshirën etj.

05

Prirjet, kanë të bëjnë me atë se çfarë ka një njeri që nuk është mirë apo është keq, në lidhje me ndjenjat?

Në këtë kontekst shohim se: Ndjenjat e njeriut janë tepër të fuqishme apo të plogëta, atëherë në këtë rast qenia humane ndjehet keq në lidhje me zemërimin, por në se ndjenja është e ndërmjetme, ai ndjehet mirë dhe kjo është e palëvizshme për të gjitha rastet. Në këtë këndvështrim mund të themi se: As virtytet dhe as veset nuk janë ndjenja, sepse një njeri nuk mund të quhet i mirë apo i keq për shkak të ndjenjave të tij, por ai quhet i tillë për arsye të virtyteve apo të veseve që manifeston. Pra qenia humane as nuk lavdërohet dhe as nuk qortohet për shkak të ndjenjave të tij.

Atëherë, përderisa virtyti nuk është, as ndjenjë dhe as kapacitet, do të thotë që është prirje. Lidhur me këtë i referohemi shembullit si: Çdo shkencë praktike i kryen mirë funksionet e saj, vetëm atëherë kur ajo përqendrohet në atë që është mesore dhe bën apo i nxjerr “produktet”, vetëm në lidhje me të (pra mesoren). Produktet në çdo rast bëhen mirë vetëm kur atyre nuk u shtohet dhe nuk u hiqet asgjë, sepse teprica dhe pamjaftueshmëria prishin perfekten, ndërsa mesorja i ruan ato. Për këto arsye, virtyti, (ashtu si natyra), është më i mirë dhe më i sakti se sa çdo gjë tjetër që synon mesoren.

Një nga virtytet është dhe karakteri, sepse ky është i lidhur me ndjenjat dhe veprimet që përfshijnë:

Teprimin

Mesoren (që gjendet e ndërmjetme)

Mangësinë

Është e mundimshme kur njeriu ndjen frikën, dëshirën, mëshirën, konfindencën, kënaqësinë apo dhimbjen, tepër-shumë, apo tepër-pak, kjo është gabim sepse mungon mesorja. Por si duhet arsyetuar në këtë rast? Po t`i ketë këto ndjenja njeriu në kohën e duhur, me arsyen e justifikuar, kundrejt njerëzve të drejtë, për motive të drejta dhe në mënyrë të saktë, do të thotë që të bëhet i pranueshëm ai duhet t`i referohesh mesores, pra t`i ndjejë ato te një mesore, që është shkalla më e mirë e përmbushjes së virtytit. Sepse ka ngjashmërish: teprim, mesore dhe pamjaftueshmëri (duke ju referuar rastit të veprimit të mësipërm).

Si përfundim: Virtyti përmbledh ndjenjat dhe veprimet në të cilat teprimi dhe pamjaftueshmëria janë gabim dhe mbajnë mbi vete qortimin. Ndërsa mesorja është korrekte, sepse ajo ka tiparet e virtytit. Virtyti është mesore, për aq kohë sa ai synon në atë gjë, që është e ndërmjetme.

 

Atëherë ç’është mesorja?

E mesmja gjendet në çdo gjë të vazhdueshme dhe të ndashme, ku është e mundshme të merret një pjesë e cila është më e madhe ose më e vogël se sa pjesa e mbetur.

Instrumenti për përcaktimin e mesores midis virtytit dhe vesit

(Teprica, Mesorja, Pamjaftueshmëria)

1-Frika

Tejkalimi është:

nxitimi..!

Për mesore ka:

guximin..!

Pamjaftueshmëria:

tërheqja..!

2-Kënaqësia

Tejkalimi është:

shthurje..!

Për mesore ka:

kulturën..!

Pamjaftueshmëria:

vulgariteti..!

3-Marrja dhe shpenzimet e vogla

Tejkalimi është:

shpërdorimi..!

Për mesore ka:

bujarinë..!

Pamjaftueshmëria:

kopracia…!

4-Marrja dhe shpenzimet e mëdha

Tejkalimi është:

arrogancë ..!

Për mesore ka:

pjekurinë ..!

Pamjaftueshmëria:

mendje ngushtësia..!

5-Bërja e nderit në gjërat e vogla

Tejkalimi është:

ambicia e sëmurë .!

Për mesore ka:

ambicia e kulturuar.!

Pamjaftueshmëria:

inaktiviteti..!

6-Ndershmëria

Tejkalimi është:

kotësia..!

Për mesore ka:

transparencën..!

Pamjaftueshmëria:

paturpësia..!

7-Zemërimi

Tejkalimi është:

gjaknxehtësia..!

Për mesore ka:

durimin..!

Pamjaftueshmëria:

hakmarrja..!

8-Të shprehurit ndaj vetes

Tejkalimi është:

mburrja..!

Për mesore ka:

thjeshtësinë ..!

Pamjaftueshmëria:

të shtirurit..!

9-Rregulli gjatë një bisede

Tejkalimi është:

sjellja jo etike..!

Për mesore ka:

urtësinë ..!

Pamjaftueshmëria:

mungesë etikete.!

10-Sjellja shoqërore

Tejkalimi është:

servilizmi..!

Për mesore ka:

edukatën..!

Pamjaftueshmëria:

moskorrektësia.!

11-Turpi

Tejkalimi është:

ndrojtja..!

Për mesore ka:

ndershmërinë .!

Pamjaftueshmëria:

paturpësinë ..!

12-Arritjet profesionale

Tejkalimi është:

zilia..!

Për mesore ka:

realitetin..!

Pamjaftueshmëria:

egoizmi..!

13-E vërteta

Tejkalimi është:

mohimi i të vërtetës.!

Për mesore ka:

të vërtetën reale.!

Pamjaftueshmëria:

gënjeshtra..!

14-Toleranca e kulturuar

Tejkalimi është:

përfitim..!

Për mesore ka:

qytetarinë ..!

Pamjaftueshmëria:

shthurja..!

15-Kënaqësia sociale

Tejkalimi është:

luksi..!

Për mesore ka:

mirëqenien..!

Pamjaftueshmëria:

mbijetesa..!

Në përfundim mund të themi se:

Etika apo Filozofinë Morale, shfaqet si një tërësi normash të sjelljes individuale dhe publike dhe që lipsen të aplikohen nga çdo person dhe komunitet personash. Duhet të kemi mjaft kujdes kur trajtojmë thelbin e Etikës, duke shtruar pyetjen se për çfarë shërben ajo? Përgjigjja është se: në vetvete ajo është fibra e vetme e gjithë ekzistencës sonë dhe si një kategori filozofike që ka të bëjë me dimensionin publik.

Pra në këtë sens, Etika zhvillon dhe lubrifikon marrëdhëniet midis njerëzve. (Edgan Morin, filozof francez)

Duhet t’i rikthehemi Etikës herë pas here, duke u kapur pas saj, sipas një trari në mes të një deti të stuhishëm. Se ajo është, arka jonë e Noes. (Jean Guitto, filozof i madh gati 100 vjeçar, amerikan)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top