Editorial

July 22, 2016 | 8:23

Mbi harmoninë e marrëdhënieve fetare në Shqipëri

1Nga Melsi Labi*

Marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare në Shqipëri kanë qenë historikisht miqësore dhe tolerante. Shoqëria shqiptare është tërësisht laike dhe krenohet me marrëdhëniet e shkëlqyera ndërfetare që ekzistojnë në vend. Në një shoqëri pluraliste është e natyrshme të përplasen bindjet e besimeve të ndryshme fetare, madje në dialogun ndërfetar askush nuk duhet të mohojë bindjet e tij. Mirëkuptim dhe respekt do të thotë të pranosh të drejtën e tjetrit për të besuar. Në Shqipëri nuk ka probleme serioze në dialogun ndërfetar. Komunitetet fetare jetojnë në harmoni me njëra-tjetrën dhe me shoqërinë shqiptare.

Në kohën që vdiq Haxhi Vehbi Dibra, fjalën e rastit e mbajti Imzot Visarion Xhuvani. Kur vdiq Atë Gjergj Fishta, përpara arkivolit të tij foli Hafis Ali Kraja. Më 20 dhjetor të vitit 1942, në ceremoninë e varrimit të Faik Konicës, fjalimin e lamtumirës e mbajti Fan Noli. Me rastin e përcjelljes së eshtrave të dy patriotëve Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit më 1936, At Anton Harapi mbajti ligjëratën “Dy fjalë dhe nji betim”. Më 8 maj 1924, At Gjergj Fishta ligjëroi në funeralin e Avni Rustemit.

Mund të themi se marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare janë të shkëlqyera. Ato karakterizohen nga fryma e bashkëpunimit reciprok. Gjithsesi ka patur edhe raste ekstreme, të cilat janë kaluar me diplomaci dhe mirëkuptim. Këto raste janë kapërdirë nga opinioni shqiptar pa shkaktuar reagime dhe konflikte. Asnjë konflikt fetar nuk ka ndodhur në kohën kur mbi manastirin e Shën Spiridhonit që gjendej në malin e Krujës, u ndërtua teqeja bektashiane e Sari-Saltikut. Gjithashtu pa eksese ka kaluar në brezat e mëvonshëm, rasti kur Katedralja e Shën Kollit në Lezhë u kthye në xhami, ndonëse kjo kishë ishte historike për shqiptarët, sepse aty preheshin eshtrat e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Të gjitha këto raste që përmendëm tregojnë që populli ynë ka qenë tolerant, madje edhe atëherë kur i është cenuar e drejta, ka ditur ta përballojë situatën me urtësi dhe  maturi.

Shumë të krishterë kanë gra myslimane dhe anasjelltas. Në këto martesa të përziera, fëmijët edukohen me të dy besimet. Prindërit nuk i pengojnë fëmijët të shkojnë në kishë apo në xhami. Ata janë të lirë të zgjedhin fenë që iu pëlqen. Këto familje festojnë edhe Pashkët edhe Bajramin. Shembullin më të mirë e ka dhënë Mbreti Zogu I, i cili si njeri i emancipuar dhe fisnik që ishte u martua me një princeshë katolike.

Të gjitha këto raste vërtetojnë që shqiptarët janë edukuar me tolerancën dhe mirëkuptimin tradicional. Trashëgimia jonë më e shkëlqyer dhe pasuria jonë më e madhe shpirtërore, janë besimet fetare. Për këtë nuk mund të ketë dyshim, që së bashku me kulturën shqiptare përbëjnë një pasuri shumë të madhe shpirtërore.

Ne jemi të vetëdijshëm dhe e pranojmë faktin se komunitetet fetare, janë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe secili prej tyre pritet t’i jetë besnik besimit të vet. Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm se traditat tona fetare e shpirtërore kanë shumë vlera të përbashkëta dhe se pikërisht këto vlera mund të shërbejnë si baza e respektit të ndërsjellë, të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës.

Ne jemi krenarë për historinë e bashkëjetesës së feve në Shqipëri, prandaj theksojmë se dinjiteti i qenies njerëzore dhe vlerat e tij janë dhuratë e Zotit. Besimet tona, secili në mënyrën e vet, na bëjnë thirrje të respektojmë të drejtat themelore të njeriut. Diskriminimi dhe dhuna ndaj çdonjërit ose shkelja e të drejtave themelore për të besuar, nuk është vetëm kundër ligjeve që ka bërë njeriu, por edhe thyerje e Ligjit të Zotit.

*Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top