Editorial

October 30, 2015 | 8:00

Më afër Zotit…

Nga Orjona Tresa

21 shtatori i 2014 do të mbahet mend gjatë në kujtesën e popullit shqiptar. Një ekuinoks stinor që bashkoi qindra vendas dhe të huaj në sheshin e pagëzuar me emrin e shenjtores Nënë Terezë. Një ditë e bukur për nga rëndësia, emocionuese, mallëngjyese, një ditë plot mesazhe pozitive e njerëzore, nga ato që të gjithë kemi nevojë të dëgjojmë.

Një ditë për të treguar se toleranca, mirëkuptimi dhe solidariteti mund të bëhen bashkë ose të ecin në udhë paralele. Një ditë për të lënë pas mllefet, materializmin, egon e tepruar, dhunën, radikalizmin fetar dhe fshehjen pas tij, për të rikthyer faqen drejt humanizmit dhe çlirimin nga veset e këqija. Një ditë ku si popull i këtij vendi duhet të vlerësojmë të mirat që kemi duke ia nisur pse jo nga besimi, feja. “Askush nuk mund të veprojë si mburoja e Perëndisë. Shqipëria është një shembull se si njerëzit e feve të ndryshme mund të jetojnë së bashku” u shpreh Papa Bergolio, i quajtur ndryshe Françesko. Besimi në Zot është si bosht kurrizor për ndërgjegjen njerëzore, dhe kjo u pa teksa gjithkush kish dalë në pritjen madhështore të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, në atë të diel shtatori. Një organizim perfekt nga autoritetet e larta shtetërore, i merituar jo vetëm për mikun e shenjtë të tokës sonë, por për të gjithë besimtarët që me zemër dhe shpirt përjetuan një ditë historike në memorien e tyre.

Me modestinë dhe spontanitetin që e karakterizon, Papa Françesku zgjodhi të vështrojë sy më sy dhe i buzëqeshur në përshëndetjen enkas për të gjithë pelegrinët e ardhur në Tiranë, duke transmetuar paqen e dlirë te cilido, pavarësisht feve që u përkisnin, dhe më pas të mbante një meshë të posaçme. Kjo vizitë në një shtet të vogël në Ballkan siç është vendi ynë, me ngjarje dhe histori që e kanë trazuar shpirtin e kombasve të saj, tregoi se Shqipëria është “shtëpi e Zotit” dhe aty besimi është shumë i rëndësishëm.

Bekimi në tokën e lashtë ilire që ka nxjerrë kardinalë dhe papë të mirënjohur, na bëri sërish krenarë me ardhjen për herë të dytë të një Pape në Shqipëri.

Ati i Shenjtë dha mesazhin e qartë të paqes, vëllazërisë dhe bashkimit. “Erdha që t’ju jap shpresën që të përforconi zemrën tuaj. Për ju dhe për ato që janë rreth jush. Uroj që shqiponja e flamurit tuaj t’ju kujtoj shpresën. Paqe në shtëpitë tuaja. Paqe në zemrat tuaja. Paqe në kombin tuaj!

21 shtatori ishte një ditë fatlume dhe për ato foshnja që erdhën në jetë, në këtë ditë të shënjuar edhe për prindërit e tyre. Fatlumë dhe ata fëmijë që morën përqafimin e Papa Bergolios. Fatlumë edhe ne si komb që kjo ditë na shërbeu si një “shkundje” totale, kthesë në mos 360 gradë, të paktën 180 gradë ndaj ecurisë së gjërave deri atë ditë, shtysë për t’i parë ngjarjet dhe zhvillimet si në politikë, shoqëri dhe më tej, me optimizëm dhe syrin praktik e largpamës për nga rëndësia e arritjeve që meriton vendi ynë.

Ndërkaq, vetë vizita e Papa Françeskut përcolli dhe një simbol të natyrës politike, si një mbështetje për përpjekjet që Shqipëria ka treguar për t’u rritur gradualisht e për t’u afruar me Perëndimin, dhe dëshirën që ka populli shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Ky ishte udhëtimi i parë i Atit të Shenjtë në Evropë, për më tepër në viset tona.

Le të shpresojmë që në takimin pasardhës, ndoshta po kaq të veçantë për nga rëndësia, të tregojmë të njëjtat virtyte për të tjerë të ftuar. Qoftë vizita e një ere të re ndryshimesh bashkë me qeverisjen, që nga ana e saj gjithaq dha një mesazh të fortë dhe të paqtë njëkohësisht.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top