Dëshmi

December 8, 2021 | 13:10

“Më mbeti peng. Nuk më thoshte që ishin përhapur metastazat”, Arjan Konomi tregon si Hueyda e refuzonte lamtumirën

Vdekja e papritur e Hueyda El Saied në moshë fare të re tronditi fort publikun që e deshi shumë vajzën lozonjare të ekranit. Miku i saj i afërt, analisti Arjan Konomi, gjatë një interviste në emisionin “Rudina” në Tv Klan rrëfen se vajza multidimensionale kishte kohë që i ishte nënshtruar kurimit në luftën ndaj sëmundjes me armën e saj më të fortë: buzëqeshjen.

Hueyda El Saied dhe arjan konomi

Ndarja e saj nga jeta, përveçse një boshllëk, ka lënë një peng te Arjani.

Arjan Konomi: Hueyda shkoi një vit e gjysmë duke bërë kura, që nga kimiot që i ka bërë para një viti e u duk sikur u bë mirë. Rifilloi përsëri…Me mua dhe me një mikeshën tjetër të saj fliste, edhe neve nuk na tregonte si ishte gjendja e saj shëndetësore. Gjithmonë kishte optimizëm, merrte pjesë në biseda, qeshte se në fund të fundit harrojmë ndonjëherë dhe hidhemi te problemi jonë. E pyesja për gjërat e mia, i tregoja për gjërat e mia, por për veten e saj thoshte jam mirë shkoj bëj kimio, e tregonte me aq pozitivitet, nuk di çfarë fjale të gjej…nuk donte të transmetonte as pikëllim, as të të bënte të ndiheshe keq.

Këto dy muajt e fundit këmbëngula që të shkoja. Më mbeti peng që nuk shkova. Nuk donte që t’i shkoja, më thoshte “jam në spital nuk lejohet prej koronës, lejohet vetëm bashkëshorti vetëm gjysmë ore në ditë”. Pastaj doli nga spitali një periudhë kohe, i thashë” do vij do rri disa orë”. Nuk donte që unë ta shikoja si ishte gjendja e saj tamam, megjithëse unë e kisha kuptuar dhe e kisha dyshuar, por vazhdoja bëja atë lojë për mos t’i dhënë të kuptonte.

Rudina Magjistari: Por si ndodhi?

Arjan Konomi: Tumor në gji.

“Hueyda mbante ditar, do t’i bëjmë publike shënimet e saj”

Hueyda El Saied do të jetojë përtej vdekjes së saj. Jo vetëm në kujtimet e miqve e njerëzve të dashur apo trashëgimisë së saj njerëzore e artistike, por edhe nëpërmjet veprës së fundit. Miku i saj, Arjan Konomi, analisti i njohur, zbuloi mes lotëve se vajza e njohur e ekranit, ka lënë pas një tjetër copëz nga vetja.

Arjan Konomi: Unë nuk kisha mundësi prej punës të qëndroja më tepër në Luksemburg, por do të shkoj së shpejti përsëri. Dua të them diçka që po e them këtu për herë të parë dhe e preka në fillim të emisionit. Hueyda ka shkruar shumë gjatë kësaj kohe. Thierry i ka ato dhe do shkoj t’i shohim bashkë, mbase do të arrijmë t’i publikojmë.

Ka mbajtur shumë shënime, ka treguar, ka rrëfyer. Nuk ka treguar gjatë kohës që ishte sëmurë sepse nuk donte dhembshurinë e njerëzve, ama ka lënë një testament që më tepër do të jetë një mesazh për femrat, për gratë, për jetën, për kujdesin që duhet të kemi ndaj shëndetit dhe sidomos ndaj tumorit të gjirit. Folëm pak me Thierry, por nuk ishte momenti.

Rudina Magjistari: Gabrieli është me Thierry tani?

Arjan Konomi: Gabrieli është me Thierry. E ka dërguar në Disnleyland ku do të kalonin disa ditë për t’i dhënë një sens tjetër për të vazhduar jetën me normalitetin pavarësisht se mungesën nuk ka për ta përmbushur asgjë.

“Nuk më thoshte që ishin përhapur metastazat”, Arjan Konomi tregon si Hueyda e refuzonte lamtumirën

Arjani tregon se edhe në muajt e fundit, Hueyda ngulmonte që gjithçka që po përjetonte nuk ishte rezultat i përhapjes së kancerit, por i kimios dhe se po shkonte drejt shërimit.

Rudina Magjistari: Kush ta dha lajmin? Ti the që kishe dy muaj që kishe dashur të shkoje më herët, por ajo nuk ta ushqente këtë gjë, madje të pengonte. Si e mësove lajmin?

Arjan Konomi: Lajmin e mësova në mëngjes nga shoqja tjetër jona që mbante kontakte me Hueydën dhe asaj i tregonte diçka më tepër duke i thënë “mos i thuaj Arianit”, por edhe asaj nuk ia tregonte të gjitha. Unë nuk kisha kontaktuar me Thierry, kisha folur me Hueydën dhe nuk mendon që do të vijë  puna deri aty, pavarësisht se metastazat u përhapën… Ajo nuk më thoshte që ishin përhapur metastazat, “është efekti i kimios”, thoshte “kam diçka në mushkëri, po më shikojnë, kam pak ujë, po hiqet, po kurohet, ja dhe pak, një javë do më mbajnë”, pastaj kalonte java tjetër, “ja dhe pak ditë, është efekti i kimios” dhe unë patjetër i thosha “po patjetër që do jetë efekti i kimios se gjithë ajo kimio që ke bërë do të ketë efekte anësore”.

Rudina Magjistari: Dhe ti u nise menjëherë drejt Luksemburgut?

Arjan Konomi: Jo, nuk jam nisur atë ditë jam nisur të premten në mbëmje sepse Hyueda u varros të shtunën. Nuk shkova menjëherë sepse mendova të isha në atë moment lamtumire që ishte lamtumira e fundit.

Rudina Magjistari: Ishte zgjedhja e saj që të varrosej në Luksemburg?

Arjan Konomi: Nuk e di, por besoj se e saj sepse është Thierry, është dhe djali, ai atje do rritet, do ketë lidhje me Shqipërinë,  besoj do vijë dhe i ati i tij, që është babai i tij adoptiv, që është person i mrekullueshëm dhe i përkushtohet më shumë se të ishte babai i vërtetë, tha që do ta sjell edhe në Shqipëri, nuk doqë të humbasë kontaktet me Shqipërinë, të humbasë gjuhën.

Rudina Magjistari: Ishe i vetmi nga Shqipëria që shkoi në ceremoni?

Arjan Konomi: Fatkeqësisht isha i vetmi. Ishte edhe ambasadorja e Shqipërisë në Bruksel që përfshin edhe Hollandën, më duket edhe Luksemburgun… U gëzova shumë që kishte ardhur.

Rudina Magjistari: Po nga familja?

Arjan Konomi: Ishte e ëma, por ajo jeton në Hollandë dhe për fat të mirë kishte qenë atje, e kishte asistuar edhe në momentet e fundit.

 

 

Burimi / tvklan.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top