FB

July 10, 2025 | 15:30

Mendësia që flet pa zë, si sjelljet tona tregojnë kush jemi

 

Mendësia nuk është një koncept abstrakt apo filozofik larg nesh. Ajo është çdo ditë dhe në çdo veprim të përditshëm, tek secili prej nesh. Ajo tregon se kush jemi kur askush nuk po na sheh apo si dëgjojmë, si flasim, si reagojmë, si punojmë, si sillemi në familje, me miqtë, në rrugë apo edhe kur ushqehemi.

albina-hyseniMendësia shfaqet në detajet e vogla që shpesh i injorojmë në respektin ndaj të tjerëve, në durimin në debate, në kujdesin për shëndetin tonë, në mënyrën se si udhëtojmë në rrugë apo si trajtojmë familjen.

Sot kemi më shumë informacione dhe diploma, por shpesh mungon mendësia e thellë dhe ndërtuese. Kërkojmë ndryshim, por vazhdojmë të shkelim rregulla që na duken të parëndësishme, të mos respektojmë të tjerët dhe të mbajmë qëndrime që na pengojnë të ecim përpara.

Mendësia është themeli i çdo përparimi. Ajo krijon kulturën që jetojmë dhe përcakton marrëdhëniet tona me botën. Ajo ndikon në familje, në punë, në rrugë, në miqësi dhe në gjithçka.

 

Mendësia në çdo veprim të përditshëm

Mendësia nuk është vetëm fjalë të mëdha apo filozofi të thella. Ajo shfaqet në çdo moment të përditshëm, në detajet më të vogla që shpesh i anashkalojmë, por që tregojnë shumë për atë që jemi në të vërtetë. Si e dëgjon dikë me vëmendje apo vetëm për të folur? Si flet me respekt apo me fjalë që lëndojnë? Si qëndron në debate me durim apo me nervozizëm? Si punon me përkushtim apo vetëm për të përmbushur detyrat? Si sillet në rrugë si shofer i kujdesshëm apo agresiv? Si ushqehesh me kujdes për shëndetin apo pa vëmendje? Si trajton familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët me dashuri apo indiferencë?

Çdo veprim i tillë është pasqyrë e mendësisë që mbajmë brenda. Është kjo që krijon kulturën tonë personale dhe shoqërore.

grua-mentalitet

Shoqëri me tituj të mëdhenj, por me mendësi të vogël

Sot jemi në një kohë kur ka më shumë diploma, por më pak durim. Më shumë informacione, por më pak reflektim. Më shumë “influencerë”, por më pak ndikim të mirë. E gjithë kjo ndodh sepse kemi zhvilluar sistemin, por kemi harruar mendësinë. Në shumë vende, përfshirë edhe vendin tonë, njerëzit kërkojnë ndryshim, por me mendësi të njëjtë. Dëshirojnë drejtësi, por shkelin rregullin e parë që u del përpara. Kërkojnë respekt, por s’e japin. Ankohen për padrejtësi, por nuk korrigjojnë veten në të vogla.

E vërteta është kjo se nuk ka asnjë ndryshim të qëndrueshëm pa ndryshim të mendësisë. As politika që rregullon gjithçka, as reforma që zgjidhin gjithçka, për aq kohë sa mendësia jonë kolektive mbetet në nivel të ulët.

 

Familja, puna, rruga janë një ndër pasqyrat e mendësisë

Mendësia nuk është thjesht personale por ajo është zinxhir që ndikon gjithçka rreth nesh.

Në familje përcakton mënyrën si rritet një fëmijë me frikë apo me dashuri, me liri apo me shtypje, me urtësi apo me urdhra.

Në punë përcakton nëse kryejmë detyrën me nder apo e bëjmë vetëm për pagë. A kemi etikë profesionale apo vetëm interes.

Në miqësi tregon nëse qëndrojmë pranë në kohë të vështira apo largohemi sapo të kemi mbaruar interesin.

Në shoferim tregon kulturën e përgjithshme se a jemi agresivë, të paduruar apo të kujdesshëm për jetën e tjetrit?

Në ushqyerje siç duket e vogël, por ndikon në vetëdijen për kujdesin ndaj trupit dhe shpirtit.

Në rrjete sociale a përhapim dritë e mendim apo helme, sharje dhe përçarje?

Mendësia është në çdo klikim, në çdo veprim, në çdo fjalë.

 

Shtrohet pyetja se a ka shpresë për ndryshim?

Po sepse mendësia nuk është e lindur. Ajo edukohet, zhvillohet dhe transformohet. Por kërkon sinqeritet dhe përulësi. Duhet të ndalemi dhe të pyesim veten a jam unë një njeri me mendësi ndërtuese apo kritik që pranon vetëm gabimet e të tjerëve? A di të respektoj, të dëgjoj, të fal, të mësoj? A e kontrolloj egon time apo më kontrollon ajo?

Nuk ka mendësi perfekte, por ka mendësi të vetëdijshme. Njerëz që nuk janë idealë, por janë të hapur për të reflektuar, për të mësuar nga gabimet dhe për të ndryshuar pa vonesë.

Pra mendoj se është rrënja e çdo ndryshimi. Ajo nuk është as shkencë e ndërlikuar, as filozofi boshe. Është thjesht përgjegjësia për të qenë njeri i mirë, çdo ditë, në çdo vend, me çdo njeri. Sepse fundi i fundi, jo ajo që ke, por si mendon dhe si sillesh tregon kush je vërtet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top