Mirëqenie

August 22, 2016 | 8:23

Menopauza… ushqimet që duhen konsumuar

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Menopauza është një ndër periudhat më delikate në jetën e një femre. Ndryshimet hormonale dhe shqetësime të tjera janë jo të lehta për t’u kaluar në këtë fazë tranzicioni të moshës 45-55 vjeç. Kjo fazë duhet jetuar me shumë qetësi, duke filluar nga ushqimet që përdoren gjatë ditës, të cilat duhet të jenë super ushqime të pasura me vitamina, kripëra minerale dhe substanca të tjera, të afta për ta kapërcyer këtë fazë fiziologjike të jetës. Kujtojmë që kjo është një fazë tejet e veçantë për një grua, ku deklarohet fundi i kapacitetit riprodhues. Ka dy aspekte, aspekti psikologjik që është i lidhur me feminilitetin dhe ai fiziologjik. Zhdukja e ciklit merr përsipër pabarazitë hormonale dhe ndryshimin e shpejtë të humorit. Ndër problemet më të zakonshme në këtë fazë është fillimi i osteoporozës. Kockat kanë tendencë të humbin dendësinë për shkak të mungesës së kalciumit. Një dietë e pasur me vitaminë D dhe kalcium do të ishte një zgjidhje ideale.

• Soja, mikja më e mirë e grave. Përveçse mban nën kontroll kolesterolin, është një ndihmëse e çmuar gjatë menopauzës në sajë të isoflavoneve që ajo ka. Isoflavonet janë substanca që përmirësojnë dukshëm simptomat tipike të menopauzës si: afshet, lëkundjet e humorit dhe shtimin në peshë.

• Bajamet ashtu si dhe arrat e lajthitë bëjnë shumë mirë për të gjitha moshat, por në veçanti për gratë në periudhën e menopauzës. Ato përmbajnë borin, një substancë kjo që ndihmon në metabolizmin e menjëhershëm të kalciumit, në mënyrë që të parandalohet osteoporoza.

• Kosi është një ushqim i pashmangshëm për gratë në periudhën e menopauzës, për të përftuar sasinë e duhur të kalciumit nëpërmjet ushqimit. Kosi natyral është një burim i shkëlqyer i kalciumit dhe vitaminës D, që janë më se të nevojshme për parandalimin e osteoporozës dhe për forcimin e kockave.

• Farat e kungullit përmbajnë në sasi të konsiderueshme mineralin selenium, i cili është një mineral që ka veti të fuqishme antioksiduese dhe që parandalon plakjen dhe degjenerimin e qelizave në organet e brendshme.

• Lakra dhe perimet me gjethe jeshile si spinaqi, brokoli, çikoret, janë mjaft të pasura me vlera ushqyese, jo vetëm në periudhën e menopauzës. Përmbajnë acide yndyrore esenciale dhe ndihmojnë te gratë që në këtë fazë kanë probleme me lëkurën, thonjtë, flokët. Këto perime janë aleatë të shkëlqyer për shëndetin tonë falë prezencës së antioksidantëve dhe fibrave, që ndihmojnë në stabilizimin e glicemisë në gjak, si dhe disa vitamina si ato të grupit B, C dhe E, që përmirësojnë qarkullimin e gjakut.

• Finoku, bishtajoret janë të pasur me fitoestrogjenë, substanca që ushtrojnë një efekt ekuilibrues në nivelin e hormoneve femërore, por pa efekte kolaterale në sintezën e estrogjenit. Fitoestrogjenet reagojnë në sistemin kardiovaskular dhe zvogëlojnë intensitetin dhe frekuencën e afsheve, si dhe djersitjen gjatë natës. Finoku i konsumuar në formën e sallatës ndihmon në largimin e urisë.

• Çajërat bimorë ndihmojnë jo vetëm trupin, por edhe shëndetin mendor, për të luftuar ndryshimet e humorit, irritimin dhe gjetjen e qetësisë falë antioksidantëve dhe katekinave që përmban.

• Uji është thjesht më i miri. Ai na ndihmon të përthithim kalciumin dhe kripërat minerale për të eliminuar toksinat, si dhe për ta mbajtur trupin gjithmonë të hidratuar.

• Nuk rekomandohet konsumimi i proteinave me origjinë shtazore. Nuk duhet të konsumojmë më shumë se 3 kokrra vezë në javë, pasi rrisin nivelin e kolesterolit. Peshku duhet të konsumohet së paku tri herë në javë, ndërsa mishi i bardhë jo më shumë se dy herë. Mishi i rosës duhet të eliminohet ose sa më rrallë. Shmangni gatimet me yndyrë të lartë, si ushqimet e skuqura dhe të kripura. Nuk rekomandohen pijet e gazuara dhe kujdes me kafenë, mos e teproni!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top