Pika referimi

November 24, 2020 | 8:05

Mentaliteti & feminizmi, liria e grave në shoqëri

Në shoqëritë më të zhvilluara, aty ku gjatë gjithë historisë është luftuar për të drejtat e njeriut, barazinë dhe lirinë humane, vëmë re se e një rëndësie të veçantë është edhe përpjekja për barazinë gjinore, përhapje e asaj lëvizjeje të quajtur feminizëm. Theksojmë, tentativat post-materialiste për mbrojtjen dhe përfaqësinë politike të partive apo lëvizjeve, thelbin e tyre e mbështesin tek të drejtat dhe liritë njerëzore.

Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Arsejda Gjyli / Lektore në Shkencat
Politike, Analiste

Një nevojë kjo që në Evropë e më gjerë erdhi si pasojë e globalizmit. Në vendin e demokracisë liberale, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpjekja për barazinë mes gruas dhe burrit, në jetën familjare, të drejtën ligjore, të pagave të barabarta, të trajtimit tëbarabartë në shoqëri e shohim disi më të hershme. Gjithsesi, paçka diferencave mes vendeve dhe prirjeve të tyre për barazi gjinore, më së shumti liria e gruas duhet trajtuar si një e drejtë imediate njerëzore, pa të cilën ajo nuk bën dot. Liria mbetet elementi kryesor, i cili lidhet me forcën e gruas për të kërkuar të drejtën e saj në shoqëri, barazinë në punë, familje, arsimim dhe në mënyrën se si ajo vendos të trajtojë veten dhe seksualitetin e saj.

Theksoj pjesën e seksualitetit, duke qenë se dominimi i një mentaliteti maskilist, bazuar kjo në qasjen fetare të një vendi, traditën, kulturën, historinë, si dhe shumë faktorë të tjerë që krijojnë mendësitë shoqërore në vite, bëhen burimi më i madh i shtypjes, poshtërimit, përçudnimit, dhunës e në më të keqen e mundshme, vrasjes së grave.

Për të ilustruar rëndësinë e lirisë së gruas në shoqëri, ku me theks kryesor na vjen liria e mendimit, e në vijim gjithë të drejtat e tjera, është libri i Margaret Atwood, “Rrëfenja e shërbëtores”. Në libër trajtohet në një mënyrë hipotetike, se si do të ishte jeta e një gruaje në kushte ekstreme totalitarizmi, ku trupi i grave shërbëtore apo të shtresave të ulëta të shoqërisë, do të ishte thjesht një mjet riprodhimi. Libri rrëfen ngjarjet dhe përjetimet nëpërmjet personazhit kryesor, e cila në pashpresësi të plotë pasqyron atë realitet tek i cili është e detyruar të nënshtrohet, të kapë një copë shpresë, duke harruar kush ishte, e duke lënë pas krahëve lirinë e saj.

Ky libër padyshim i përket një realiteti absurd, shpeshherë na shfaqet si pjesë e një utopie, e cila kurrsesi s’do mund të mishërohet një ditë në një vend liberal si SHBA, por ja që ky libër jetëson copëza të marra nga vende të ndryshme ku femra gjendet në të tilla pozita, e ku kryesisht ajo mbahet e mbyllur thjesht për riprodhim, nuk ka kurrfarë vlere veçse për të mbajtur fëmijët, nuk vlerësohet më shumë se një shtazë, s’ka të drejtë të ketë liri seksuale, sociale dhe ekonomike, blihet e shitet si mall, martohet që në djep me pa të drejtë zgjedhje, nderon familjen dhe në shkeljen e parë dhunohet, nuk ka drejtë të arsimohet, të punojë e të japë mendim si dhe vritet, si të mos ishte kurrë, në ngritjen e parë të zërit.

Ky libër zgjon edhe njëherë tek ne vlerën e të qenit i lirë, si dhe afirmon rëndësinë e luftës historike për lirinë dhe barazinë e gruas, me aq thjeshtësi, gjë të cilën shpeshherë feminizmi e ka devijuar. Gjithashtu përbën një shuplakë të fortë për të gjithë ne, të cilët nuk ngremë zërin për të thënë hapur se si qëndron realiteti ynë, në ligjet që dënojnë dhe rishtazi falin të gjithë ata, që gruan si qenie e kanë lënë në të tilla pozita.

Vendosja e theksit te liria e gruas është thelbësore për një shoqëri me vlera, dhe morali i çdo gruaje apo virtyti dhe integriteti i saj nuk është vetëm merita e një burri dhe e të bërit fëmijë, por njësimi i saj me vlerat shoqërore, e drejta e saj për të menduar, zgjedhur dhe jetuar e lirë, por mbi të gjitha, mbrojtja e jetës së saj me çdo kusht.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top