Këshilla & Arsye

April 29, 2020 | 8:16

Mënyrat efektive që ju ndihmojnë të zvogëloni makthet dhe ëndrrat e këqija gjatë periudhës së pandemisë

Jeta ka ndryshuar për të gjithë, që pas pandemisë dhe kjo sigurisht ka efektet e saj edhe në rutinën tuaj të gjumit. Shumë njerëz raportojnë se po vuajnë nga makthi dhe ëndrrat aspak të mira gjatë kësaj periudhe. Mund të jetë e vështirë të përballesh me ëndrrat intensive, veçanërisht nëse ato kanë të bëjnë me situatën aktuale dhe ndjehen shumë realiste. Edhe pse e kuptoni që nuk janë të vërteta, mund të sjellin ndikime negative në shëndetin tuaj.

Psikoterapisti Ali Shakir, në Qendrën Shëndetësore Harley Street, shpjegon se është krejt normale të keni ëndrra të pazakonta gjatë kohërave si këto.

“Virusi aktual dhe ndryshimet e shpejta që kanë ardhur me të, kanë rritur edhe nivelet e stresit. Ne kemi një rritje të kërkesave dhe ulje të aftësive tona. Kjo shkakton ankth dhe e çon gjendjen tonë të pavetëdijshme në gjendje lufte ose largimi. Për shkak se të gjitha ëndrrat kanë origjinë dhe janë krijuar në gjendjen tonë të pavetëdijshme, ajo mund të prodhojë ëndrra të këqija dhe makth, kur pavetëdija është në gjendje paniku dhe ankthi”.

Sipas tij, megjithëse nuk mund të garantoni se nuk do të keni kurrë makth, ka disa gjëra që mund të bëni, për të provuar t’i zvogëloni ato.

“Mënyra më e mirë për t’u marrë me këtë është ulja e nivelit të stresit. Sugjerimi im për të gjithë është të filloni me mendimin tuaj, me pranimin. Ju duhet të pranoni që ky realitet është jashtë kontrollit tuaj. Thuaji vetes: Nuk ka asgjë që mund të bëj për ta ndryshuar atë, por unë mund të ndryshoj mënyrën se si po i përgjigjem dhe po merrem me të. Punoni me mendimin tuaj dhe merrni përsëri kontrollin duke krijuar një strukturë të re. Gjatë kësaj periudhe qeshni shumë dhe përpiquni të qëndroni pozitivë sa më shumë që të jetë e mundur. Të kesh një rutinë të mirë gjumi është gjithashtu shumë e rëndësishme”.

Doktori Shakir rekomandon të mendoni se çfarë shihni pak para gjumit. Ai thotë se nëse jeni duke parë lajme, ose diskutoni për krizën e virusit me familjen, kjo mund të sjellë rritje të niveleve të stresit tuaj. Kur shkoni për të fjetur, përpiquni të qetësoni veten sa më shumë që të jetë e mundur.

“Unë do ju rekomandoj që ta përgatisni mendjen tuaj të pavetëdijshme, duke marrë frymë thellë për një ose dy minuta. Përpiquni të krijoni mendime të këndshme dhe “udhëtoni” në një vend të këndshëm me mendjen tuaj, para se të flini”.

Më tej, Shakir shton se mendja juaj e ndërgjegjshme fle, por ajo e pavetëdijshme jo, prandaj kur zgjoheni në mëngjes është normale që ndonjëherë të ngriheni me moralin përtokë.

“Filloni me një buzëqeshje dhe mendime ngushëlluese si për shembull: Unë jam në shtëpinë time, jam i bekuar. Të gjithë janë të sigurt. Numëroni bekimet tuaja në mëngjes. Mos flisni për ndonjë makth dhe mos u përpiqni t’i interpretoni ato. Pranojini ato vetëm si ëndrra dhe normalizoni ndjenjat tuaja për to”.

 

Burimi / tvklan.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top