Tetori është muaji që i përkushtohet fushatës së ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit për Sindromën Down. Shumë njerëz ndajnë mesazhe sensibilizuese apo dhe historitë e tyre që i lidhin me këtë sindormë. Një ndër to është dhe bashkëshortja e të ndjerit Dr.Flori.
Në një kujtim që Blerina, ish-bashkëshortja e të ndjerit, Dr. Flori, kishte ndarë për ndjekësit e saj, ishte edhe ky mesazh prekës dhe sensibilizues në të njëjtën kohë, i vënë ‘në gojën’ e të voglit të saj Daniel, drejtuar babait të tij të paharrueshëm Dr. Flori:
Mesazhi që shkruan Blerina:
‘Unë quhem Daniel Kondi dhe jam vetëm 15 muajsh. Babi im mori vesh gjithçka 3 ditë përpara se unë të nisja rrugëtimin tim në barkun e mamit, madje edhe emrin tim Daniel që më pëlqen kaq shumë.
Rrugëtimi im ishte shumë i bukur, siç është i të gjitha bebeve! Mami im më shihte shpesh kur unë isha tek barku i saj përmes ekos…Kisha vetëm 4 muaj që isha krijuar kur mjeku i tha mamit dhe babit se kocka e hundës time nuk dallohej mirë dhe unë mund të kisha një kromozom më shumë se fëmijët e tjerë…I dëgjoja tek diskutonin me njëri-tjetrin madje shpesh herë edhe qanin…por ata ishin mami e babi im ndaj vendosën që unë të vazhdoja të isha bebja e tyre dhe pavarësisht çdo gjëje do më donin shumë.
Ditën që erdha në jetë nuk do ta harroj kurrë që babi më mori në krahë dhe tha: “Daniel, babi të do shumë shumë, ti je shumë i çmuar për mua!” A nuk kam të drejtë të mburrem me babin tim? A nuk kam të drejtë të them se ai është heroi im? Ai sot nuk jeton më por ja ku jam unë që jetoj për të! Kromozomi im nuk e zvogëloi dashurinë e tij për mua, përkundrazi e shtoi edhe më shumë.
Kështu unë erdha në jetë dhe njoha motrën time Kaltrinën dhe tani mund të luaj me lodrat e mia, të përplas duart sa herë që më thonë “Braaavooo Daniel!”, të kërcej kur dëgjoj këngët e mia të preferuara dhe më kryesorja të dëgjoj fjalët e bukura të mamit tim e cila më thotë shpesh që jam një bekim i madh, dhurata më e bukur që Zoti i dhuroi!“
Ky është vetëm një nga postimet që Blerina bën herë pas herë në Instagramin e saj ku ndan momente të veçanta të Danielit por edhe të motrës së tij Kaltrina.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.