Dëshmi

April 13, 2020 | 8:05

Mesazhi për nënën që nuk jeton, “nuk harroj asnjë detaj të jetës me ty mami, sepse ti ishe dashuria, forca dhe drejtimi ynë

 

*Rinora Kurhasku: Klithmat e zërit tim, nuk e zgjuan gjumin e përjetshëm të mamit tim

Ajo natë pa ty mami ishte më e vështira e jetës time, e gjithsecilit që të njohu! Natën mendoja që ti po qëndron jashtë shtëpisë, e po pret që të të hapim derën, e kur e mendoja që ti nuk po frymon më, që në vend të shtëpisë së ngrohtë që bashkë me babin e krijuat dhe e stolisët me dashuri e mirëpritje, ti preheshe nën dhè mami, e mbuluar në terr, Ti që dritë i jepje gjithçkaje, Ti që nuk jetoje më, e që jetën e deshe shume…

Sot një vit pa ty Mami.

Ditët po ikin shpejt. Ajo datë, që rëndoi thellë shpirtrat tanë, nuk harrohet.

Ditën që unë shpresova që ti u shërove plotësisht, ditën kur me entuziazëm dola në punë, e lumtur që mami është mirë dhe i është kthyer energjia pozitive që e posedonte gjithmonë. Po atë ditë mami, pimë kafen e fundit bashkë, pa u ankuar, pa rënkuar, pa lënë një amanet, pa lamtumirë ike në amshim mami.

Çdo përjetim i yni jeton bashkë me mua, në çdo vend, këngë e fjalë. Më kujtohet fëmijëria ime, bekimi më i madh i jetës kur po rritesha nga duart e dashurisë tënde. Edukata jote mami reflektoi në secilin prej nesh. Çdo ditë të jetës time të kisha krah ty, duke mos më lënë të qaj kur rrëzohesha, por më mësove që edhe nëse rrezohem të mos dorëzohem asnjëherë por të ringrihem edhe më e fortë, edhe më e përkushtuar drejt hapave të mëdhenj, e të palëkundur.

Mami, na rrite të katër fëmijëve bashkë me kujdesin dhe dashurinë e pakushtëzuar, duke na mësuar që jeta i do njerëzit bashkë. Që në jetë duhet sakrifikuar për të mbajtur gjallë dashurinë dhe luftën për moral e etikë familjare dhe jetësore. Këtë e dëshmove më së miri mami gjatë periudhës së luftës kur e vetme, (sepse babin e kishte burgosur armiku serb në kohë lufte ngase ushtronte profesionin e gazetarisë) duke mos iu mposhtur frikës more rrugën  për Shqipëri me mua dhe vëllezërit. Nën kthetrat e armikut e pabesinë e askujt na mbrojte nga çdo rrezik i mundshëm, deri në lirimin e babait nga burgu.

Nuk harroj asnjë detaj të jetës me ty mami, sepse ne ishim të varur nga kujdesi yt, ndërsa ti nga dashuria jonë. Nga çdo përvojë e jotja mami, unë mësova shumë. Mësova se ç’është guximi në kohë frike e ankthi, mësova si të ndërtoj dashurinë mbi dhimbjen, apo humbjen. Mbi të gjitha, mësova si të jem nënë sa çereku yt, e të rris po me atë frymëzim fëmijët e mi.

Shpejt erdhi edhe adoleshenca. Ti u bëre mikja ime mami. Unë nuk të kërkoja më motër, u bëre edhe motra ime. Në çdo këshillë tënden unë kuptova enigmën dhe zgjidhjen e problemeve. Mbështetja jote mami u bë forca ime, dhe forca ime u bë lumturia jote. E mbaj mend këshillën që më udhëzoje gjithmonë: “Nëse bën kujdes për vete (moral e ndërgjegje), do të mësosh si të kujdesesh edhe për të tjerët”.

6

Si t’i harroj fjalët e tua gazmore mami, këshillat, lotët që derdhëm bashkë, historitë e sekreteve që i dinim vetëm ne të dyja. Mësimet e tua mami u bënë urë e fortë, nëpër të cilën do të ecnin këmbët tona të sigurta.

Na mësove si të kujdesemi për të tjerët, ndërkohë që kujdesemi për veten.

Na mësove si të ushqejmë dashurinë në vend të urrejtjes.

Na mësove si t’i qëndrojmë ballë sfidave, pa frikë, por me guxim e vetëbesim.

Na mësove të flasim bukur e mirë, të luajmë pa u kacafytur, të ecim të sigurtë, të qeshim me zemër, të mësojmë me përkushtim, e mbi të gjitha na mësove të dashurojmë me gjithë forcën që mban shpirti brenda, e reflekton jashtë.

Të pata mike të shpirtit mami im. Flisnim lirshëm, qeshnim e qanin bashkë. E kuptonim njëra-tjetrën vetëm me të parë dhe këshilloheshim si motra e shoqe.

Oh Mami, fjalët po i merr era, e mallin ku po e lë?! Mallin që po më ngërthen shpirtin i cili po të kërkon ty çdo natë të të shoh në ëndrra, e ditën ta kaloj me kujtimet e bukura të ëndrrave të natës.

Më kujtohet dita kur të tregova që do të bëhem nënë. Të dyja fluturuam nga gëzimi. Çdo ditë të mundoja me pyetjet e shumta rreth amësisë, por ti asnjëherë nuk u lodhe, më mësove me përkushtimin më të madh se si të kujdesesha për një fëmijë. Tek e fundit unë kisha shembullin më të mirë para vetes, të kisha ty mami, që më mësove si të rritem pa inate e intriga, pa xhelozi e armiqësi.

Dashuria jote për ne kaloi kufijtë kur u bëre me nipa e mbesë. Kujdesi për ta u bë primar, e kundërshtimet për ne u bënë zakon. I doje me gjithë shpirt, por nuk i gëzove gjatë me praninë tënde mami. Për babin ishe shtyllë e palëkundur në të cilën mbahej e këshillohej për sfidat jetësore, sfida të cilat gjithmonë i kapërcyet bashkë, me gjitha valët e jetës që ju lëkundnin shpresat, por asnjëherë zemrat.

Erdhi edhe momenti që çdo përjetim ta kthejmë në kujtim për ty dhe për ne Mami.

Momenti i kobshëm kur babi kumton lajmin që ti nuk jeton më u bë varësi e lotëve sa herë e kujtojmë. Babi ishte i zbathur, duke tentuar që të të kthente në jetë bashkë me vëllezërit dhe mjekët e emergjencës. Ti e dhe frymën e fundit pranë vëllezërve e babit, të cilët luftuan me shpirt që ti të shpëtoje e të ktheheshe prapë mes nesh.

E rëndë ta mendosh, e rëndë ta imagjinosh. Të gjithë ishim të hutuar, e të humbur nga klithmat e zërit që Mami nuk jeton më. E unë, unë thirra me aq zë sa kisha emrin tënd. E dija që ishte dita e fundit që do të thërrisja me zë të lartë: Mamiiii zgjohuuuu…

E kotë. Ti nuk dëgjoje, ne nuk bindeshim, çdo gjë ishte konfuze dhe e pabesuar. Përderisa jemi të bindur që të Zotit jemi, dhe tek Ai do të kthehemi të gjithë një ditë, një orë, një moment, e të bashkohemi me ty prapë mami.

Por sot e një vit e gjithë jetën, asgjë nuk e zbeh mungesën tënde MAMI.

Çdo ditë jetoj me shëmbëlltyrën tënde mami, të pakrahasueshme e të pazëvendësueshme.

Mami jam krenare që pjesën më të bukur të jetës të pata pranë, e zëri yt u bë arsye e jetës time. Ti mbetesh shembulli më i mirë i një gruaje të fortë e të dashur, të bukur e fisnike. Ishte shembulli i një heroine që luftonte pa ndalur, që çdo gjë të keqe ta shndërroje në të mirë, që çdo zemër të vuajtur e shëroje me një fjalë, me një buzëqeshje. E sot ende jetojnë këshillat tua, këshillat prej një zemre të bardhë e mendje të ndritur.

Faleminderit për çdo gjë mami im, dhe më fal që nuk po ngushëllohem me asgjë. Më mungon shumë, e mungesa jote po ndihet në çdo cep të shtëpisë. Në çdo vend ku rrinin bashkë. E unë çdo ditë dite mundohem të gjej një arsye për të të përfytyruar ty mami, në çdo njëri që pak ngjan tek ty, në çdo fjalë e në çdo vend ku qëndroje ti.

Mami më ka marr malli për aromën tënde, fjalët tua, të dëgjoj duke folur, duke ecur, më ka marr malli të shoh tek dera mami, më ka marr malli të më thërrasësh e të pimë kafe bashkë, më ka marr malli për bukën tënde mami, më ka marr malli për gjithçka mami, sepse ti ishe dhe mbetesh gjithçka për mua, arsye e dhimbjes dhe e forcës time!

*Rinora Kurhasku, gazetare.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top