FB

June 9, 2022 | 7:45

Mësoni të kultivoni MOTIVIMIN! Disa sekrete të thjeshta…

Të gjithë ne aspirojmë për diçka në jetë. Mund të jetë një synim personal ose një profesional, por jo të gjithë do t’ia dalim të arrijmë këtë objektiv. Ka kaq shumë gjëra që mund të përcaktojnë suksesin ose dështimin te secili prej nesh, por ekziston edhe një gjë e veçantë që ndikon në mënyrë mbizotëruese: motivimi!

Askush prej nesh nuk lind me të gjitha zotësitë e nevojshme për të arritur suksesin, edhe pse sigurisht, ka njerëz më shumë të talentuar dhe me dhunti se sa të tjerët. Ajo që realisht mund të na bëjë të arrijmë synimet tona më të vështira janë vendosmëria dhe motivimi për të ecur përpara. Pavarësisht kësaj, këto të fundit janë karakteristika, të cilat për nga natyra e tyre janë të luhatshme: nuk është e thjeshtë të jemi të motivuar që të punojmë për të përmirësuar jetën tonë: ndonjëherë na vjen spontane të shtrihemi në divan për t’u çlodhur. Nëse do t’ia dilni që të ruani motivimin e vazhdueshëm, do të arrini edhe objektivat më të vështira. Le të shohim se cilat janë sekretet e thjeshta që t’ia dilni mbanë…

Ruani sa më gjatë motivimin

Një nga gjërat e para që mund të bëni për të fuqizuar motivimin tuaj është që të zgjoheni herët në mëngjes. Mund t’ju duket një këshillë e çuditshme, por ata që zgjohen shpejt, shijojnë një energji më të madhe sesa gjumashët. Pa dyshim, nuk duhet të filloni ta bëni nga sot nesër, mundohuni të vini alarmin e telefonit gjysmë ore përpara, deri sa t’ia dilni të zgjoheni më herët, që në momentin kur lind dielli. Të ndiqni dritën është shumë e nevojshme për t’u ndier më të stimuluar dhe për të kryer aktivitete të shëndetshme. Pasi keni vendosur alarmin më herët, mësoni që të ushqeheni edhe më shëndetshëm. Mënyra më e mirë për të ruajtur motivimin e duhur është që të ndiqni një dietë me indeks të ulët glicemie. Organizmi juaj metabolizon glukozën në mënyrë të ngadaltë dhe të vazhdueshme. Në këtë mënyrë, truri juaj do të ketë gjithmonë të njëjtin nivel energjie për të punuar.

Një tjetër teknikë për të ruajtur motivimin sa më lartë, është që të laheni me ujë të ftohtë. Përveç se sjell përfitime të shumta fizike, pesë minuta dush me ujë të ftohtë, bën të mundur që të rritet përqendrimi dhe të stimulohet disiplina juaj mendore. Për të filluar, thjesht mund ta përfundoni dushin e mëngjesit me një minutë ujë të ftohtë. Për të mbajtur sa më lart vendosmërinë, një teknikë e mirë është që të fokusoheni te gjërat që keni për zemër. Mendoni se cilat janë objektivat tuaja dhe kërkoni imazhe, forma grafike ose ngjyra që mund t’i përfaqësojnë ato sa më mirë. Kërkoni një stimul vizual që mund t’ju kujtojë se cili është objektivi juaj dhe cilat janë ndjesitë që ju shtyjnë të punoni për t’i arritur ato.

Muzika ka një fuqi të madhe

Muzika është e aftë të ndikojë realisht gjendjen shpirtërore, madje edhe shëndetin tuaj fizik. Për këto arsye është e rëndësishme të dëgjoni muzikën e duhur, atë që ju jep më shumë entuziazëm dhe energji. Dëgjojeni kur ecni rrugës, ose në shtëpi me zë të lartë, në mënyrë që të gjeni stimulin e duhur për të vepruar më mirë. Për të qëndruar të motivuar, mund të vendosni afate në telefon ose në agjendën e punës. Shumë shpesh punojmë për të arritur një objektiv, por nuk i japim asnjëherë vetes skadenca reale dhe për këtë arsye i shtyjmë për më vonë të gjitha aktivitetet tona. Të vendosni alarmin në telefon do të thotë t’i jepni vetes një skadencë, një orar, të paktën të përditshëm ku t’i kushtoheni sa më shumë përmirësimit personal.

Filloni me një hap të vogël

Nuk është rastësi që fjala motivim përmban në brendësi të saj edhe termin veprim. Veprimi, në fakt është teknika më e mirë e motivimit. Mundohuni të imagjinoni se si do të ndiheni po të hidhnit sytë nga e kaluara dhe të shihni një sërë ditësh kur keni çuar përpara, vazhdimisht dhe me hapa të vegjël të gjithë objektivat tuaja: jo keq apo jo?

 

Përgatiti: Manjola EREQI  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 167

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top