Është kënaqësi të bashkohemi me një fjalë të thjeshtë. Pa dyshim që është një shenjë dalluese e qenies njerëzore, e vogël ndoshta, ashtu si çdo gjë që përjetojmë. Por kjo është e drejtë, edhe në momentet më të errëta, e këtu kemi të bëjmë me një fjalë magjike, të dimë si të themi “faleminderit”.
Nuk është një detyrim i imponuar nga jashtë, por një detyrë që kemi ndaj vetes: mirëqenia jonë emocionale kalon përmes filtrit të mirënjohjes së vazhdueshme për atë që kishim në jetë dhe për atë që ishim, për çfarë kemi tani dhe atë që kemi bërë. “Sjelljet e mira të bëjnë njeri” ka thënë Cervantes, por ndoshta ka më shumë: kur jeta jonë të mbarojë, një nga ndjesitë që do të donim të kishim do të ishte të thoshim “faleminderit”.
‘Faleminderit’ të ndihmon të ecësh përpara
Fakti është se mirënjohja, nëse kuptohet si aftësi për të njohur një përfitim, është një gjendje e brendshme që shtrihet jashtë. “Asnjë detyrë nuk është më urgjente se sa të thoni një ‘faleminderit’”, thotë një shprehje. Që nga momenti kur kemi ardhur në këtë botë e derisa të largohemi, jemi rezultat i një rrjedhe të përhershme të përvojave që na ngjallin emocione të një natyre shumë të ndryshme. Dhe kjo është arsyeja pse detyra më e madhe që kemi, është të themi “faleminderit”.
Ajo që na ka bërë të lumtur, na ngushëllon dhe i bën ambiciet dhe ëndrrat tona më të forta. Ajo që na bëri të trishtuar dhe na shkaktoi dhimbje, na dha një mësim. Marrëdhëniet tona me të tjerët janë të bazuara ndër të tjera, te ndjenjat: kur një person bën diçka për ne, duke përfshirë përkrahjen dhe mbështetjen në momentet e errëta, na bën të ndihemi më të afërt.
Falënderimi rrit mirëqenien emocionale
Të thuash ‘faleminderit’ është e njëjtë me të pasurit qëndrim pozitiv. Disa studime kanë treguar se mirënjohja përmirëson shëndetin dhe gjithashtu ndihmon në stabilizimin e mirëqenies sonë emocionale. Ajo që ka për detyrë të mbajë emocionet tona në ekuilibër është serotonina, një substancë kimike e sekretuar nga trupi ynë. Për shembull, për të shmangur rënien në tunelin e depresionit, serotonina ka rol thelbësor.
Mirënjohja nuk kërkon përpjekje apo sakrificë të veçantë, por siguron ushqyes të nevojshëm për t’u ndjerë më mirë gjatë gjithë kohës. Marrëdhëniet tuaja emocionale dhe personale me njerëzit përreth do të bëhen më të forta, në sajë të energjisë së dhënë nga njohja reciproke, një ndihmë e madhe për ata që janë me ju dhe për veten tuaj në fazat e ndryshme të jetës. Momentet e këqija dhe negative janë një mundësi për ndryshim, gabimet japin mundësi për të mësuar, marrëdhëniet toksike tregojnë nevojën për marrëdhënie të reja dhe të shëndetshme.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.