FB

October 31, 2023 | 7:59

Mësuesi si prind i dytë!

“Një nga punët më të respektuara dhe në të njëjtën kohë, nga më të vështirat, është puna e mësuesit. Mësimdhënësit i japin fuqinë e edukimit rinisë së sotme, duke i dhënë kështu mundësinë për një të ardhme më të mirë.”

 

Nga Fatbardha Amzaj, arsimtare

 

Të shkruash për fenomene që ndodhin shpeshherë në shkollat tona, në shkollat shtetërore, ndoshta edhe në shkollat private duhet të kesh përjetuar çaste të tilla të dhunimit që i është bërë një kolegeje / kolegu, të ri apo mjeshtër në radhët e arsimit. Kemi parë shpesh, por edhe kemi dëgjuar për sjellje të pahijshme të nxënësve, qoftë në ciklin e ulët duke filluar nga klasa e parë, por edhe në klasat më të larta. U kemi dhënë prioritet e respekt, i kemi  vlerësuar më shumë prindërit dhe nxënësit dhe kemi lënë pas dore një armatë të madhe intelektualësh të arsimit shqiptar, mësuesve, përçuesve të dijes dhe misionarëve ndër shekuj të diturisë.

“Qëllimi i arsimit është të zëvendësojë një mendje të zbrazët me një të hapur”  citon Malcolm Forbes.

Plotësisht dakord, që nxënësi të ketë të drejtat e tij bazuar edhe në Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, por nxënësi ashtu si ka të drejta që i kërkon dhe insiston, ka edhe detyra e rregulla që duhet t’i zbatojë i detyruar sipas ligjeve dhe rregullores së brendshme të shkollës ku mëson dhe edukohet.

Nëse në një shkollë është bërë rregull që nxënësit duhet të paraqiten me uniformë në institucionin arsimor, atëherë të gjithë duhet të paraqiten me uniformë pa patur asnjë përjashtim.

Nëse mësimi fillon në orën 8.00 paraqitja duhet të jetë në 8 pa 10 minimumi. Nëse nxënësit i janë dhënë detyra, ai duhet të paraqitet me detyra, projekte, postera etj.

“Askush nuk është më i rëndësishëm për një shtet të ardhshëm sesa mësuesit.” Mike Huckabee

Natyrshëm lind pyetja: A sillen nxënësit mirë me mësuesit sot?

A i zbatojnë të gjithë nxënësit rregullat në shkollë?

A vijnë të gjithë me detyra shtëpie?

A vijnë të përgatitur në projekte?

A vijnë në orarin e duhur?

A vijnë me uniformë?

A i respektojnë mësuesit e tyre?

Norman Vincent Peale ka shkruar një thënie: “Tetëdhjetë për qind e suksesit është të dukesh”.

Ka prindër edhe sot, që vjen e sjell fëmijën deri te banka në klasë, e kontrollon nëse ka harruar ndonjë fletore apo ndonjë libër, laps a stilolaps, i mban çantën në krahë, e ushqen me patatina, i jep lekë, i plotëson tekat, dhe kur nuk i plotësohen tekat proteston dhe vendos të mos vijë në shkollë. Kjo sjellje e prindit ndaj fëmijës bën që fëmija i tij të ndihet i paaftë, i pasigurtë, të jetë i pazoti, të kërkojë ndihmë nga prindi gjithmonë, të jetë i varur nga të tjerët, edhe më tej… në shoqëri. Në këto mori rastesh kush e ka fajin, mësuesja? Edhe kur prindi thotë nuk kam çfarë t’ i bëj fëmijës, nuk më dëgjon, më gënjen, nuk më bindet, nuk ushqehet, luan me telefon, kush e ka fajin mësuesja? Kur nxënësi është i pabindur, ofendon shokët, shan, përdor fjalor të pahijshëm, është i dhunshëm me shokët e shoqet e klasës kush e ka fajin, përsëri mësuesja? Shkolla? Jo!

Nuk i përgjithësoj as prindërit dhe as nxënësit për sjelljet e tyre, pasi pjesa më e shëndoshë e prindërve janë kërkues, janë pozitivë, komunikues, përkundrazi, mendoj se asnjë prind nuk do të donte që fëmija të ketë vlera të tilla por, kërkon më të mirën për fëmijën e tij.

Shpeshherë mësuesi, duke u nisur edhe nga eksperienca ime 36-vjeçare në arsim u jep kurajo, i motivon, i mbështet, të mësojnë dhe të edukohen në vazhdim që kur të rriten të bëhen profesionistë të zotë, gjë e cila arrihet vetëm me përkushtim, me durim, me sjellje të hijshme dhe këmbëngulje në të mësuar.

Doja të theksoja se sot mësuesi përballet jo vetëm me sjelljet negative të nxënësve por shpesh nuk gjen mbështetjen e prindërve dhe të institucioneve.

Si mund të dhunohet një mësues nga një nxënës?

Kërkohet shkaku dhe pasoja?

Jo! Nëse nxënësit do i jepet e drejta që mësuesi duhet dhunuar, atëherë t’i lëmë nxënësit të lirë.

Le të vijnë pa mësuar, pa detyra, pa uniformë, etj.

Jo liri pa limit!

Nëse mësuesit do t’i vlerësohej puna shumë e vështirë me nxënësit, dhe prindi do të “luajë” rolin që i takon si prind, bashkëpunues, ose si një urë komunikimi e përbashkët, punët do të shkonin më së miri.  Sot prindi ndjek telenovelat,  qëndron gjatë në rrjetet sociale, por a është pozitive kjo?

Një prind duhet të kontrollojë fëmijën e tij në detyra, të dalë shëtitje me fëmijën, ta shoqërojë në bibliotekë, në kinoteatër, në qendrat kulturore dhe artistike, t’i mësojë rregullat si të sillet në shoqëri, familje e kudo. Kështu marrëdhëniet prindër-mësues-nxënës do të jenë të shëndetshme, frutdhënëse dhe mbi të gjitha tepër komunikuese sot e në të ardhmen.

“Suksesi duket se është i lidhur me veprimin. Njerëzit e suksesshëm janë në lëvizje vazhdimisht. Ata bëjnë gabime por nuk heqin dorë” – Conrad Hilton.

 

Me respekt dhe mirënjohje për mësuesit, prindërit e përkushtuar, nxënësve të sjellshëm dhe të edukuar që do të jenë e ardhmja e këtij vendi.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top