FB

June 16, 2021 | 8:10

Milionerë për një natë!

Është koha që të gjithë flasin për pushime, unë në fakt do doja të flisja për punë. Në kohën e tranzicionit të zgjatur në Shqipëri, fatkeqësisht kemi ngritur modele të shtrembëruara të suksesit, të cilat pas integrimit për një kohë të gjatë në kulturën tonë të punës, janë thelluar dhe shpesh janë kthyer në standard.

1

Nga Edlira Çepani, aktiviste e shoqërisë civile

 

Është e vështirë të gjesh, që nga të rinjtë e deri tek ata qe kanë më shumë eksperiencë, mendësinë e suksesit që arrihet me shkallë dhe hap pas hapi. Katapultimi “brenda natës”, qoftë në pasuri apo në pozicione të larta pune, që ndodh shpesh dhe me bujë, kanë filluar të përforcojnë mendësinë se kjo është e vetmja mënyrë pune dhe e vetmja rrugë drejt suksesit!

Rezultati i kësaj mendësie në Shqipëri, fatkeqësisht duket qartë edhe në kulturën e punës. Ajo që shihet shpesh dhe rëndom janë punonjës që punojnë pa dëshirë, pa motivim dhe me ambicie të mëdha në krahasim me kontributin që janë të gatshëm të japin. Ky mund të duket si një këndvështrim i debatueshëm, pasi nga eksperienca me nisma për funksionimin e tregut të punës, punonjësit dhe punëmarrësit kanë këndvështrime dhe pritshmëri të ndryshme kundrejt njëri-tjetrit. Pikërisht prandaj psikologjia e punës sugjeron se, në mënyrë që kjo marrëdhënie të jetë e frytshme për të dyja palët, këto pritshmëri, kontribute dhe komunikimi në përgjithësi mes punëmarrësit dhe punëdhënësit duhet të jenë të vazhdueshme dhe të qarta.

Kuptohet qartë që këto biseda nuk vlejnë në Shqipëri për një kategori të madhe punonjësish që shfrytëzohen në mënyra ekstreme nga punëmarrësit, edhe në shkelje të ligjeve që vështirë se gjejnë zbatim, pasi ata kanë një problematikë krejt tjetër, e cila vijon të mos gjejë adresim nga institucionet. Problematika në kulturën e punës është pikërisht mendësia e të punuarit me sa më pak kontribut, për përfitime sa më të mëdha, në vijim të modelit të katapultimit dhe suksesit të shpejtë.

Një gjë e admirueshme në vendet perëndimore është se pjesa më e madhe e punonjësve, me aq sa munden, e kryejnë me përkushtim punën e vet, cilado qoftë ajo. Sheh njerëz që kontribuojnë me të njëjtin seriozitet që nga pozicionet të konsideruara më të thjeshta (në një pikë karburanti apo në industrinë e pastrimit) e deri tek pozicione si profesor, drejtues, etj. Kultura e punës me të cilën duket se brumosen, është që kontributi duhet të jetë serioz në çdo pozicion pune dhe që puna është nder në çdo lloj fushe e pozicioni qoftë ajo.

Tek ne, në shumë vite eksperiencë me nisma për integrimin në tregun e punës të të rinjve, nisma të formimit profesional, studimeve të tregut të punës, por edhe eksperiencave personale, vihet re shumë shpesh mendësia e “milionerëve brenda natës”. Ajo që shohim më shpesh, që nga sektori i shërbimit (që është ai me të cilin përballemi më shumë) e deri tek sektorë të tjerë, është që duket sikur puna është më tepër e orientuar rreth mbijetesës financiare, sesa rreth të dhënit një kontribut në një sektor të caktuar.

Arsyet janë nga më të ndryshmet, që nga kushtet e deri tek të drejtat e punonjësve, por janë mbi të gjitha shprehje e mendësisë që puna nuk të çon drejt suksesit dhe që është më e lehtë rruga e shkurtër e kompromiseve të katapultimit dhe milionave brenda natës (ndonëse të paligjshme në një mënyrë apo në një tjetrën). Si përfundim, kemi dy modele suksesi e pune, njërin që vjen në numër më të madh nga perëndimi, siç është suksesi i qëndrueshëm dhe puna që bëhet edhe si kontribut, jo vetëm si mënyrë për të mbijetuar financiarisht. Nga ana tjetër kemi modelin (përgjithësisht të vendeve në tranzicion), të pakënaqësisë me punën dhe suksesin hap pas hapi, kundrejt katapultimit dhe milionave shpesh të paligjshme (ndonëse në dukje më të thjeshta).

Zgjedhja është padyshim personale, sidoqoftë koha ka treguar se eksperiencat më pozitive vijnë nga suksese të arritura me më shumë vështirësi, por që janë pa dyshim shumë më të qëndrueshme. Ky është çelësi real i suksesit, jo thjesht personal, por edhe kombëtar, pasi jo vetëm një individ, por edhe një shtet, është i suksesshëm kur ka një kulturë pune të shëndetshme.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 158

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top