Këshilla & Arsye

November 13, 2017 | 8:00

Misteriozja Elena Ferrante vjen me vëllimin e tretë të sagës napoletane, “Histori arratie e qëndrese”

Shpërdorim zgjuarsie. Një bashkësi që ndrydh si pa të keq energjitë aq të shumta intelektuale të grave, duke i vënë të kujdesen për fëmijët dhe shtëpinë, pa e kuptuar as vetë, bëhet armike të vetvetes.

Kjo është një histori grash, e rrëfyer me shumë vërtetësi; më tepër se një vëzhgim, kjo është jeta e jetuar dhe e ndier në lëkurë.

elena-ferrante1

“Histori arratie e qëndrese” është vëllimi i tretë i sagës napolitane, pas romaneve “Mikesha gjeniale” dhe “Mbiemri i ri”. Elena vazhdon të rrëfejë historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës. Ato janë tashmë gra: Lila është martuar, ka lindur një fëmijë dhe është ndarë nga bashkëshorti i saj abuzues. Elena është larguar nga lagjja e fëmijërisë, është diplomuar dhe ka botuar një roman të suksesshëm, ngjarje që i kanë hapur dyert e salloneve intelektuale e mondane. Të dyja gratë janë përplasur me muret e burgut që do t’i kishte mbajtur të ndrydhura në një jetë varfërie, injorance dhe nënshtrimi. Më në fund, atyre po u ofrohen mundësitë e mëdha, toka e premtuar e emancipimit femëror. E megjithatë, fantazmat e së shkuarës nuk janë larguar, hendeqet nuk janë mbushur dhe ndryshimet i kanë rrënjët ende të njoma.

“Histori arratie e qëndrese” rrëfen mbi të gjitha për rrënjët dhe të kaluarën, për historinë personale që gëlon thellë brenda nesh dhe na dikton, me hir e me pahir, gjestet e vogla e deri zgjedhjet e mëdha, ato që na përkufizojnë ose na kufizojnë në diçka, në dikë, shumë herë më të vogël, të pisët e të varfër se ç’mendon se duhet të ishim, se ç’jemi të bindur se jemi.

E megjithatë, arratia qëndron gjithmonë në imagjinatën kolektive si një nga zgjidhjet, ndoshta më e mira, e një sërë të këqijave të pakurueshme, si varfëria, injoranca dhe dhuna  të nakatosura thellë në shoqëri. Askush nuk arrin të arratiset vërtet, por të gjithë mundohemi, qoftë edhe një herë të vetme, të arratisemi nga lagjja, nga qyteti, nga vendi apo thjesht vetja jonë.

Kritika

Elena Ferrante është një nga romancieret më të mëdha të kohës sonë! – The New York Times Book Review

Kjo është një histori grash, rrëfyer me shumë vërtetësi; më tepër se një vëzhgim,kjo është jeta e jetuar dhe e ndier në lëkurë. Lexuesi rrëmbehet dhe i qaset botës me kujdes, me pyetje që nuk i shqiten nga mendja për tëhuajtjen dhe përkatësinë.  – The New York Times Book Review

Ferrante shkruan me një nevojë të egër, intime, thuajse si për të kremtuar zemërimin. Ajo është shumë e zonja në rrëfimin e saj, një lloj tërbimi tepër i veçantë që shfaqet te gratë, të cilave shpesh nuk u lejohet t’i japin zë. Pjesën më të madhe të kohës, ne jemi të zemëruara, në pozitën ku jemi – si gra, si vajza, si nëna, si shoqe – dhe asnjë grua tjetër nuk shkruan në mënyrë kaq të zhdërvjellët dhe të mahnitshme për këtë tërbim, me kaq kurajë për këtë furi të nëndheshme. – The San Francisco Chronicle

Saga napolitane nuk është një ndër veprat e para të Ferrante-s. […] Por ajo është vërtet ndryshe, i përket një rendi artistik krejt tjetër. Nganjëherë ndodh një gjë e tillë: një shkrimtar punon në mënyrë të zellshme e të qëndrueshme për ca kohë dhe pastaj, ndodh njëfarë kapërcimi drejt së jashtëzakonshmes. […] Duhet të jemi mirënjohës. Kur kjo epope, kaq e populluar, të mbyllet, ne lexuesve do të na mbetet ajo shije që presim më me ëndje nga proza letrare: një botë e mbushur plot jetë. – New Republic

* Elena Ferrante është pseudonimi i autores së dhjetë veprave letrare, ndër të cilat edhe saga napolitane, e konsideruar si kryevepra e saj, nga pikëpamja e kritikës letrare, por edhe falë suksesit të jashtëzakonshme me lexuesit. Emri i vërtetë i autores mbetet ende zyrtarisht i pakonfirmuar. Në 2011 u botua kapitulli i parë i sagës napolitane, “Mikesha gjeniale” (i botuar në shqip në nëntor 2016), i ndjekur nga libri i dytë, “Mbiemri i ri” (i botuar në shqip në korrik 2017), nga ky vëllim i tretë, i sapobotuar “Histori arratie e qëndrese”, dhe nga libri i katërt dhe i fundit, “Storia della bambina perduta”.

Fragmente nga libri

1) Në përralla bën sipas qejfit, në realitet bën si të mundësh.

2) Secili e rrëfen jetën si i vjen për mbarë.

3) Të ikje që aty, ja ç’duhej bërë. T’ia mbathje njëherë e mirë, larg jetës që kishim hequr mbi shpinë që në lindje. Të hidhje rrënjë në territore të organizuara më së miri, ku vërtet gjithçka ishte e mundur. Dhe shumë isha përpjekur, në fakt. Por vetëm për të zbuluar,dekadat në vijim, se isha gabuar, se bëhej fjalë për një zinxhir me hallka përherë e më të mëdha: lagjja të dërgonte në qytet,qyteti në Itali, Italia në Europë, Europa në mbarë planetin. Dhe sot e shoh kështu: nuk është lagjja e sëmurë, as Napoli,është rruzulli tokësor, është universi ose universet. Dhe zotësia është të dish të fshehësh gjendjen e vërtetë të gjërave apo të fshihesh pas saj.

4) Ah, kjo hedhje e shkujdesur fare e meshkujve të trallisur nga kënaqësia! Na pllenojnë të rrëmbyer nga orgazma e tyre. Shfaqen brenda nesh dhe sprapsen duke na lënë, të fshehur në mish, fantazmën e tyre si një send të humbur.

5) Sa herë që kthehesha, gjeja përherë e më shumë një qytet pelte, që s’i bënte dot ballë ndërrimit të stinës, të nxehtit, të ftohtit, sidomos stuhive. Ja ku u përmbyt stacioni, ja ku u shemb galeria karshi muzeut, ja ku ndodhi një rrëshqitje dheu, rryma elektrike nuk mbërrinte më. Në kujtesë kishin bërë strehë rrugë të errëta plot rreziqe, trafiku përherë e më lëmsh, gurët e shqitur të kalldrëmit, pellgaçe të mëdha. Kanalet e zeza, të tejmbushura, veç kur plasnin e derdheshin anembanë. Llava uji, llumi, plehrash, mikrobesh derdheshin në det nga kodrat ku gëlonin ndërtimet fringo të reja e të brishta ose gërryenin botën poshtë saj. Njerëzit vdisnin nga moskokëçarja, nga zvetënimi, mujshia e, megjithatë, sa herë vinin zgjedhjet, u jepnin pëlqimin entuziast politikanëve që ua bënin jetën të padurueshme.

Titulli: Histori arratie e qëndrese

Autori: Elena Ferrante

Përktheu: Agim Doksani

Zhanri: Roman

Data e botimit: Nëntor, 2017

Numri i faqeve: 430

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top