Në fokus

August 25, 2016 | 8:04

Mitomania & gënjeshtarët kompulsivë

Gjatë jetës na ndodh të takohemi me persona që na thonë diçka, por që më vonë rezulton se është aspak e vërtetë. Shpesh mund të jetë një shaka, por kur gënjeshtrat janë të vazhdueshme, mund të kemi përballë një person mitoman, që do të thotë një njeri që gënjen pothuajse gjithmonë. Ky term në psikologji njihet ndryshe edhe si “gënjeshtar patologjik”. Po ju shpjegojmë se cilat janë sjelljet, si mund t’i dallojmë njerëzit që shfaqin të tilla simptoma dhe si ta trajtojmë këtë problem.

Çfarë është mitomania?

Mitomania i referohet një çrregullimi psikologjik, për të cilin personi i prekur quhet gënjeshtar mitoman apo gënjeshtar patologjik. Ai ka një sjellje të vazhdueshme të prirë drejt gënjeshtrave, të cilat ofrojnë përfitime të menjëhershme, siç janë admirimi apo vëmendja e të tjerëve. Gjithashtu, duhet sqaruar se termi “mitoman” ka edhe një tjetër kuptim, që i referohet një tendence për të admiruar në mënyrë të ekzagjeruar një person apo diçka.

Por, ne këtu do të përqendrohemi në aspektin patologjik të kuptimit të kësaj fjale. Në ndryshim nga varësi të tjera, si kleptomania (ku personi i sëmurë vjedh pa kërkuar përfitimin personal), në mitomani mund të ekzistojë ose jo qëllimi për të gënjyer apo mashtruar. Qëllimi i vërtetë i personave që gënjejnë është të shtrembërojnë realitetin, për të treguar një histori personale më emocionuese. Fillimisht këto histori të sajuara e arrijnë qëllimin e personit gënjeshtar, që është vëmendja dhe madje admirimi i të tjerëve për të. Në fund të fundit ky është qëllimi që i mban në këmbë këto gënjeshtra, përveç frikës së mitomanit se mos zbulohet që nuk ka thënë të vërtetën. Pavarësisht se mitomani bën gjithçka që është e mundur që të mos demaskohet, kur kjo ndodh, ai e mbulon sa më natyrshëm me falsitet historinë e tij. Mirëpo, në fakt, duke bërë kështu merr efektin e kundërt të asaj që dëshiron, pasi të njohurit dhe miqtë kanë tendencën për ta refuzuar. Ata e largojnë, sepse ndihen të mashtruar. Familjarët, të cilët ia njohin tendencën për të gënjyer, nuk ia vënë më veshin dhe kur marrin vendime nuk u kushtojnë shumë vëmendje atyre çka ai thotë.

Rrethi vicioz i gënjeshtrave

Gënjeshtra apo devijimi i së vërtetës mund të lindë spontanisht, si një mënyrë për të shmangur dënimin apo për të justifikuar mungesën e afateve kohore, ose kryerjen e një detyre të caktuar. Vonesa në një takim apo puna e papërfunduar e një dite më parë, mund të jenë situata tipike të gënjeshtrës për ta kaluar lumin pa u lagur. Përfitimet e menjëhershme që marrin gënjeshtrat mund të jenë faktori që shkakton përsëritjen e një sjelljeje të tillë, kur gënjeshtari kupton se sa më shpesh të gënjejë, më pak detyra duhet të përmbushë. Ekziston një linjë shumë e hollë ndërmjet një sjelljeje në kërkim të përfitimeve të menjëhershme dhe një sjelljeje plot varësi, pasi kjo e fundit vjen si pasojë e përsëritjes së vazhdueshme, por mbi të gjitha edhe nga ndjenja e pandëshkueshmërisë që mashtruesi ndien, pasi çfarëdo gjëje ai thotë, arrin të triumfojë gjithmonë. Duke qenë i varur ndaj gënjeshtrave, ai nuk mund të reshtë së gënjyeri, pasi e ka shndërruar në një formë sjelljeje dhe marrëdhënieje me të tjerët. Për pasojë, gënjeshtari ndihet i pambrojtur nëse nuk e “zbukuron” të vërtetën me gënjeshtra, të cilat e bëjnë të duket edhe më interesant. Si çdo varësi tjetër, të gjithë jemi të ekspozuar ndaj gënjeshtrave. Ndryshimi qëndron te formimi i vlerave të personalitetit të një njeriu dhe te vetëdija e gjithsecilit se sjellja që bëjmë nuk është korrekte dhe mbi të gjitha të dimë t’i vëmë fre për të mos u thelluar më tej në gabim. Situatat që mund të gjenerojnë një gënjeshtër shpesh lidhen me stresin. Kur dikush ndodhet në vështirësi, mendon të gënjejë për të gjetur rrugëdaljen dhe për të shpëtuar nga tensioni dhe ankthi që e ka kapluar. Çlirimi që ndien kur gënjeshtra që ka thënë po ecën ashtu siç duhet, mund të jetë edhe arsyeja që ai ta përsërisë këtë sjellje edhe në raste të tjera. Nuk ka një model se kur mund të ndodhë të na gënjejnë dhe as se si të ruhemi. Mirëpo, në qoftë se është e vërtetë se personi që gënjen ndodhet në një mjedis ku një sjellje e tillë është më se normale, pranohet apo justifikohet, ai do ta ketë më të lehtë që ta ribëjë këtë gjë. Edhe pse familja dhe miqtë janë më të ekspozuar ndaj këtyre gënjeshtrave, gjithashtu janë të parët që e kuptojnë se po mashtrohen, pikërisht për shkak të bashkëjetesës me gënjeshtarin, sepse e njohin jetën e tij dhe mbi të gjitha shohin paqëndrueshmërinë e gënjeshtrave përgjatë kohës. Ja përse “viktimat” kryesore janë njerëzit që takon më rrallë dhe kjo “lojë” vazhdon derisa krijon një marrëdhënie më të ngushtë me ta. Kur gënjeshtari kompulsiv përpiqet të fitojë vetëm admirimin e të tjerëve, nuk ka pasoja të mëdha. Por, nëse mbi bazën e mashtrimit krijohet një marrëdhënie, kur personi tjetër ia kupton gënjeshtrat, ka shumë gjasa që ta largojë mitomanin, pasi e ka humbur besimin që mban fort një marrëdhënie. Kur familjarët apo miqtë e kuptojnë se gënjeshtrat nuk janë të prera në kohë, mund ta shtyjnë mitomanin të vazhdojë me këtë sjellje, të mos i vërë frerë sjelljes së tij të varur ndaj mashtrimit. Një mënyrë për të vazhduar më tej do të ishte përballja e tij me të vërtetën, shpjegimi i pasojave të saj, veçanërisht në marrëdhëniet personale. Veç kësaj, mitomania mund të jetë e pranishme në problemet mendore, siç janë çrregullimet e personalitetit, çrregullimet bipolare apo skizofrenia. Gjithashtu kjo sjellje mund të jetë e zakonshme edhe kur janë të pranishme varësi të tjera si konsumi i substancave ilegale apo varësia ndaj lojërave të bixhozit (kumari). Për këtë arsye, është e domosdoshme përcaktimi i një diagnoze për të vendosur se kur duhet kryer trajtimi, duke u dhënë përparësi simptomave më të rënda, si desintoksikimi, para se të vazhdohet me ndërhyrje të tjera terapeutike.

Profili i mitomanit

Edhe pse studimet dhe kërkimet mbi këtë fushë bëhen vazhdimisht, mitomania është më e shpeshtë te meshkujt, duke gjetur origjinën e tyre në disa karakteristika të personalitetit që krijojnë zakonin e të gënjyerit. Ndër këto karakteristika del se mitomani është shpesh narcisist, ka vetëvlerësim të ulët, mangësi në aftësitë sociale, mosbesim te njerëzit dhe për marrëdhëniet me të tjerët. Disa autorë kanë përfshirë se mund të ekzistojë një lloj predispozite gjenerike, aspekt që ende dhe sot e kësaj dite është shumë kontrovers.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top