Lifestyle

July 7, 2016 | 8:44

Mjalti për shëndet & bukuri

Që në lashtësi, mjalti është i njohur për cilësitë e tij terapeutike. Përdoreni sa më shpesh në ushqim, kozmetikë dhe kujdesin për shëndetin, në mënyrë që trupi juaj të përfitojë në maksimum nga efektet e tij të dobishme dhe kurative. Produktet apikale natyrale, të papërpunuara, janë: mjalti, poleni, peltet mbretërore, propolisi, helmi i bletëve dhe dylli i bletës. Në vijim do të flasim për çfarë rekomandohet mjalti.

Një mrekulli e natyrës Mjalti është rezultati i disa reaksioneve kimike komplekse midis nektarit dhe pjesëve të tjera përbërëse. Ai rekomandohet për disa veti shëruese të veçanta, në varësinë e bimës nga e cila ka dalë nektari. Në përgjithësi mjalti përdoret si ushqim dietik për fëmijët, për trajtimin e bronkiteve kronike, në veçanti ato me natyrë alergjike (aerosoli me mjaltë), për trajtimin e artrozave (gjatë seancave të fizioterapisë), për sëmundjet e zemrës, për çrregullimet e aparatit tretës, ndihmon për të hequr pagjumësinë, për çrregullimin e rrugëve të frymëmarrjes, për plakjen e parakohshme Gjithashtu, sipas bimëve nga të cilat del, mjalti ka disa rekomandime specifike:

• Mjalti nga lule të ndryshme – veprim antiseptik dhe qetësues

• Mjalti nga akacia – qetësues për kollën dhe antiseptik (pastrues)

• Mjalti nga bliri – karakteristika pastruese, një qetësues i mrekullueshëm për sistemin nervor dhe kundër kollës

• Mjalti nga lisi – një laksativ i shkëlqyer, i cili ndihmon për qetësimin e inflamacioneve në organet

 

Pastron në thellësi

Mjalti i vjen në ndihmë fytyrës së yndyrshme dhe pikave të zeza duke sjellë të paktën tri përfitime: pastron në thellësi, hidraton dhe i jep ndriçim fytyrës. Për të pasur rezultate të dukshme, përdore çdo javë. Merr dy lugë kafe me sheqer dhe përzieji me dy lugë mjaltë. Më pas shtrydh gjysmë limoni dhe përzieji të gjitha bashkë derisa ato të bëhen një maskë e njëtrajtshme. Pasi ke pastruar paraprakisht fytyrën, aplikoje këtë maskë mbi të gjithë sipërfaqen e saj, duke mënjanuar zonën rreth syve dhe lëre të veprojë 10 minuta. Përpara se ta heqësh, me gishtat e lagura bëji një masazh të lehtë fytyrës, duke e vënë theksin tek zonat me poret e ngarkuara. Shpëlaje mirë me ujë të ngrohtë dhe vendos një krem hidratues.

Trajton pikat e zeza

Një kombinim i njohur për t’i zgjidhur këto probleme të fytyrës është ai midis mjaltit dhe kanellës pluhur. Duke përzier tri lugë mjaltë me një lugë pluhur kanelle është një maskë, e cila duhet aplikuar mbi zonat problematike. Rekomandohet që maska të vendoset mbi fytyrë në darkë dhe të lihet të veprojë gjithë natën. Në mëngjes ajo hiqet me ujë të ngrohtë. Përpara se ta përdorësh këtë maskë, testoje atë në një pjesë tjetër të lëkurës për të qenë e sigurt se nuk të shkakton acarime. Për lëkurën e thatë dhe të dehidratuar, mjalti vepron si një balsam. Merr dy lugë mjaltë dhe përzieji me dy lugë kos dhe trazoji mirë. Vendose mbi fytyrën e pastër dhe lëre të veprojë rreth 5 minuta. Mandej shpëlaje me ujë të ngrohtë. Kjo maskë ushqen epidermën pa krijuar ndjesinë e një lëkure të yndyrshme.

Trajton buzët e çara

Një shtresë e hollë mjalti e vendosur mbi buzë të paktën dy herë në ditë është ilaçi më i mirë dhe më i thjeshtë. Sidomos gjatë dimrit kur ato pësojnë të çara për shkak të thatësisë dhe acarimit nga të ftohtit. Me veti ushqyese dhe hidratuese, mjalti arrin të riparojë sipërfaqen e dëmtuar në kohë rekord.

Kuron zonat e thata

Më saktë, bëhet fjalë për duart, bërrylat, thembrat, zona të cilat dehidratohen shpejt dhe riparohen me vështirësi. Një trajtim riparues me bazë mjalti është diçka për të cilën ke nevojë: merr në sasi të barabarta mjaltë e vaj ulliri dhe përzieji ato. Më pas vendose këtë maskë mbi zonat e dëmtuara. Lëre të veprojë 5-15 minuta dhe laje me ujë të ngrohtë. Pastaj lyejeni me krem hidratues.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top