Mirëqenie

July 4, 2018 | 9:03

Mjekja kardiologe, Manjola Liko: Ja se si t’i menaxhoni luhatjet e tensionit gjatë verës

Të moshuarit, fëmijët dhe të sëmurët kronikë janë tri kategoritë më të rriskuara për t’ia dalë mbanë temperaturave të larta të verës, pa asnjë problem shëndetësor. Sot do të ndalemi te mosha e tretë, shumica prej të cilëve vuajnë nga tensioni, i cili shkon në të njëjtin kah me gradët në ambient, specifikisht në këtë periudhë. Por jo çdo rast ka nevojë për trajtim hospitalor.

Dr. Manjola Lika, Kardiologe

Dr. Manjola Lika, Kardiologe

Mjekja kardiologe Manjola Liko tregon shenjat klinike, që flasin për një lodhje nga i nxehti si dhe ato që sinjalizojnë një urgjencë të mirëfilltë. Bëhet fjalë për temperaturën e lartë trupore, puls i dobët, të dridhura dhe gjendje konfuzi. Rregulli i artë, paraqitja sa më e shpejtë në spital, vlen edhe në këtë rast për të shmangur rreziqet, që çojnë deri në atak kardiak apo goditje. Në fund, doktoreshë Liko jep edhe një grup këshillash për pacientët hipertensivë. Shumë ujë, fruta e perime e më pak kafeinë, alkool apo edhe lëngje me sheqer apo të gazuara, pasi çojnë në dehidratim.

Cilët janë pacientët ose kategoritë më të rriskuara për problematika shëndetësore, si shkak i temperaturave të larta?

Moti i nxehtë vështirëson të gjithë njerëzit në jetën e përditshme, por nuk ndikon njësoj në shëndetin e të gjithëve. Ata që janë më të prekur janë të sëmurët kronikë, moshat e vjetra dhe fëmijët. Te të gjithë këta kemi rritje të sëmundshmërisë, rritje të hospitalizimeve dhe të vdekshmërisë.

Si ndikon periudha e verës tek ata që vuajnë nga luhatjet e tensionit?

Temperaturat e larta sjellin rritje të frekuencës kardiake dhe si pasojë, zemra punon më fort për të çuar më shumë gjak në sipërfaqen e trupit dhe ndërmjet djersitjes të ulë temperaturën e trupit dhe të ftohë organizmin.

Cilat janë shenjat klinike që sinjalizojnë se ata duhet t’u drejtohen spitaleve për ndihmën mjekësore?

Simptomat e lodhjes nga të nxehtit janë: dhimbja e kokës, djersitje e shtuar, dobësi, nauze apo vjella si dhe urinimi me ngjyrë të errët. Simptomat që flasin për një urgjencë janë krizat hipertensive, temperaturë e lartë e trupit, puls i dobët, të dridhura, gjendje konfuzi.

Si bëhet trajtimi i këtyre pacientëve?

Trajtimi sigurisht ndryshon nga rasti ne rast, sipas diagnozës bazë që kanë pacientët. Pacientët që paraqiten me vlera të larta të tensionit duhet të bëhet një ulje e shpejtë e vlerave të presionit, pacientët me insuficiencë kardiake shpesh nga i nxehti përfundojnë me dekompesim të gjendjes së tyre dhe trajtimi i tyre është kompleks, duke rregulluar një sërë parametrash. Temperaturat e larta nxisin edhe atakun kardiak, për trajtimin e tij ka një protokoll standard që ndiqet.

Çfarë komplikacionesh sjell një hipertension i patrajtuar, veçanërisht në këtë periudhë?

Hipertensioni i patrajtuar mbart një sërë komplikacionesh si: sëmundjen ishemike të zemrës, risk i lartë për infarkt, insuficiencë kardiake, insuficience renale dhe risk të lartë për goditje.

Çfarë do t’u këshillonit pacientëve hipertensivë të kenë kujdes për një sezon veror të sigurt?

Gjatë sezonit të nxehtë këshillohet konsumimi sa më i madh i ujit, frutave dhe perimeve të pasura me lëngjet e nevojshme. Ushqimet më të rekomanduara janë ato me përmbajtje të lartë të vitaminave dhe mineraleve dhe ushqime të lehta si supat. Nuk rekomandohen sasi të shtuara të kafesë, alkoolit apo lëngjeve me sheqer dhe lëngjeve të gazuara, sepse shtojnë dehidrimin. Rekomandohet shmangia e orëve të nxehta 10 e 30 deri 16 e 30.

Rekomandohen rroba të lehta me ngjyrë të çelët si dhe syzet e kapelat për mbrojtje. Pacientët kardiakë shpesh janë në terapi me diuretikë apo bllokues, medikamente këto që çojnë në dehidrim dhe ulje të frekuencës kardiake, shpesh në vizitat kardiologjike ne këshillojmë uljen e dozave të këtyre medikamenteve. Shumë të rëndësishme janë kontrollet e shpeshta mjekësore, sidomos tek individët që ndiejnë një rëndesë nga gjendja e tyre normale.

 

Burimi / Panorama ONLINE

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top