Këshilla & Arsye

October 3, 2018 | 10:53

Mjekja: Shkaqet e sinusitit kronik dhe si ta parandaloni…

Temperaturë e lartë, ënjtje të zonës rreth syve, konfuzion mendor, çrregullim të pamjes, janë disa nga shenjat që nuk duhet të nënvlerësohen. Sipas mjekes ORL, Anjeza Kuçi, një sinusit i pa mjekuar në kohë mund të sjellë komplikacione të tilla si vështirësi në frymëmarrje, por edhe probleme me shikimin si edhe meningjit nëse përhapet në tru.

Mjeke ORL, Anjeza Kuçi

Mjeke ORL, Anjeza Kuçi

Në një intervistë dhënë për gazetën ‘Panorama’, doktoresha shpjegon në mënyrë të detajuar shkaqet që çojnë në sinusit kronik, masat që duhen ndërmarrë për ta parandaluar, mjekimin si edhe rëndësinë që ka regjimi ushqimor.

Çfarë është sinusiti kronik dhe nga se shkaktohet ai?

Sinusiti kronik është inflamacioni kronik apo infeksioni kronik i sinuseve paranasale, që janë hapësirat boshe në kockat e fytyrës afër hundës për më shumë se 12 javë, ku kavitetet e hundës inflamohen dhe fryhen dhe bllokojnë drenimin apo rrjedhjen e sekrecioneve në hundë. Anatomikisht ne kemi 4 çifte sinusesh paranasale, që janë ai frontal, maxillar, ethmoidal dhe sfenoidal, të cilat zbrazen në hundë. Termi që njihet sot është rhinosinusitis, pra, inflamacioni i mukozës së hundës dhe sinuseve paranasale. Shkaqet e një sinusiti kronik janë disa, si: një sinusit akut i mjekuar keq, problemet alergjike, sinusiti kronik me polipozën nazale, i njohur si mishi i huaj në hundë, si rezultat i rritjes së masës në brendësi të hundës deri në sinuse, bën që frymëmarrja nga hunda të bllokohet akoma më shumë dhe të bllokohen edhe sinuset, deviacioni i perdes në hundë apo i murit në brendësi të kaviteteve nazale që e ndan hundën në dy hapësira, infeksionet e vazhdueshme të traktit të sipërm respirator, astma, refluksi gastro-ezofageale, që shkakton një ngjitje të lëngjeve të stomakut në drejtim të gojës dhe mund të futet deri në sinuse, fibroza cistike etj.

Cilat janë shenjat që duhet të na shqetësojnë?

Shenjat klinike të një sinusiti kronik vijnë në rastet e riakutizimit të një sinusiti akut të keqmjekuar, si: vështirësi në nuhatje apo në shijimin e ushqimeve apo të pijeve, sekrecione të verdha apo jeshile që rrjedhin nga pjesa e përparshme e hundës apo ndonjëherë pacientët i ndiejnë t’u rrjedhin nga pjesa e pasme nga goja, sekrecione të thata që bllokojnë kavitet e hundës, sekrecione që rrjedhin në pjesën e pasme të hundës për në gojë dhe quhen rrjedhje postnazale, ndjeshmëri më e shprehur në fytyrë, sidomos në vendin e projektimit të sinuseve, përreth syve, në ballë apo në faqe, dhimbje koke, dhimbje sysh, tharje fyti, nauze, kollë sidomos gjatë natës, erë e keqe nga goja, lodhje gjatë ditës etj. Prezenca e disa prej këtyre shenjave klinike së bashku duhet të na shqetësojë për prezencën e sinusitit kronik.

Çfarë ndodh nëse i nënvlerësojmë këto simptoma, pra, cilat janë pasojat e një mjekimi të vonuar?

Nënvlerësimi i shenjave klinike, sidomos në rastet e riakutizimeve, mund të çojë në komplikacione si vështirësi kronike në frymëmarrje, që çon në një mosoksigjenim të vazhdueshëm të organizmit dhe sinusiti kronik që zgjat në kohë mund të çojë në disosmi apo anosmia, pra, çrregullim të përhershëm të nuhatjes apo humbje të përhershme të saj. Nëse infeksioni përhapet në drejtim të syrit, mund të japë humbje të pamjes nga celuliti orbital, infeksioni mund të përhapet në drejtim të trurit apo membranave të shtyllës kurrizore duke dhënë meningjit apo edhe abscese të trurit, përhapja e infeksionit në drejtim të lëkurës duke dhënë celulit, ose në drejtim të kockës, duke dhënë osteomielit, apo edhe në drejtim të sinusit cavernoz, duke dhënë trombozë të sinusit. Të gjitha këto komplikacione të rrezikshme, që mund të rrezikojnë jetën, bëjnë që sinusiti kronik të kërkojë ekzaminime të mëtejshme për një vendosje diagnoze dhe ndonjëherë ndërhyrje të menjëhershme operatore, për zgjidhje të tyre. Pacienti duhet patjetër të paraqitet te mjeku kur ka temperaturë të lartë, ënjtje të zonës rreth syve, konfuzion mendor, çrregullim të pamjes, qafë të ngurtësuar etj.

Si mjekohet sinusiti?

Shumë trajtime janë të vlefshme për sinusitin kronik, nga njëra anë mjekimi medikamentoz dhe nga ana tjetër ai kirurgjikal, për të zgjidhur ndonjëherë shkaqet e një sinusiti kronik si, deviation septi nasi, pra, një perde të shtrembët të kavitetit nazal dhe nga ana tjetër sinusiti kronik me polyposis nasi, i cili kërkon ndërhyrje kirurgjikale si endoskopia funksionale e sinuseve paranasale. Përdorim qetësuesit e dhimbjes dhe antiinflamatorët si ibuprofeni apo paracetamoli, kortikosteroidet spray nazale, për një periudhë më të gjatë kohore. Në rastet e mbivendosjes së infeksionit bakterial me sekrecione të verdha apo jeshile, fillojmë antibiotikoterapinë, kurse solucionet spray nazale fiziologjike, izotonike apo hipertonike, përdoren për një periudhë të gjatë, që mund të shkojë deri në 6 muaj, për të frenuar mukusin dhe ulur inflamacionin. Mund të përdoren në formë spray ose në forma infalatore me një aparat aerosoli. Për të vendosur diagnozën e sinusitit kronik, përveç shenjave klinike dhe rografisë së sinuseve paranasale, është i nevojshëm edhe CTscan i sinuseve paranasale. Ky sidomos në sinusitet kronike me polipoze nazale, për të parë shtrirjen e polipeve në brendësi të sinuseve dhe për të vendosur për ndërhyrjen operatore që është endoskopia e sinuseve, ku me anë të një sonde optike futemi në brendësi dhe aspirojmë.

Cilat janë rastet më të vështira për t’u trajtuar?

Rastet më të vështira për t’u trajtuar janë sigurisht ato që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme operatore, për arsye të komplikacioneve si në rastet e meningjiteve, trombozës së sinusit cavernoz, celuliteve orbitale, celulitit orbital si rezultat i shtrirjes së infeksionit në orbitën e syrit apo abceset e trurit, si rezultat i riakutizimeve të një sinusiti kronik. Këto komplikacione kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme operatore për të pastruar sinusin nga njëra anë dhe njëkohësisht edhe ndihmën e një neurokirurgu për komplikacionet në sistemin nervor qendror

Dieta ushqimore, çfarë peshe ka? Çfarë rekomandohet?

Sipas mjekësisë tradicionale kineze, çdo ushqim që konsumojmë apo edhe mënyra e jetesës ndikojnë në jetën tonë, po aq sa edhe një terapi mjekësore. Një dietë e pasur ndikon në uljen e inflamacionit, por njëkohësisht çon në rritjen e imunitetit të organizmit ndaj baktereve që çojnë në infeksion të sinuseve. Nuk rekomandohet që të konsumohen ushqime që përmbajnë sheqer në formën e fruktozës dhe sukrozës në ëmbëlsira, çokollata apo lëngje frutash të paketuara. Po ashtu, ushqime si pica, produktet e mishit apo bulmeti me yndyrë të plotë, ushqimet e shpejta apo ushqimet e konservuara etj., që përmbajnë mono sodium glutamate. Nga ana tjetër, duhet të konsumojmë ushqime që ulin inflamacionin: peshk në formën e sardeleve, salmoni të pasur në omega3; erëza si turmeric, avokado; bishtajore, si fasule, bizele etj.; speca të kuq; perime jeshile si brokoli, fruta me shumë vitaminë C si portokall, qitrot; çajin jeshil; erëza si ginger, piperi i kuq, të cilat ndihmojnë në hollimin e mukusit të sinuseve dhe në qarkullimin e ajrit në to. Të gjitha këto që sapo përmendëm janë pjesë e një diete mesdhetare të pasur me omega 3 dhe me antioksidante. Për të pasur rezultatet që zgjasin në kohë, kjo dietë duhet të bëhet pjesë e mënyrës sonë të të jetuarit, sepse ul rastet e alergjive dhe inflamacionet kronike të traktit të sipërm respirator, që janë bazë e rhinosinusiteve kronike.

Së fundmi disa këshilla për lexuesit…

Për të parandaluar një sinusit kronik duhet të minimizojmë infeksionet e traktit të sipërm respirator dhe kontaktin me shumë njerëz gjatë epidemive virale, të mbajmë nën kontroll alergjitë, të mënjanojmë duhanpirjen aktive dhe pasive, pasi tymi i duhanit dhe ajri i kontaminuar irriton mushkëritë dhe rrugët ajrore duke filluar nga hunda. 

Nëse ajri në shtëpinë tuaj është i thatë, si në rastet e ngrohjes së ambienteve me aparate që nxjerrin ajër të ngrohtë, duhen shtuar lagështuesit e ajrit. Dhe sigurisht, dieta mesdhetare e pasur me peshk, perime të freskëta, vaj ulliri dhe fruta e perime me omega3 dhe antioksidantë, është një armë e fortë për të mbajtur nën kontroll shenjat e rhinosinusitit kronik.

 

Burimi / http://www.panorama.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top