Studim

October 3, 2018 | 10:36

Kakaoja, një burim i çmuar i vitaminës D

Zvogëlimi i vitaminës D mund të çojë në kocka të brishta dhe në një rritje të rrezikut të sëmundjeve të frymëmarrjes, por si ta sigurojmë atë në dietën tonë? Me çokollatë!

Kjo është përgjigjja që vjen nga një grup kërkimor i Universitetit Martin Luther Halle-Wittenberg dhe Max Rubner Institut, të cilët kanë identifikuar kakaon si një burim të ri të vitaminës D2, gjë kjo e panjohur më parë. Në fakt, çokollata dhe ushqimi që përmban kakao ka një sasi të konsiderueshme të këtij ushqyesi të rëndësishëm.

Sipas studiuesve, nivelet më të larta të vitaminës D2 gjenden te kakao dhe çokollata e errët.

Përveç rolit të saj thelbësor në metabolizmin e eshtrave, vërtetohet se vitamina D është gjithashtu e përfshirë në procese të tjera, të tilla si modulimi i rritjes së qelizave, funksioneve neuromuskulare dhe imune dhe uljes së inflamacionit. Prandaj, pa dyshim, mungesa e vitaminës D, përveç çrregullimeve të kockave, mund të lidhet me një sërë sëmundjesh të tjera, duke përfshirë ato metabolike, kardiovaskulare, autoimune dhe tumoret.

Në natyrë, ekzistojnë dy lloje të vitaminës D: kalciferoli (vitamina D3), tipike për gjitarët dhe ergocalciferol, i cili formohet pas ekspozimit ndaj dritës ultravjollcë të ergosterolit (vitamina D2). Aktivizimi i këtyre substancave biologjike bëhet direkt në mëlçi dhe në veshka. Në rastin konkret, kërkuesit analizuan përmbajtjen e vitaminës D te produktet e kakaos. Ajo që ata kanë zbuluar është se produktet që përmbajnë kakao janë një burim i vitaminës D2, por sasia ndryshon shumë nga tipi dhe lloji. Studiuesit gjetën se çokollata e zezë ka një përmbajtje relativisht të lartë të vitaminës D2, krahasuar me çokollatën e bardhë.

Pavarësisht zbulimit, nutricionistët nuk sugjerojnë konsumimin në sasi të mëdha të çokollatës: “Nëse hani sasi të mëdha të çokollatës për të mbuluar nevojat tuaja të vitaminës D, do të ishte shumë e dëmshme për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit dhe yndyrës”, shpjegon profesori, Gabriele Stangl.

Me pak fjalë, hani çokollatë, por me moderim. Dhe ka mënyra të tjera për të plotësuar vitaminën D, duke filluar nga ekspozimi në diell.

 

Burimi / www.greenme.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top