Kohët e fundit ai ishte për një vizitë të shkurtër në Vjenë. Mbas një shëtitjeje të gjatë në orët e para të mëngjesit në qytetin metropol të Vjenës, ai u kthye në hotel, pas ndërtesës së Teatrit Popullor. “Unë e dua këtë”, (thotë Haem Sunim, emri i tij do të thotë “dituri spontane”) më pëlqen të ec ngadalë përmes rrugëve të qytetit, duke pritur se çfarë do të më dalë përpara.
Përpara i dalin turistë koreanë, të cilën nuk u besojnë syve ta shohin pikërisht këtu, në Vjenë. Ai është për ta “Shenjtor Kombëtar”. Mirësia e tij është ngjitëse. Edhe kur ai flet për ngjarje tragjike që ndodhin në botë, nuk i humbet mirësia dhe buzëqeshja në fytyrë. Kjo është një intervistë e dhënë për gazetaren e gazetës “Krone Zeitung ” në Austri.
Titulli i librit tuaj – “Gjërat e bukura shihen kur iu shkon ngadalë”, është një nga impulset tuaja për një jetë më të mirë…
Po, sepse ne njerëzit humbasim lehtë në aktivitetet e përditshme. Ne punojmë, jemi gjatë gjithë kohës online, në sport, takojmë shoqërinë, por nuk ndjejmë më gëzim. Prandaj pauzat janë shumë të rëndësishme: marrje fryme, meditim, të jemi të përqendruar.
Por si mund të arrihet të qenit i përqendruar? A mund të ushtrohet vëmendja?
Shënoni çdo mbrëmje tre gjëra për të cilat jeni mirënjohës. Ky ritual ka fuqinë të programojë mendjen në tre javë. Kur merr kohën për të shënuar, forcohet vëmendja te ky program pozitiv, pra te mirënjohja. Kush është shumë i impenjuar me punë, stres, probleme të ndryshme, edhe gjëra si të shijuarit e një ushqimi të mirë, apo një koncert, nuk mund t’i shijojë ato. Kështu, lumturia apo të ndjerit i gëzuar në jetë humbasin përjetimin. Forma më e lartë e të qenit i vëmendshëm është dashuria. Nëse ne duam dikë, i dhurojmë atij automatikisht vëmendje.
Vëmendje mbi ato ç’ka mendojmë, përse duhet të jetë kaq e rëndësishme?
Sepse ne me mendimet tona krijojmë botën tonë. Mendimet negative krijojnë një botë negative. Mendimet pozitive krijojnë një botë paqësore, pozitive. Kjo mund të mësohet shumë lehtë, prandaj jam i mendimit që mësimi i përqendrimit të vëmendjes duhet të mësohet në shkolla paralel me lëndët e tjera.
Si mund të fillohet më mirë me ushtrimin/ mësimin?
Me një buzëqeshje. Kush ndjen që është i stresuar, le të buzëqeshë. Nëse ne buzëqeshim, lëviz pulsi, muskujt e fytyrës relaksohen. E qeshura është gjithmonë ngjitëse. Nëse ne buzëqeshim edhe duke ecur shëtitje apo në punë të ndryshme, dikujt të njohur apo të panjohur, buzëqesh edhe tjetri. Kur merr një buzëqeshje mbrapsht, ndjehesh i mirëpritur dhe i pranuar. Kjo është një ndjenjë pozitive. Të bën të ndjehesh mirë.
Po më pas?
Frymëmarrje të thellë. Shijo ajrin e pastër. Kjo mund të vëzhgohet lehtë, se si ndjehesh kur merr frymë thellë për disa sekonda, duke thithur ajër të pastër. Krijohet një ndjenjë qetësie. Kjo ndjesi duhet ushtruar disa herë radhazi, dhe ekziston vetëm një minutë. Kush e ushtron për 15 minuta duhet të bëjë një shëtitje. Unë i këshilloj njerëzve gjithherë gjatë rrugës për në shtëpi të ndalen 2-3 stacione përpara banesës së tyre, ose të zbresin nga automjeti dhe të ecin në këmbë. Kjo eliminon stresin e akumuluar nga dita e punës dhe njëkohësisht stresin tjetër që i pret në shtëpi, partneri, fëmijët, detyrimet e shumta familjare.
Dhe nëse mendimet negative nuk largohen?
Për këtë rast ka një ushtrim të mirë, ai që përmenda në fillim: çdo mbrëmje, para gjumit shënoni tre gjëra për të cilat jeni mirënjohës.
Me gjithë këtë problemet vijojnë dhe variojnë vazhdimisht. Si mund të jemi të qetë shpirtërisht apo të fortë mendërisht?
Një metodë për të mos humbur në mendime të zymta, pa shpresë, negative është: Tërhiqu një hap prapa, shikoje ngjarjen negative apo stresin për një problem si një re në qiell. Ne jemi qielli dhe jo retë. Shpeshherë nuk është bota që na rrethon kaq hektike, por jemi ne vetë. Ne jemi shpesh skllavë të emocioneve tona. Nëse këtë e bëjmë të vetëdijshme, atëherë çlirohet mendja nga mendimet negative dhe zëvendësohet nga qetësia shpirtërore/mendore.
Ju i ndani mendimet tuaja me 1.3 milionë njerëz në Twitter. A janë mediat sociale një dukuri pozitive apo edhe negative?
Unë mendoj se është përsëri produkt i veprimtarisë sonë. Mënyra se si punohet dhe për çfarë në media sociale. Një thikë në duart e mjekut shpëton jetën, por një thikë në duart e kriminelit mund të vrasë. Interneti shërben për të arritur gjëra shumë të mira, por edhe gjëra të këqija. Mendoj se postimet e mia vlejnë për mirë.
Ju vetë, a jeni një njeri i lumtur?
Po, në përgjithësi unë ndjehem i lumtur.
Nëse ju do të kishit një fëmijë, çfarë do t’i jepnit atij për të qenë fëmijë i lumtur?
Ndjenjën për t’u ndjerë i dashur për atë që është, jo për atë që bën. Në udhëtimet e mia në të gjithë botën kam njohur shumë njerëz të suksesshëm. Mes tyre shumë të fiksuar vetëm pas punës dhe karrierës, sepse prindërit e tyre kanë dashur apo vlerësuar më tepër arritjet e tyre, sesa u kanë dhënë dashuri pa kushte. Këta lloj njerëzish ndjehen të pavlefshëm nëse nuk arrijnë suksese gjatë gjithë karrierës së tyre.
Libri juaj u shit 4milion herë. Çfarë bëni me kaq shumë para?
Qesh. Unë kam nevojë për para vetëm për udhëtimet. Për këtë arsye kam hapur në Kore shkollën: “Shkolla e zemrave të plagosura”. Në këtë shkollë ne ftojmë të sëmurë me kancer, prindër që kanë humbur fëmijët e tyre, fëmijë me aftësi të kufizuara. Aty ne zhvillojmë kurse vallëzimi, terapi arti, kalojmë shumë kohë bashkërisht. Në vijim po planifikojmë kurse punim dore, thurje pulovre, triko, shall me shtiza, pra puna e dorës është një nga metodat më medituese që ekziston. Kjo shkollë është fëmija im.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.