Një nga shembujt më të qartë të besimit të zhdrejtë në raport me mendimin, është rasti i personit që vuan nga ankthi. Ankthi si pasojë e frikës që krijon, priret të nxisë tek njeriu mendime të ekzagjeruara dhe larg realitetit, por sikur kjo të mos mjaftonte, këto mendime rrëmbejnë edhe besimin e personit se gjërat do të ndodhin fiks ashtu siç mendimi i devijuar ja servir.
Nga Besmir Guri, psikolog
Natyra egoiste e njeriut nuk e bën të lehtë mos besimin e mendimeve tona, por ka raste që bëhet e domosdoshme seleksionimi i mendimeve të cilat meritojnë besim dhe i atyre që meritojnë indiferentizëm.
Të besosh do të thotë të angazhohesh psikologjikisht, emocionalisht dhe me sjelljen tënde, në funksion të asaj që mendimi të thotë, por a janë në çdo rast të gjitha mendimet tona të arsyeshme dhe të drejta?
Mendja mbetet e prirur të prodhojë me mijëra mendime për gjatë ditës, mendime të cilat zakonisht nxiten prej diçkaje, ku këtu lind pyetja po kur mendimet tona janë të ndikuara prej faktorëve turbullues si stresi, frika, ankthi, zemërimi, inati, nervozizmi, xhelozia etj, a mund tu besojmë pa rezerva gjërave që na thonë përmes mendimeve?
Psikologjia i njeh mendimet irracionale apo shtrembërimet në të menduar si të mundshme për tu krijuar për shkak të ngarkesave emocionale, sjelljeve të keq mësuara ose përvojave jetësore traumatike, të cilat janë në gjendje të rrëmbejnë me lehtësi besimin tonë, duke u shndërruar deri në bindje të pa diskutueshme se gjërat janë domosdoshmërisht ashtu siç ne i mendojmë.
Çfarë ndodh kur tek personi formohet bindje e gabuar për diçka që në realitet është ndryshe?
Rezultate të pazakonshme mund të priten, më ka ndodhur të takoj persona teksa flisnin budallallëqe me besim pasionant, deri tek persona me intelekt të heshtur prej mos besimit në vetëvlerësim.
Gjithkush mbetet i rriskuar nga subjektiviteti i tij për gjërat që beson apo jo, si rastet kur mendimi të krijon besim të gabuar ose kur mendimi nuk të lejon që të besosh të vërtetën.
Për të kuptuar pasojat e besimit të gabuar, kemi një mësim të mirë prej eksperiencave të personave që vuajnë nga ankthi, ku besimi i tyre ndaj rrezikut imagjinarë që mendimi frikësues i kërcënon, ua shton artificialisht edhe më shumë nivelin e tyre të ankthit.
Ndikuar nga rrethana të caktuara, çdo kush mund të shtyhet prej mendimeve të tij për të besuar gjëra të pa sakta, ndaj mbetet e dobishme që jo gjithmonë të besohet gjithçka që mendja mendon, sepse mendimi mund të formojë besim, por besimi sjell veprim…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.