FB

July 30, 2021 | 8:25

“M’u çmend fëmija…” / Një Atak Paniku apo një Krizë Psikologjike mund të alarmojë gjithë familjen

 

Më kanë treguar se, dikur, para viteve ‘90, nënat e ngarkuara me punë, për t’i mbajtur fëmijët në gjumë, u jepnin çaj hashashi bebeve të vogla… qëllimi ishte t’i mbanin sa më shumë në gjumë e me synimin të mbaronin ato të shkreta punë…

 

Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike

 

E risjell sot këtë fakt sa qesharak, por edhe të çuditshëm, tek dëgjoj shumë prindër të kenë probleme me fëmijët e tyre. Sot prindërit vrapojnë plot frikë tek Doktori për çdo problem që shohin tek fëmija e tyre, qofshin probleme fizike, qofshin probleme psikologjike – ku psikiatri, neurologu, psikologu kontaktohen me emergjencë e ankth, e ku ilaçet shihen si zgjidhja më optimale e këtyre problemeve.

Përtej rasteve kur ilaçet janë vërtetë të domosdoshme, mos harroni se ilaçet neuroleptike (antipsikotike) që jepen në këto raste nuk zhdukin problemin – ato veprojnë në qetësimin e disa simptomave të caktuara dhe kanë efekte anësore shumë të mëdha, kështu që kur merret vendim për përdorimin e tyre duhet të mendoheni shumë mirë. Nevojitet një diagnostikim i kujdesshëm, analiza të shumta e shumë teste për të vendosur farmakoterapinë si alternativën më të mirë.

Përdorimi i këtyre drogërave shoqërohet me efekte anësore domethënëse, kryesisht me çrregullime të lëvizjes dhe me shtim peshe trupore, ndryshime në sistemin kogniktiv (përgjumje ose axhitim) etj.

1

Duhet theksuar fakti se shumë probleme psikologjike shfaqen me simptoma somatike, të cilat mund të ngatërrohen nga prindërit si simptoma të sëmundjeve fizike: Një Atak Paniku apo dhe një Krizë Psikologjike mund të alarmojë gjithë familjen. Por ilaçet neuroleptike nuk duhet të shihen si alternativa e parë. Nëse analizat laboratorike nuk tregojnë problematika fizike, referimet e mundshme e delegojnë rastin tek Neurologu, i cili bën ekzaminimet e nevojshme e përshkruan ilaçe sipas shqetësimeve të raportuara.

Dhënia e benzodiazepinave është bërë e zakonshme duke anashkaluar rolin e Psikologut, terapia e të cilit është pa ilaçe.  Mes këtyre dy zgjedhjeve – preferencat janë për ilaçet, duke i parë si zgjidhje të shpejtë të problemit.

Por a janë ilaçet neuroleptike zgjidhje e këtyre problemeve?

Faktet klinike tregojnë se janë shumë raste me problematika psikologjike që trajtohen me farmakoterapi, të cilat jo vetëm që nuk shërohen, por rëndohen më shumë – raste që lehtësisht mund të trajtohen vetëm me psikoterapi.

Sot dhe një problem gjumi zgjidhet me ilaçe, pa menduar efektet e tyre anësore. Nuk mendoni se problemet e gjumit mund të zgjidhen dhe me një stil jete më të shëndetshme? Duke rregulluar regjimin tuaj ushqimor, duke analizuar problematikat që ju lënë pa gjumë ( deri në zgjidhjen e tyre) – ilaçet e gjumit bëhen të panevojshme.

Të dashur prindër! Fëmija përgjatë zhvillimit të tij shfaq shumë probleme psikologjike, ndoshta dhe nga ato probleme që nuk i keni hasur kurrë. Sidomos kur flitet për periudhën e adoleshencës dhe pjekurisë së fëmijës, ju prindër mund të surprizoheni me sjellje agresive të tyre, me një fjalor që ndoshta s’do e kishit imagjinuar kurrë, me sjellje izoluese apo dhe ndryshime të humorit e mendime të çuditshme…, të gjitha këto janë normale deri diku për të rinjtë, të cilët janë në proçese shumë të rëndësishme të krijimit të identitetit të tyre.

Mos u trembni!

Mos vraponi te doktori të zgjidhni problemin e fëmijës tuaj! “U çmend fëmija!!!” Mos vraponi menjëherë tek ilaçet, ndoshta fëmija juaj thjesht ka nevojë të dëgjohet. Komunikoni me ta, dëgjojini fjalët e tyre e mundohuni të kuptoni problemin!

Nuk është çmendur fëmija, jo! Ndoshta ju prindër duhet të shihni problemin edhe tek vetja juaj, tek prindërimi juaj. Ndoshta përgjatë rritjes s’e keni kuptuar fëmijën tuaj, ndoshta keni vënë kërkesa të larta për të, e fëmija ndjehet nën presion, ndoshta e keni përkëdhelur më shumë seç duhet e kur fëmija përballet me humbje dhe vështirësi reagon duke ju fajësuar juve, duke ju sharë e ofenduar, por këto nuk nënkuptojnë se fëmija juaj u çmend, jooo!

Fillimisht mundohuni ta dëgjoni, ta kuptoni e të komunikoni me fëmijën tuaj, i cili tashmë është rritur ndoshta e ju s’e kuptoni.

Pjekuria është faza e fundit e zhvillimit të fëmijës, një fazë që kërkon shumë durim e mirëkuptim nga prindërit drejt fëmijës. Bëhuni mbështetës të fëmijëve tuaj (pa harruar të ruani autoritetin tuaj), mundohuni të kuptoni botëkuptimin e tyre, problematikat e tyre. Mbështetja më e madhe në konfuzionin që fëmijët përjetojnë – jeni ju Prindër.

Disa probleme nuk zgjidhen me ilaçe, pa anashkaluar rastet e nevojës emergjente të farmakoterapisë për rastet që përbëjnë shqetësim serioz.

Konfliktet mes brezave gjithmonë kanë qenë e do të jenë. Mundohuni të kuptoni çfarë dëshiron fëmija juaj. Ndoshta dëshirat e tyre mund të mos përputhen me pritshmëritë tuaja, kjo nuk do të thotë se u çmed fëmija.

Duke i dërguar nëpër specialistë të ndryshëm e duke u dhënë ilaçe, thjesht po veproni si nënat dikur duke u dhënë hashash fëmijëve tuaj, i përgjumni përjetësisht ata.

Nëse nuk ia dilni dot vetëm, atëherë kërkoni ndihmë, konsultohuni dhe me Psikologë e Specialistë të tjerë përveç Neurologut dhe Psikiatërve. Nëse llogarisni rriskun më të vogël, ilaçet duhet të jenë alternativa e fundit, jo e parë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top