Në fokus

July 10, 2017 | 9:47

Mungesa e edukatës është ngjitëse

Kur mora temën e radhës, m’u kujtua fëmijëria, atëherë kur mësuesit, në klasën e parë, na kontrollonin mirë nga ana e higjienës, thonjtë, shamia e hekurosur me vete. Modele pastërtie, rregulla mirësjellje dhe, mbi të gjitha, kërkonin të respektonim më të mëdhenjtë. Përshëndetjet me njerëzit ishin normë obliguese për këdo që shikoje në ambientin ku rrije. Ilustronin shembuj vlerash, “nëse gjyshja është në këmbë, në autobus, e rraskapitur me trasta në dorë, ju çfarë duhet të bëni?…”

1

 

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Sot ne dallojmë mirë kombësinë tonë me gjeste të shëmtuara. Nuk do doja të flisja për shtimin e divorceve, vrasjet e femrave, përdhunimet e fëmijëve se këto ndodhin kudo në botë, apo për vepra penale, por “trimërinë” për shkeljen hapur të ligjit. P.sh. ecja me semafor të kuq, vjedhja apo dëmtimi i pronës publike si, shqyerja e stolave në park apo zhgaravitja e fasadave të godinave. Veprime destruktive, të cilat morën një fillesë nga vitet ’90 dhe nuk u ndalën më, theksuan dukshëm mungesën e qytetarisë dhe civilizimit të individit në thelb të tij.

Në formimin e personalitetit ndikon vendi dhe kultura ku jeton. Këtu ai formon gjykimet personale, llojet e këndvështrimeve mbi fenomenet sociale dhe vetjake. Orientimi i tillë sjell një model, duke nisur herët nga familja
dhe shoqëria. Kultura manifeston sjellje stereotipe dhe ndikon në të gjitha modelet e të menduarit dhe të sjelljes së njerëzve. Nga kultura e përbashkët
e një grupimi njerëzish përcaktohen në masë të madhe mënyrat se si krijojnë dhe i përdorin veglat e punës, format e organizimit të të gjithave
veprimtarive dhe mënyrat e rregullimit të marrëdhënieve e të zgjidhjes së
mosmarrëveshjes së tyre. Mungesa e kulturës civile, duke bërë veprime
si: të pështysh në rrugë sekrecionet e fytit, të bësh kër-kër, një zhurmë dhe
një mënyrë manifestuese, të pështysh çamçakëzët, të cilat gjenden kudo të hedhura apo të ngjitura diku. Jemi të gatshëm të komplimentojmë femrat në forma vulgare të seksualitetit. Shumë meshkuj mund të shajnë dhe bërtasin në rrugë pa ndrojtje; mbajtja e radhës në një sportel; të thënët e “fjalëve magjike” si: faleminderit, ju lutem etj; hedhja e mbeturinave në kosh; ulja e volumit të radios kur je në makinë, në trafik, me dritare të hapur apo kur të kalojnë nëpër lagje me një shpejtësi ere me muzikën që të zgjon më shumë se një tërmet; goditja e fëmijëve në publik, pritja që të mbarojë së foluri tjetri, para se t’i përgjigjesh, mbajtja e derës hapur që të kalojë dikush që vjen pas teje e të tjera si këto që, në vetvete, konsiderohen si gjëra të vogla dhe nuk na përkasin neve, na mbushin me negativitet së brendshmi, e kur mblidhen bashkë përbëjnë një problem të madh, që e bën jetën stresuese.

Si gjendemi në këtë mesele?

Ne kemi një mungesë modeli prej më shumë se dy dekadash, një model i mirë që nuk mësohet më në institucionet e edukimit si: kopshtet dhe shkollat. Lënda e edukatës, qytetarisë etj., nuk konsiderohen me baza dhe kërkesë llogarie të madhe, shikohen si lëndë të treta, ndërkohë që janë po këto lëndë që bëjnë njeriun si thelb, më pas vijojnë të tjerat. Edukata familjare është thelbësore, sepse prindërit duhet të jenë ata që mësojnë fëmijën e tyre për norma qytetarie minimale, për të respektuar vetveten dhe ambientin përreth. Prindërit ecin për dore me fëmijët dhe nga krahu tjetër pështyjnë. Mungesa e infrastrukturës për hedhjen e mbeturinave, ku nuk je i detyruar të mbash një qese apo diç tjetër për orë të tëra se nuk gjendet një kosh mbeturinash. Kur në qytete gjendesh në këto situata, mendo në fshatra?! Kjo ka sjellë një konfuzion të madh te populli ynë, mungesë informacioni gjithashtu, pasi dikur edukimi familjar, por edhe ai shkollor, fetar dhe shoqëror, ishte për të gjithë i njëjtë, me rregulla të përbashkëta dhe të sigurta. Sot kërkohet më tepër edukimi personal dhe ndërpersonal, sipas moshës, gjinisë, aftësive, nevojave, rrethanave e mundësive. Tashmë s’mund të thirremi në autoritet të rolit: unë jam prindi yt, mësuesi, polici, duke pasur ndonjë rol të caktuar. Të gjitha këto “autoritete ndikuese” vetvetiu janë në krizë dhe në rishqyrtim. I vetmi autoritet i pamohueshëm
ka mbetur dashuria, mirësia, durimi, shembulli i mirë, sepse kështu të gjithë edukojmë njëri-tjetrin.

Si ndikojnë te ne psikologjikisht

Si fillim, nuk duhet ngatërruar edukata me kulturën, edhe të sillemi sikur ne nuk i kemi bërë kurrë këto gjeste, në mos ne, prindërit tanë, të afërm, edhe të panjohur, kur i kemi parë s’kemi guxuar t’u tërheqim vëmendjen për gjestin e shëmtuar apo dëmtues për komunitetin ku jetojmë. Si fillim, mbushemi me negativitet, e ndiejmë veten të pambrojtur dhe të dhunuar.
Siç mund të jetë lypja e lekëve nga fëmijët e rrugës, një dhunë e tmerrshme psikologjike edhe për formën e kërkimit dhe viktimizimit apo dhe realitetit. Imitimi i grupeve të huaja, rebelizmi që vijnë nga filmat, rrymat hip-pop etj., tek adoleshentët sjellin shumë shqetësime. Në një formë të pandërgjegjshme, ne mbushemi me energji negative dhe e shfryjmë në forma të tjera. Ne harrojmë të qeshim dhe fytyrën tonë të ngrysur taksirat ta shikojnë të tjerët. E keqja është ngjitëse.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top