Editorial

May 4, 2021 | 8:15

Nga Orjona Tresa / Mungesa e mirësisë shkatërron bërthamën e të qenit njeri

Më ka prekur tejmase një video e publikuar në rrjetet sociale. Një i moshuar që rendte për një vend të lirë në autobus, ku të ulej. Të rinj që me bisht të syrit bënin rrengun heshturazi, sikur nuk e kishin mendjen. Dikush sikur flinte, një tjetër ‘mbytur’ pas celularit, një tjetër fshehur pas dritares, e me radhë. Një vajzë e re mes poltronave të urbanit vë re zotërinë e moshuar dhe çohet t’i lirojë vendin. Gjyshi i saj për nga mosha bën gjestin e tij duke i thënë “nuk ka problem, mundem të qëndroj në këmbë”.

E reja nuk e mendoi dy herë, dhe u ngrit. Gjyshi u emocionua. Nuk e besoi që mes atyre të rinjve që gjendeshin në autobus, të ishte një prej tyre ndryshe. E rrallë, por e vërtetë. Por ajo që vu re më shumë, ishte se ajo vajzë ishte me aftësi të kufizuara, dhe, edhe pse në kushte të tilla, rendi të marrë patericat e saj për të krijuar qëndrueshmërinë që i ishte mohuar fizikisht ta kishte. Kjo fabulë e vërtetë më emocionoi. Kjo video e huaj ka marrë çmim ndërkombëtar për mesazhin që përcjell.

Fakti është që shoqëria është e tillë. Është shndërruar në një sistem që ka nevojë për paterica që të mbahet në këmbë. Po humbasim vlera. Familja po shpërbëhet çdo ditë, duke sjellë mungesën e ndjeshmërisë, e atyre emocioneve të gjalla që kemi nevojë të dëgjojmë, të përlotemi. Flasim, dëgjojmë çdo ditë për fëmijë që braktisin modelin e shëndoshë të familjes. Kjo shfaqet në sjelljet e tyre. Fëmijë që debatin e shndërrojnë në forcë, në dhunë ndaj familjarëve, e më keq ndaj nënës. Fëmijë që braktisin dhe thyejnë çdo princip të jetës, pa dëshirën për t’u rritur dhe për të mësuar.

Fëmijë që duket sikur janë rritur jashtë kontrollit e kanë marrë një hov të pashpresë për prindërit edukues të së nesërmes. Fëmijë që nuk duan të dëgjojnë, sepse i dinë të gjitha. Fëmijë që nuk pranojnë kritikat apo këshillat, sepse i kanë në kontroll të gjitha. Fëmijë që nuk kthejnë kokën, sepse nuk duan të dëgjojnë asgjë, ndihen të lodhur.

Fëmijë që jetojnë në kurrizin e prindërve, sepse nuk duan të punojnë. “Vetë na bëtë, na dilni për Zot”. Fëmijë që veç problemeve të ndryshme, të shtojnë përgjegjësinë morale dhe monetare të proçkave të tyre, ku të duhet të paguash haraçe fort të majme. Veç dëmit monetar, të ka shkaktuar edhe atë shpirtëror, shtuar edhe stigmën vrastare të shoqërisë, e cila që nga vrima e çelësit të bën të mos e ngresh kokën.

Kjo është vetëm maja e ajzbergut. Jetojmë në një shoqëri infantile, pa shpresën e ndryshimit. Faktorët e stërthënë, nisur nga baza, familja, e mandej shkolla dhe shoqëria po e këpusin zinxhirin e vjetër të vlerave. Po fundosemi në krijesën e një brezi që nuk dihet se ku do ta çojë këtë vend. Sepse janë brezi i gjërave gati, të shpejta, pa përpjekje, falas… janë brezi që vetëm kërkojnë dhe as nuk përpiqen të japin… janë brezi i fodullëkut të paprinciptë.

“Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi” thoshte Ana Frank.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 157

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top